2 Mbretërve 17

Fundi i mbretërisë së Izraelit

Në vitin e dymbëdhjetë të mbretërimit të Ahazit në Judë, Hosea, biri i Elahut, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi për nëntë vjet në Samari. Hosea bëri çka është keq në sytë e Zotit, por jo si mbretërit e tjerë të Izraelit që kishin mbretëruar para tij. Shalmaneseri, mbreti i Asirisë, e sulmoi Hosenë, i cili iu nënshtrua e i paguante tagra. Por mbreti i Asirisë zbuloi se Hosea e kishte tradhtuar, sepse kishte dërguar lajmëtarë te mbreti i Egjiptit në Soe dhe nuk ia kishte paguar tagrin e përvitshëm mbretit të Asirisë. Atëherë mbreti i Asirisë e kapi Hosenë dhe e futi në burg. Ai pushtoi mbarë vendin, sulmoi Samarinë dhe e mbajti të rrethuar për tre vjet. Në vitin e nëntë të mbretërimit të Hosesë, mbreti i Asirisë e pushtoi Samarinë, banorët e Izraelit i çoi në mërgim në Asiri dhe i vuri të banojnë në Halah, në krahinën e Gozanit pranë lumit Habor dhe në qytetet e Medës.

Robërimi i Izraelit

Kjo ndodhi ngaqë izraelitët kishin mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë së tyre, që i kishte nxjerrë nga toka e Egjiptit dhe nga zgjedha e faraonit, mbretit të Egjiptit, por ata kishin nderuar perëndi të tjerë. Izraelitët kishin ndjekur doket e kombeve, që Zoti kishte dëbuar para syve të tyre, dhe doket që kishin futur mbretërit e Izraelit. Me veprat e tyre të padrejta, izraelitët bënë gjëra të pështira kundër Zotit, Perëndisë së tyre, dhe ndërtuan faltore nëpër vende të larta në të gjitha qytetet e tyre, që nga kullat e vrojtimit e deri te qytetet e fortifikuara. 10 Ata ngritën përmendore të shenjta dhe shtylla të Asherasë në çdo kodër të lartë dhe nën çdo pemë të harlisur. 11 Ata kushtuan temjan nëpër faltoret në vende të larta, ashtu si kombet që Zoti kishte dëbuar para tyre, dhe bënë ligësi që ndezën zemërimin e Zotit12 Ata u shërbyen idhujve, për të cilët Zoti u kishte urdhëruar të mos e bënin. 13 Zoti e kishte paralajmëruar Izraelin dhe Judën përmes profetëve dhe vegimtarëve e u kishte thënë: «Kthehuni nga udha juaj e ligë e mbajini urdhërimet, rregullat dhe mbarë ligjet që u kam urdhëruar paraardhësve tuaj e që ju kam urdhëruar edhe juve përmes profetëve, shërbëtorëve të mi».

14 Por izraelitët nuk dëgjuan e u bënë kokëfortë, ashtu si paraardhësit e tyre, që nuk besuan te Zoti, Perëndia i tyre. 15 Ata i përbuzën rregullat dhe besëlidhjen që Zoti kishte bërë me paraardhësit e tyre, si dhe paralajmërimet që u kishte dhënë përmes dëshmive. U dhanë pas idhujve të kotë e u bënë vetë kotësi, si dhe pas kombeve që i rrethonin, për të cilët Zoti i kishte urdhëruar të mos silleshin si ata. 16 Izraelitët i braktisën të gjitha urdhërimet e Zotit, Perëndisë së tyre, dhe bënë dy idhuj demash prej metali dhe një shtyllë të Asherasë. Adhuruan mbarë ushtrinë qiellore dhe i shërbyen Baalit. 17 Kushtuan bijtë e bijat e tyre në zjarr, u morën me shortari e me magji dhe ia shitën shpirtin të keqes kundër Zotit, duke ndezur kështu zemërimin e tij. 18 Zoti u zemërua shumë me Izraelin, prandaj e dëboi larg pranisë së tij. Mbeti vetëm fisi i Judës.

19 As judenjtë nuk i mbajtën urdhërimet e Zotit, Perëndisë së tyre, por ecën sipas dokeve të Izraelit. 20 Kështu, Zoti e hodhi poshtë mbarë farën e Izraelit, i poshtëroi dhe i dha në duart e kusarëve, derisa i dëboi nga prania e tij.

