Regjistrimi i popullsisë
1 Zemërimi i Zotit u ndez sërish kundër Izraelit. Ai e nxiti Davidin kundër izraelitëve e i tha: «Shko e numëro Izraelin dhe Judën». 2 Mbreti i tha Joabit, kreut të ushtrisë, që ishte me të: «Shko nëpër të gjitha fiset e Izraelit, nga Dani në Bershebë, dhe bëj regjistrimin e popullit, që të di numrin e popullsisë». 3 Joabi i tha mbretit: «Zoti, Perëndia yt, e shumoftë popullin njëqindfish dhe imzot mbreti e paftë me sytë e vet! Por, pse e do këtë gjë?». 4 Por fjala e mbretit ishte më e fortë se Joabi dhe krerët e ushtrisë, prandaj ata u larguan nga prania e mbretit dhe shkuan për të regjistruar popullin e Izraelit. 5 Ata kaluan Jordanin dhe fushuan në Aroer, në jug të qytetit që shtrihet në mes të vaut, dhe pastaj shkuan në Gad dhe në Jazer. 6 Mandej mbërritën në Gilead dhe në krahinën e Tahtim Hodshiut, shkuan në Dan Jaan dhe në rrethinat e Sidonit 7 dhe mbërritën në fortesën e Tirit dhe në të gjitha qytetet e hivitëve dhe të kananitëve. Mandej dolën për në Negev të Judës në Bershebë. 8 Pasi përshkuan mbarë vendin, u kthyen në Jerusalem pas nëntë muajsh e njëzet ditësh. 9 Joabi i dorëzoi mbretit numrin e shënuar dhe doli se shpatën mund ta përdornin gjithsej tetëqind mijë burra në Izrael dhe pesëqind mijë burra në Judë.
Ndëshkimi
10 Por Davidin filloi ta brejë ndërgjegjja për regjistrimin e popullsisë. Atëherë ai i tha Zotit: «Mëkatova shumë me këtë gjë që bëra. Por, po të përgjërohem, o Zot, liroje nga faji shërbëtorin tënd, sepse bëra marrëzi të madhe». 11 Kur Davidi u ngrit në mëngjes, fjala e Zotit iu drejtua profetit Gad, vegimtarit të Davidit e i tha: 12 «Shko dhe thuaji Davidit se kështu thotë Zoti: po të parashtroj tri gjëra. Zgjidh njërën dhe unë do ta bëj për ty». 13 Gadi erdhi te Davidi për t’i treguar e i tha: «A do që të bien mbi ty shtatë vjet zi buke, tre muaj arrati dhe përndjekje nga armiqtë e tu, apo tri ditë murtajë në vendin tënd? Tani vendose dhe shihe vetë çfarë duhet t’i përgjigjem atij që më dërgoi». 14 Davidi i tha Gadit: «Jam shumë ngushtë. Le të bie në dorën e Zotit, sepse mëshira e tij është e madhe, por mos u rënça në dorë njerëzve!».
15 Atëherë Zoti dërgoi murtajën në Izrael, nga mëngjesi deri në kohën e caktuar, dhe prej popullit ranë shtatëdhjetë mijë vetë, nga Dani në Bershebë. 16 Engjëlli shtriu dorën kundër Jerusalemit për ta shkatërruar, por Zoti hoqi dorë nga e keqja, prandaj i tha engjëllit shkatërrimtar: «Mjaft tani! Ndale dorën!». Atëherë engjëlli u ndal te lëmi i Aranjah Jebusitit. 17 Davidi, kur pa engjëllin që godiste popullin, i tha Zotit: «Ja, unë kam mëkatuar dhe jam fajtor, por këto dele çfarë kanë bërë? Le të më godasë dora jote mua dhe shtëpinë e tim eti».
Kushtimi i altarit
18 Atë ditë Gadi shkoi te Davidi e i tha: «Shko e ngriji Zotit një altar në lëmin e Aranjah Jebusitit». 19 Davidi shkoi, sipas fjalës që kishte thënë Gadi me urdhër të Zotit. 20 Aranjahu vështroi dhe pa mbretin dhe shërbëtorët e tij që po kalonin. Atëherë doli dhe u përkul para mbretit me fytyrë përdhe. 21 Aranjahu i pyeti: «Përse kanë ardhur imzot mbreti dhe shërbëtorët e tij?». Davidi i tha: «Për të blerë prej teje vendin e lëmit, për t’i ndërtuar Zotit një altar, që të largohet lëngata nga populli». 22 Aranjahu i tha Davidit: «Merre e le të bëjë imzot mbreti çfarë të dojë. Ja edhe mëzetërit për flitë e shkrumbimit, sharra dhe zgjedha e mëzetërve për drutë. 23 Të gjitha këto Aranjahu ia jep mbretit, o mbret!». Mandej Aranjahu i tha mbretit: «Zoti, Perëndia yt, të pranoftë!».
24 Por mbreti David i tha Aranjahut: «Jo, dua ta blej prej teje me çmim të plotë. Nuk do t’i kushtoj Zotit, Perëndisë tim, fli shkrumbimi falas». Kështu, Davidi e bleu lëmin. 25 Pastaj Davidi i ndërtoi Zotit një altar në atë vend dhe kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi. Zoti iu përgjigj përgjërimit për vendin dhe murtaja u largua prej Izraelit.