Kthimi i shunamites
1 Eliseu i kishte thënë gruas që i kishte ngjallur djalin: «Ngrihu e ik me gjithë familjen tënde dhe shkoni për të banuar në ndonjë vend të huaj, sepse Zoti do të dërgojë në këtë vend urinë, e cila do të zgjatë shtatë vjet». 2 Gruaja ishte ngritur, siç i kishte thënë njeriu i Perëndisë, dhe ishte larguar bashkë me familjen e saj e kishte banuar në vendin e filistinëve për shtatë vjet. 3 Pas shtatë vjetësh, ajo u kthye nga vendi i filistinëve dhe shkoi t’i kërkojë mbretit, që t’i kthehej shtëpia dhe ara. 4 Mbreti po bisedonte me Gehazin, shërbëtorin e njeriut të Perëndisë, të cilin e kishte pyetur: «Më trego, të lutem, të gjitha bëmat e mëdha të Eliseut». 5 Gehazi po i tregonte mbretit sesi Eliseu kishte ngjallur një të vdekur, kur ia behu gruaja, së cilës Eliseu i kishte ngjallur djalin, për t’i kërkuar mbretit që t’i kthehej shtëpia dhe ara. Atëherë Gehazi tha: «Imzot mbret, kjo është gruaja dhe ky është djali i saj, të cilin Eliseu e ngjalli!». 6 Mbreti e pyeti gruan dhe ajo i tregoi ngjarjen. Atëherë mbreti urdhëroi njërin nga zyrtarët e tij e i tha: «Kthejini asaj të gjithë pronat dhe të gjitha të ardhurat e arës së saj, që nga dita kur ajo u largua nga vendi e deri tani».
Hazaeli, mbret i Aramit
7 Eliseu shkoi në Damask. Ben Hadadi, mbreti i Aramit, ishte sëmurur. E lajmëruan e i thanë se kishte mbërritur njeriu i Perëndisë. 8 Atëherë mbreti i tha Hazaelit: «Merr një dhuratë e shko të takosh njeriun e Perëndisë. Kërkoji që të pyesë Zotin, nëse do të shërohem nga kjo sëmundje». 9 Kështu, Hazaeli shkoi për t’u takuar me Eliseun dhe mori me vete, si dhuratë për të, dyzet deve të ngarkuara me tërë të mirat e Damaskut. Kur mbërriti, qëndroi para tij e i tha: «Shërbëtori yt, Ben Hadadi, mbreti i Aramit, më ka dërguar të të pyes nëse do të shërohet nga sëmundja që ka». 10 Eliseu i tha: «Shko e thuaji: “Do të shërohesh”. Por Zoti më ka treguar, se në të vërtetë ka për të vdekur». 11 Papritur njeriu i Perëndisë mbeti si i ngrirë dhe fytyra iu skuq. Pastaj filloi të qante. 12 Hazaeli e pyeti: «Përse po qan, imzot?». Eliseu iu përgjigj: «Sepse e di sa të këqija do t’u bësh izraelitëve. Do t’u vësh zjarrin fortesave të tyre, djemtë e tyre të rinj do t’i kalosh në teh të shpatës, foshnjat do t’ua bësh copë e çikë dhe grave të tyre shtatzëna do t’u çash barkun». 13 Hazaeli i tha: «E kush na qenka shërbëtori yt, një qen, që të bëjë gjëra kaq të mëdha?». Eliseu iu përgjigj: «Zoti më tregoi se ti do të bëhesh mbreti i Aramit». 14 Mandej Hazaeli u largua prej Eliseut e u kthye te zotëria tij. Ai e pyeti: «Çfarë të tha Eliseu?». Hazaeli iu përgjigj: «Më tha se ke për t’u shëruar». 15 Të nesërmen Hazaeli mori një mbulesë, e zhyti në ujë dhe e vuri mbi fytyrën e mbretit. Mbreti vdiq. Në vend të tij mbretëroi Hazaeli.
Mbretërimi i Jehoramit në Judë
16 Në vitin e pestë të mbretërimit të Joramit, birit të Ahabit, në Izrael, në Judë u bë mbret Jehorami, biri i Joshafatit, mbretit të Judës. 17 Jehorami ishte tridhjetë e dy vjeç kur u bë mbret dhe sundoi për tetë vjet në Jerusalem. 18 Ai u soll si mbretërit e Izraelit dhe ndoqi shembullin e shtëpisë së Ahabit, sepse ishte martuar me bijën e Ahabit. Jehorami bëri çka është keq në sytë e Zotit. 19 Megjithatë Zoti nuk donte ta shkatërronte Judën, për shkak të premtimit, që i kishte bërë Davidit, shërbëtorit të tij, se pasardhësit e tij do të mbretëronin përherë si një pishtar i ndezur.
20 Gjatë mbretërimit të Jehoramit, Edomi ngriti krye kundër sundimit të Judës dhe shpalli mbretin e vet. 21 Atëherë Jehorami kaloi kufirin në Cair, bashkë me të gjitha qerret e luftës. Edomitët e rrethuan Jehoramin me gjithë prijësit e qerreve të luftës. Atëherë ai u ngrit natën e i sulmoi. Kështu, luftëtarët e Judës ia dolën t’ia mbathnin për në shtëpi. 22 Edomi nuk i është nënshtruar më sundimit të mbretërisë së Judës edhe sot e kësaj dite. Në të njëjtën kohë ngriti krye edhe Libnahu. 23 Bëmat e tjera të Jehoramit dhe gjithçka bëri, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. 24 Jehorami u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit. Pas tij u bë mbret Ahazjahu, i biri.
Mbretërimi i Ahazjahut në Judë
25 Në vitin e dymbëdhjetë të mbretërimit të Joramit, të birit të Ahabit, në Izrael, Ahazjahu, biri i Jehoramit, u bë mbreti i Judës. 26 Ahazjahu ishte njëzet e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për një vit në Jerusalem. E ëma quhej Atalia dhe ishte bija e Omriut, mbretit të Izraelit. 27 Ahazjahu u soll si shtëpia e Ahabit dhe bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu si shtëpia e Ahabit, sepse ishte dhëndër i asaj shtëpie.
28 Ai u bashkua me Joramin, të birin e Ahabit, për të luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Aramit, në Ramot të Gileadit. Arameasit e plagosën Joramin. 29 Mbreti Joram u kthye në Izrel për t’u shëruar nga plagët, që i shkaktuan arameasit në Ramah gjatë betejës kundër Hazaelit, mbretit të Aramit. Ahazjahu, biri i Jehoramit, mbreti i Judës, shkoi në Izrel për ta takuar Joramin, birin e Ahabit, që dergjej i sëmurë.