Pasardhësit e Saulit
1 Në kohën e Davidit ra një zi buke që zgjati tre vjet. Davidi kërkoi këshillë prej Zotit dhe Zoti i tha: «Kjo ndodh për shkak të Saulit dhe për shkak të shtëpisë së tij gjakatare, sepse ai vrau gibeonitët». 2 Davidi i thirri gibeonitët për të folur me ta. Gibeonitët nuk i përkisnin popullit të Izraelit, por ishin mbetja e amoritëve. Izraelitët u kishin dhënë besën, por Sauli kishte dashur t’i vriste, për shkak të zellit të madh për popullin e Izraelit dhe të Judës. 3 Davidi u tha gibeonitëve: «Çfarë mund të bëj për ju? Si mund t’ju shpaguaj, që ta bekoni trashëgiminë e Zotit?». 4 Ata i thanë: «Nuk duam as argjend e as ar prej Saulit dhe prej shtëpisë së tij dhe nuk duam të vritet askush në Izrael». Davidi u tha: «Do të bëj si të thoni». 5 Ata i thanë: «Prej atij që na ka vrarë dhe që ka dashur të na shfarosë nga mbarë trojeve të Izraelit, 6 të na jepen shtatë pasardhës, që t’i varim para Zotit në Gibeah, atje ku banonte Sauli, i zgjedhuri i Zotit». Mbreti u tha: «Do t’jua jap».
7 Mbreti e përdëlleu Mefiboshetin, birin e Jonatanit, të birit të Saulit, për shkak të betimit që Davidi dhe Jonatani, biri i Saulit, kishin bërë para Zotit me njëri-tjetrin. 8 Ai mori Armoniun dhe Mefiboshetin, dy bijtë që Ricpaja, bija e Ajahut, i kishte lindur Saulit, si edhe pesë bijtë që Mikala, bija e Saulit, i kishte lindur Adrielit, të birit të Barzila Meholatitit, 9 dhe ua dorëzoi gibeonitëve. Ata i varën në mal para Zotit. Kështu u vranë të shtatë në ditët e para të korrjes, në fillim të korrjes së elbit.
10 Ricpaja, bija e Ajahut, mori një thes dhe e vuri si shtrojë për vete, mbi shkëmb, që nga fillimi i korrjes e derisa ra shi prej qiellit mbi kufomat e tyre. Ajo nuk la t’i prekte asnjë shpend gjatë ditës dhe asnjë egërsirë gjatë natës. 11 Davidit i treguan se ç’kishte bërë Ricpaja, bija e Ajahut, shemra e Saulit. 12 Atëherë Davidi shkoi e mori prej banorëve të Jabesh Gileadit eshtrat e Saulit dhe eshtrat e Jonatanit, birit të tij, që ata i kishin vjedhur prej sheshit të Bet Sheanit, ku i kishin varur filistinët, ditën që kishin vrarë Saulin në Gilboa. 13 Ai i solli prej andej eshtrat e Saulit dhe eshtrat e Jonatanit, birit të tij, dhe i bashkoi me eshtrat e të varurve. 14 Eshtrat e Saulit dhe eshtrat e Jonatanit, birit të tij, i varrosën në tokën e Benjaminit, në Celë, në varrin e Kishit, të atit të Saulit. Ata vepruan siç i kishte urdhëruar mbreti. Atëherë Perëndia e dëgjoi përgjërimin për vendin.
Lufta me filistinët
15 Mes filistinëve dhe izraelitëve pati sërish luftë. Davidi dhe shërbëtorët e tij zbritën për të luftuar kundër filistinëve, por Davidi u lodh. 16 Ishbi Benobi, një prej pasardhësve të Rafahut, heshta e të cilit peshonte më shumë se tre kilogramë bronz dhe që kishte ngjeshur në brez një shpatë të re, thoshte se do ta vriste Davidin. 17 Por Davidit i erdhi në ndihmë Abishai, biri i Cerujahut. Ai e goditi filistinin dhe e vrau. Atëherë luftëtarët e Davidit u përbetuan e i thanë Abishait: «Ti s’ke për të dalë më me ne në luftë, që të mos shuhet pishtari i Izraelit».
18 Mandej u bë sërish luftë në Gob kundër filistinëve dhe atëherë Sibeka Hushatiti vrau Safin, njërin prej pasardhësve të Rafahut. 19 Në Gob u bë sërish luftë me filistinët dhe Elhanani, biri i Jare Oregimit, nga Betlehemi, vrau Goliat Gititin, që e kishte shtizën si shuli i vegjës së endësit. 20 Në Gat u bë sërish luftë. Aty ishte një njeri shtatlartë, me nga gjashtë gishta në secilën dorë e në secilën këmbë, pra, njëzet e katër gishtërinj. Edhe ai kishte lindur në Rafah. 21 Kur ai i përqeshi izraelitët, e vrau Jonatani, biri i Shimeahut, të vëllait të Davidit. 22 Këta kishin lindur të katërt në Rafah të Gatit dhe u vranë prej dorës së Davidit dhe shërbëtorëve të tij.