Përshëndetje
1 Pali, Silvani dhe Timoteu, po i shkruajmë kishës së selanikasve që i përket Perëndisë, Atit tonë, dhe Zotit Jezu Krisht: 2 paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!
Gjykimi kur të vijë Krishti
3 Ne duhet ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, dhe kjo është e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po shtohet. 4 Prandaj ne vetë krenohemi me ju para kishave të Perëndisë për durimin tuaj dhe për besimin që keni në tërë përndjekjet e vuajtjet që po kaloni.
5 Kjo tregon se Perëndia gjykon me drejtësi dhe do t’ju bëjë të denjë për mbretërinë e tij, për shkak të së cilës po vuani. 6 Perëndia do të bëjë atë që është e drejtë dhe do t’u japë mundime atyre që po ju mundojnë, 7 ndërsa ju do t’ju çlirojë nga mundimet që po kaloni, ashtu si do të na çlirojë edhe ne kur të vijë Zoti Jezu nga qielli bashkë me engjëjt e tij të fuqishëm. 8 Ai do të vijë me zjarr flakërues për të marrë shpagim nga ata që nuk e njohin Perëndinë dhe që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu. 9 Këta do të ndëshkohen me shkatërrimin e amshuar, të ndarë nga prania e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij. 10 Atë ditë ai do të vijë për t’u përlëvduar bashkë me të shenjtët e vet e për t’u admiruar bashkë me të gjithë ata që i kanë besuar, sepse ju i besuat dëshmisë sonë.
11 Ne lutemi gjithnjë për ju, që Perëndia t’ju bëjë të denjë për të përmbushur thirrjen e tij dhe që me fuqinë e tij të arrini çdo qëllim të mirë e të përsosni çdo vepër të besimit tuaj. 12 Kështu, emri i Zotit tonë Jezu do të përlëvdohet prej jush dhe ju do të përlëvdoheni prej tij, sipas hirit të Perëndisë tonë dhe të Zotit Jezu Krisht.