Natani dhe Davidi
1 Zoti dërgoi Natanin te Davidi. Ai shkoi te Davidi e i tha: «Na ishin njëherë dy veta që jetonin në një qytet. Njëri ishte i pasur e tjetri i varfër. 2 I pasuri kishte shumë dhen e qe, 3 ndërsa i varfri s’kishte asgjë, përveç një qengji të vogël që e kishte blerë. E ushqeu dhe e rriti bashkë me fëmijët e vet. I jepte të hante prej bukës së vet e të pinte prej gotës së vet. E mbante në krah dhe e kishte si fëmijë. 4 Një herë, te pasaniku erdhi një shtegtar. Ai nuk i shtroi të hante as delen e as lopën e vet, por mori qengjin e të varfrit dhe e gatoi për bujtësin».
5 Davidi u zemërua fort e i tha Natanit: «Pasha Zotin, ky njeri duhet vrarë për këtë që bëri! 6 Për çfarë bëri dhe meqë u tregua i pashpirt, katërfish do ta paguajë qengjin».
7 Natani i tha Davidit: «Ky njeri je ti! Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: unë të vajosa mbret mbi Izraelin, të shpëtova nga dora e Saulit, 8 të dhashë shtëpinë dhe gratë e zotërisë tënd, të dhashë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës. Po të mos mjaftonin këto do të të kisha dhënë edhe më shumë. 9 Pse e përçmove fjalën e Zotit dhe bërë keq në sytë e tij? E godite me shpatë Urjah Hititin dhe të shoqen ia more për grua. Ti e vrave me shpatën e amonitëve. 10 Prandaj kurrë nuk do të hiqet shpata prej shtëpisë sate, se më përçmove dhe more për grua gruan e Urjah Hititit. 11 Kështu thotë Zoti: ja, do të të zërë e keqja e shtëpisë sate. Do të t’i marr gratë para syve, do t’ia jap të afërtit tënd e ai do të shkojë me to ditën për diell. 12 Ti veprove fshehurazi, ndërsa unë do ta bëj të gjithë këtë ditën për diell e para gjithë Izraelit». 13 Atëherë Davidi i tha Natanit: «Kam mëkatuar kundër Zotit». Natani i tha Davidit: «Zoti ta ka falur mëkatin, prandaj nuk do të vdesësh, 14 por ngaqë me këtë i nxite armiqtë e Zotit, djali që ka për të lindur do të vdesë». 15 Pastaj Natani u kthye në shtëpinë e vet. Zoti e goditi djalin, që gruaja e Urjahut i lindi Davidit, dhe ai u sëmur.
Vdekja e djalit
16 Davidi iu përgjërua Perëndisë për djalin. Agjëroi dhe netët i kaloi shtrirë përdhe. 17 Pleqtë e shtëpisë i qëndronin pranë dhe i kërkonin të ngrihej nga toka, por ai nuk pranoi dhe nuk hëngri me ta. 18 Pas shtatë ditësh fëmija vdiq. Shërbëtorët e Davidit kishin frikë t’i tregonin se fëmija kishte vdekur dhe thoshin: «Kur fëmija ishte ende gjallë, i folëm e nuk na dëgjoi. Si t’i themi që fëmija ka vdekur? Ai do të bëjë edhe më keq». 19 Davidi pa që shërbëtorët po pëshpëritnin me njëri-tjetrin dhe e kuptoi që fëmija kishte vdekur. Atëherë u tha shërbëtorëve: «A vdiq fëmija?». Ata i thanë: «Vdiq!».
20 Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u lye me vaj dhe ndërroi petkat. Shkoi në shtëpinë e Zotit dhe u përkul me nderim. U kthye në shtëpi, kërkoi t’i shtronin për të ngrënë dhe hëngri. 21 Shërbëtorët e pyetën: «Pse vepron kështu? Kur fëmija ishte ende gjallë, agjërove e vajtove. Tani që ka vdekur, ngrihesh e ha?». 22 Ai u tha: «Për aq kohë sa ishte gjallë agjërova e vajtova se thashë: “Kush e di! Ndoshta Zoti do të ketë mëshirë për mua dhe do ta lërë djalin të jetojë”. 23 Por tani që ka vdekur, përse të agjëroj? A mund ta kthej mbrapsht? Unë do të shkoj tek ai, e jo ai tek unë».
24 Davidi e ngushëlloi Batshebën, gruan e vet. Fjeti me të dhe ajo i lindi një djalë që e quajti Solomon. Zoti e deshi 25 dhe dërgoi fjalë përmes profetit Natan, që ta quanin Jedidjah, për hir të Zotit.
Pushtimi i Rabahut
26 Ndërkohë Joabi sulmoi Rabahun e amonitëve dhe pushtoi qytetin mbretëror. 27 Atëherë Joabi i dërgoi lajmëtarë Davidit e i tha: «Sulmova Rabahun dhe pushtova qytetin e ujërave. 28 Mblidh popullin që ka mbetur dhe eja e sulmo qytetin, që ta pushtosh, përndryshe do ta pushtoj unë dhe do t’i vë emrin tim». 29 Davidi mblodhi mbarë popullin dhe shkoi në Rabah. E sulmoi dhe e pushtoi. 30 Ia hoqi kurorën nga koka mbretit të tyre. Ajo peshonte më shumë se tridhjetë kilogramë ar dhe kishte një gur të çmuar. Kurorën ia vunë në kokë Davidit. Ai mori nga ai qytet plaçkë shumë të madhe. 31 Popullin që banonte aty e dëboi dhe e vuri të punonte me sharra, kazma e sëpata hekuri, që të bënte tulla. Davidi veproi njësoj me të gjitha qytetet e amonitëve. Pastaj u kthye në Jerusalem me mbarë popullin.