Vrasja e Ishboshetit
1 Kur biri i Saulit e mori vesh se Abneri kishte vdekur në Hebron, ai u ligështua dhe tërë Izraeli u tmerrua. 2 Biri i Saulit kishte dy prijës çetash. Njëri quhej Banah dhe tjetri Rekab. Ata ishin bijtë e Rimon Berotitit, prej Benjaminit, sepse edhe Beroti mbahej si pjesë e Benjaminit. 3 Berotitët kishin ikur në Gitaim dhe kishin qëndruar aty si të ardhur gjer më sot.
4 Jonatani, biri i Saulit, kishte një djalë të çalë. Ai kishte qenë pesë vjeç kur kishte ardhur lajmi prej Izrelit për Saulin dhe Jonatanin. Mëndesha e kishte marrë dhe ia kishte mbathur. Teksa nxitonte për të ikur, djali i kishte rënë përtokë dhe kishte mbetur i çalë. Ai quhej Mefiboshet.
5 Bijtë e Rimon Berotitit, Rekabi dhe Banahu, mbërritën te shtëpia e Ishboshetit, kur ai po pushonte në zheg. 6 Ata hynë brenda në shtëpi gjoja për të marrë elb dhe e qëlluan në bark. Pastaj Rekabi dhe Banahu ia mbathën. 7 Ata kishin hyrë në shtëpi kur ai kishte qenë shtrirë në dhomën e tij. E kishin vrarë dhe ia kishin prerë kokën. Pastaj e kishin marrë me vete dhe kishin udhëtuar tërë natën rrugës për në Arabah. 8 Ia sollën kryet Davidit në Hebron e i thanë: «Ja, kryet e Ishboshetit, birit të Saulit, armikut tënd, që kërkonte të të merrte jetën. Sot, Zoti ia mori hakun zotërisë tonë kundër Saulit dhe pasardhësve të tij».
9 Por Davidi iu përgjigj Rekabit e Banahut, vëllait të tij, bijve të Rimon Berotitit: «Pasha Zotin, që e ka shpëtuar jetën time nga çdo rrezik, 10 nëse e kapa dhe e vrava në Ciklag, si shpërblim për lajmin e mirë, atë që më dha lajmin e vrasjes së Saulit, 11 aq më tepër do t’i dënoj keqbërësit që kanë vrarë një njeri të drejtë në shtëpinë e në shtratin e vet! Gjakun e tij do ta kërkoj prej duarve tuaja e do t’ju zhbij prej faqes së dheut». 12 Davidi urdhëroi djelmoshat dhe ata i vranë, ua prenë duart e këmbët dhe i varën pranë pellgut të Hebronit. Pastaj morën kokën e Ishboshetit dhe e varrosën te varri i Abnerit në Hebron.