21 Izraeli u shkëput nga shtëpia e Davidit dhe bëri mbret Jeroboamin, birin e Nebatit, i cili e largoi Izraelin nga Zoti dhe e shtyu të mëkatojë rëndë. 22 Që nga ajo kohë izraelitët u dhanë pas të gjitha mëkateve të Jeroboamit e nuk u shmangën prej tyre, 23 derisa Zoti i dëboi nga prania e tij, ashtu siç kishte thënë përmes profetëve, shërbëtorëve të tij. Kështu, izraelitët u dëbuan nga toka e tyre dhe janë në mërgim në Asiri edhe sot e kësaj dite.

Prejardhja e samaritanëve

24 Mbreti i Asirisë solli popullsi nga Babilonia, nga Kuta, nga Avahu, nga Hamati e nga Sefarvaimi dhe i vendosi në qytetet e Samarisë, në vend të izraelitëve. Këta popuj e bënë Samarinë pronë të tyre dhe banuan në qytetet e saj. 25 Në fillim ata nuk e druanin Zotin dhe Zoti u dërgoi luanë, që t’i shqyenin. 26 I dërguan lajm mbretit të Asirisë e i thanë: «Kombet që dërgove në mërgim për të banuar në qytetet e Samarisë, nuk i njohin ligjet e Perëndisë së asaj toke, prandaj ai u ka dërguar luanë, që po i shqyejnë për shkak se ata nuk i dinë ato ligje». 27 Atëherë mbreti i Asirisë urdhëroi të çonin në Samari njërin nga priftërinjtë që kishin shpërngulur, që ai të shkonte, të banonte atje e t’u mësonte ligjet e Perëndisë së asaj toke. 28 Kështu, njëri nga priftërinjtë që kishin shpërngulur nga Samaria, u kthye e u vendos në Betel. Ai u mësoi si të druanin Zotin.

29 Megjithatë, çdo popull bëri perëndinë e vet. Idhujt i vendosën nëpër tempujt apo nëpër faltoret në vende të larta, që kishin ndërtuar samaritanët. Kështu bëri çdo popull në qytetin ku banonte. 30 Babilonasit punuan idhullin e Sukot Benotit, kutitët bënë idhullin e Nergalit, hamatitët bënë Ashimanë, 31 avitët bënë Nibhazin, tartakitët dhe sefarvitët u kushtonin fëmijët në zjarr Adramelekut dhe Anamelekut, perëndive të Sefarvaimit. 32 Ata druanin edhe Zotin, prandaj caktuan njerëz të tyre si priftërinj për faltoret në vende të larta, që të kushtonin fli për ta nëpër tempujt që ndodheshin atje. 33 Ndërkohë që druanin Zotin, ata u shërbenin edhe perëndive të tyre, sipas zakoneve të vendeve nga kishin ardhur në mërgim.

34 Ata ndjekin doket e mëparshme edhe sot e kësaj dite dhe nuk e druajnë Zotin. Ata nuk veprojnë sipas rregullave, vendimeve, ligjit e urdhërimeve që Zoti u urdhëroi pasardhësve të Jakobit, të cilin e quajti Izrael. 35 Zoti kishte bërë një besëlidhje me ta dhe u kishte dhënë këtë urdhër: «Mos druani perëndi të tjerë, mos u përkulni para tyre, mos u shërbeni e mos u kushtoni flijime. 36 Druani Zotin, që ju nxori nga toka e Egjiptit me forcën dhe me fuqinë e krahut të tij. Atë druani, para tij përkuluni dhe atij kushtojini flijime. 37 Mbajini çdo ditë rregullat, vendimet, ligjin dhe urdhërimet që ai shkroi për ju. Mos druani perëndi të tjerë! 38 Mos harroni besëlidhjen që bëra me ju dhe mos druani perëndi të tjerë! 39 Druani Zotin, Perëndinë tuaj, e ai do t’ju shpëtojë nga zgjedha e armiqve». 40 Por ata nuk e dëgjuan dhe vazhduan të veprojnë sipas zakoneve të mëparshme.

41 Kështu, këta popuj e druanin Zotin, por u shërbenin edhe idhujve të tyre. Edhe sot e kësaj dite, bijtë dhe bijtë e bijve të tyre veprojnë siç vepruan etërit e tyre.


 e17.4 ose: mbreti So