Kryengritja e Absalomit
1 Pas kësaj, Absalomi mori një karrocë me kuaj dhe vuri pesëdhjetë burra të vraponin para tij. 2 Ai ngrihej herët, qëndronte ndanë rrugës për te porta e qytetit, thërriste këdo që kishte ndonjë çështje gjyqësore e që shkonte për gjykim para mbretit dhe e pyeste: «Nga cili qytet je?». Ai i përgjigjej: «Shërbëtori yt është nga aksh fis i Izraelit». 3 Atëherë Absalomi i thoshte: «Ja, çështja jote është e ndershme dhe e drejtë, por nga ana e mbretit nuk ka kush të dëgjon». 4 E thoshte: «Po të më caktonin mua gjykatës të vendit, kushdo që të kishte ndonjë çështje gjyqësore, do të vinte tek unë dhe unë do ta gjykoja me drejtësi». 5 Kur i afrohej ndokush dhe përkulej para tij, ai shtrinte dorën, e ngrinte dhe e përqafonte. 6 Kështu vepronte Absalomi me të gjithë izraelitët që shkonin për gjykim te mbreti. Absalomi ua fitoi zemrat burrave të Izraelit.
7 Pas katër vjetësh, Absalomi i tha mbretit: «Të lutem, më lejo të shkoj në Hebron për të përmbushur një betim që i kam bërë Zotit. 8 Kur jetonte në Geshur të Aramit, shërbëtori yt u betua e tha se do t’i shërbente Zotit po ta kthente në Jerusalem». 9 Mbreti i tha: «Shko në paqe». Absalomi u ngrit e shkoi në Hebron. 10 Atëherë ai dërgoi fshehtas lajmëtarë në mbarë fiset e Izraelit e u tha: «Kur të dëgjoni tingullin e bririt, shpallni se Absalomi është bërë mbret në Hebron». 11 Bashkë me Absalomin u nisën prej Jerusalemit, pa të keq, edhe dyqind të ftuar. Ata nuk dinin gjë. 12 Absalomi dërgoi prej Gilohut Ahitofel Gilonitin, këshilltarin e Davidit, për të kushtuar flitë. Kryengritja sa vinte e forcohej dhe përkrahësit e Absalomit shtoheshin.
Davidi merr arratinë
13 Një lajmëtar erdhi te Davidi e i tha: «Burrat e Izraelit po shkojnë me gjithë zemër pas Absalomit». 14 Atëherë Davidi u tha të gjithë shërbëtorëve të tij, që ishin me të në Jerusalem: «Ngrihuni të ikim, që t’i shpëtojmë Absalomit. Le të nxitojmë, që të mos na vërsulet e të na kapë. Përndryshe do të na shfarosë dhe do ta kalojë qytetin në teh të shpatës». 15 Shërbëtorët i thanë mbretit: «Sido që të vendosë imzot, mbreti, shërbëtorët i ka gati». 16 Mbreti me mbarë shtëpinë e vet doli nga qyteti më këmbë. Për të ruajtur shtëpinë la dhjetë shemra. 17 Mbreti dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën më këmbë nga qyteti dhe u ndalën te shtëpia e fundit. 18 Të gjithë shërbëtorët marshuan në krah të tij. Të gjithë keretitët, peletitët dhe gititët, gjithsej gjashtëqind burra që ishin vënë në shërbim të tij që nga Gati, kaluan para mbretit.
19 Mbreti i tha Ita Gititit: «Përse vjen me ne? Kthehu në qytet dhe qëndro me mbretin e ri, sepse je tashmë i huaj e në mërgim, larg vendit tënd. 20 Dje erdhe dhe sot të duhet të endesh me ne, kur as unë vetë nuk di ku po shkoj. Kthehu e merr me vete edhe vëllezërit e tu dhe mirësia e besnikëria qofshin me ty!». 21 Itai iu përgjigj mbretit e i tha: «Pasha Zotin dhe pasha jetën e mbretit, zotërisë tim, kudo të jetë mbreti, zotëria im, gjallë a vdekur, atje do të jetë edhe shërbëtori yt». 22 Davidi i tha Itait: «Kalo atëherë». Ita Gititi kaloi bashkë me luftëtarët e tij dhe me të gjithë të vegjlit që ishin me të. 23 Mbarë vendi vajtonte me kujë, teksa luftëtarët kalonin para mbretit. Edhe vetë mbreti e kaloi përroin e Kidronit dhe mbarë populli u nis rrugës së shkretëtirës.
24 Kaloi edhe Cadoku bashkë me të gjithë levitët që mbanin arkën e besëlidhjes së Perëndisë. Ata e ulën arkën e Perëndisë dhe Abiatari kushtoi fli, derisa kaloi mbarë populli që doli prej qytetit. 25 Atëherë mbreti i tha Cadokut: «Ktheje arkën e Perëndisë në qytet. Nëse gjej hir në sytë e Zotit, ai do të më kthejë prapë që ta shoh arkën dhe banesën e saj. 26 E nëse thotë se nuk i pëlqej, ja ku jam, le të bëjë me mua si t’i duket më mirë atij». 27 Atëherë mbreti i tha priftit Cadok: «Shiko këtu! Ti kthehu në qytet në paqe bashkë me tët bir, Ahimacin, dhe me Jonatanin, birin e Abiatarit. 28 Unë do të endem nëpër vatën e shkretëtirës, derisa të më dërgoni lajm». 29 Cadoku dhe Abiatari e kthyen arkën e Perëndisë në Jerusalem dhe qëndruan atje.
30 Davidi iu ngjit përpjetës së malit të Ullinjve duke qarë, kokë mbuluar e këmbë zbathur. Edhe mbarë populli që e shoqëronte iu ngjit përpjetës kokë mbuluar dhe duke qarë. 31 Davidin e lajmëruan se Ahitofeli ishte mes atyre që ishin bashkuar me Absalomin. Atëherë Davidi tha: «O Zot, bëji të marra këshillat e Ahitofelit».
32 Kur arriti në majë, Davidi adhuroi Perëndinë. Atëherë ia behu Husha Arkiti me rroba të shqyera dhe me kokën të mbuluar me dhe. 33 Davidi i tha: «Nëse vjen me mua, do të më bëhesh barrë. 34 Por nëse kthehesh në qytet e i thua Absalomit: “Jam shërbëtori yt, o mbret. Në të shkuarën isha shërbëtor i tyt eti, por tani jam shërbëtori yt”, atëherë do të mund t’i kthesh këshillat e Ahitofelit në të mirën time. 35 Pranë do të kesh edhe priftërinjtë Cadok dhe Abiatar. Ç’të dëgjosh në shtëpinë e mbretit tregoja priftërinjve Cadok dhe Abiatar. 36 Me ta janë edhe dy bijtë e tyre, Ahimaci i Cadokut dhe Jonatani i Abiatarit. Dërgoni ata për të më njoftuar gjithçka që dëgjoni». 37 Hushai, miku i Davidit, u kthye në Jerusalem teksa Absalomi po hynte në qytet.