Përdhunimi i Tamarës
1 Absalomi, biri i Davidit, kishte një motër të bukur që quhej Tamara. Pas njëfarë kohe, Amnoni, biri i Davidit, ra në dashuri me Tamarën. 2 E mundonin aq shumë ndjenjat për Tamarën, saqë u sëmur. Tamara ishte e virgjër, prandaj Amnonit i dukej e pamundur t’i bënte gjë. 3 Amnoni kishte një shok që quhej Jonadab. Ai ishte biri i Shimeahut, të vëllait të Davidit. Jonadabi ishte shumë dinak. 4 Ai i tha Amnonit: «Pse po dobësohesh dita-ditës, o biri i mbretit? Përse nuk më tregon?». Amnoni iu përgjigj: «Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e Absalomit, vëllait tim». 5 Jehonadabi i tha: «Shtrihu në shtrat dhe hiqu si i sëmurë. Kur të vijë yt atë për të të parë, thuaji: “Le të vijë ime motër, Tamara, të më japë të ha. Ta përgatitë ushqimin para syve të mi, që ta shoh e të ha prej dorës së saj”».
6 Amnoni zuri shtratin dhe u hoq si i sëmurë. Kur erdhi mbreti për ta parë, Amnoni i tha: «Le të vijë ime motër, Tamara, të lutem, e të bëjë dy kuleç para syve të mi, që t’i ha nga dora e saj». 7 Davidi i çoi fjalë Tamarës në shtëpi e i tha: «Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnonit dhe bëji të hajë». 8 Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të vet, Amnonit, që ishte shtrirë në shtrat. Ajo mori miell, ngjeshi brumin, bëri kuleçtë para syve të tij dhe i poqi. 9 Pastaj mori tiganin dhe i zbrazi kuleçtë para tij, por Amnoni nuk donte të hante. Ai urdhëroi të dilnin jashtë të gjithë dhe ata dolën. 10 Amnoni i tha Tamarës: «Ma sill ushqimin në dhomë, që të ha nga dora jote». Tamara i mori kuleçtë që kishte gatuar dhe ia solli në dhomë Amnonit, të vëllait. 11 Kur i solli ushqimin, Amnoni e kapi e i tha: «Eja, shtrihu me mua, motra ime». 12 Tamara iu përgjigj: «Mos, o vëlla, mos më çndero. Kjo nuk bëhet në Izrael. Mos e bëj këtë poshtërsi. 13 Ku ta çoj unë turpin? Por edhe ti do të jesh njeri i poshtër në Izrael. Fol me mbretin dhe ai ka për të më dhënë te ti». 14 Por ai s’deshi ta dëgjonte. E kapi dhe ra në shtrat me të, sepse ishte më i fortë.
15 Atëherë e pushtoi një urrejtje e madhe për të dhe urrejtja që ndjeu ishte shumë më e madhe se dashuria që kishte ndier më parë. Prandaj Amnoni i tha: «Ngrihu e ik». 16 Ajo i tha: «Mos e bëj këtë të keqe më të madhe se ajo që bëre me mua e mos më dëbo». Por ai s’deshi ta dëgjonte. 17 Thirri një nga shërbëtorët, që i shërbente, e i tha: «Nxirre jashtë këtë grua dhe mbyll derën pas saj». 18 Tamara kishte veshur një rrobë të gjatë me mëngë, sepse kështu visheshin bijat virgjëresha të mbretit. Shërbëtori e nxori jashtë Tamarën dhe mbylli derën pas saj. 19 Atëherë Tamara mori hi dhe e hodhi mbi kokë, shqeu mëngët, vuri duart në kokë dhe iku duke bërtitur.
20 Absalomi, i vëllai, e pyeti: «A mos ra në shtrat me ty Amnoni, yt vëlla? Tani për tani, hesht, o motra ime, dhe mos të të shqetësohet zemra për këtë punë». Tamara ndenji e pikëlluar në shtëpinë e Absalomit, vëllait të saj. 21 Kur i mori vesh këto ngjarje, mbreti David u zemërua shumë. 22 Absalomi nuk i tha asnjë fjalë Amnonit, as për mirë, as për keq, por e urrente, sepse i kishte çnderuar të motrën, Tamarën.
Absalomi vret Amnonin
23 Dy vjet më vonë, kur i kishte qethësit e deleve në Baal Hacor, pranë Efraimit, Absalomi ftoi të gjithë bijtë e mbretit. 24 Ai shkoi te mbreti e i tha: «Qethësit e deleve kanë ardhur te shërbëtori yt. I lutem edhe mbretit të urdhërojë në shtëpinë e shërbëtorit të tij, bashkë me shërbëtorët e vet». 25 Mbreti iu përgjigj Absalomit: «Jo, biri im, mos na detyro të gjithëve të vijmë e të të bëhemi barrë». Absalomi nguli këmbë, por mbreti nuk deshi të shkonte, megjithatë e bekoi. 26 Absalomi i tha: «Nëse jo, atëherë le të vijë me ne Amnoni, vëllai im». Mbreti e pyeti: «Përse të vijë me ty?». 27 Absalomi iu përgjërua, prandaj mbreti i la të shkonin Amnonin dhe të gjithë bijtë e mbretit. 28 Atëherë Absalomi u dha këtë urdhër shërbëtorëve të tij: «Kur ta shihni Amnonin të dehur me verë e unë t’ju jap urdhrin për ta goditur, vriteni e mos kini frikë, sepse urdhrin jua kam dhënë unë. Jini të fortë e bëhuni trima». 29 Shërbëtorët e Absalomit vepruan me Amnonin siç i kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë të gjithë bijtë e mbretit u hipën mushkave dhe ikën.
30 Teksa ishin ende udhës, Davidit i erdhi ky lajm: «Absalomi i vrau të gjithë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjë prej tyre». 31 Atëherë mbreti u ngrit, shqeu rrobat dhe u shtri përtokë. Edhe të gjithë shërbëtorët që e rrethonin i shqyen rrobat. 32 Jonadabi, biri i Shimeahut, të vëllait të Davidit, tha: «Të mos mendojë imzot se janë vrarë të gjithë bijtë e rinj të mbretit. Është vrarë vetëm Amnoni. Absalomi e kishte vendosur ta vriste që ditën kur Amnoni çnderoi Tamarën, motrën e tij. 33 Prandaj, imzot të mos e marrë përnjëmend lajmin se janë vrarë të gjithë bijtë e mbretit, sepse ka vdekur vetëm Amnoni».
34 Absalomi mori arratinë. Ndërkohë, djaloshi që bënte roje ngriti sytë dhe pa se po vinte një turmë e madhe njerëzish nga rruga mbrapa tij, anës malit. 35 Atëherë Jonadabi i tha mbretit: «Ja, po vijnë bijtë e mbretit. Ka ndodhur siç tha shërbëtori yt». 36 Sa mbaroi fjalën, ia behën bijtë e mbretit. Ata vajtonin me të madhe. Edhe mbreti me shërbëtorët e tij vunë kujën dhe vajtuan.
37 Absalomi iku dhe shkoi te Talmai, biri i Amihudit, mbreti i Geshurit. Davidi e vajtonte të birin çdo ditë. 38 Kështu, Absalomi iku në Geshur dhe qëndroi atje tre vjet. 39 Kur iu lehtësua dhimbja për vdekjen e Amnonit, mbreti David deshi të shkonte e ta takonte Absalomin.