Mbretërimi i Jehoahazit në Izrael
1 Në vitin e njëzetetretë të mbretërimit të Joashit, birit të Ahazjahut, në Judë, Jehoahazi, biri i Jehut, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet në Samari. 2 Jehoahazi bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk hoqi dorë së bëri të njëjtat mëkate si Jeroboami, biri i Nebatit, i cili shtyu edhe Izraelin në mëkat. 3 Kështu, zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe Zoti i dorëzoi për shumë kohë te Hazaeli, mbreti i Aramit, dhe te Hadadi, biri i Hazaelit. 4 Por Jehoahazi iu përgjërua Zotit dhe Zoti e dëgjoi, sepse e pa sesi mbreti i Aramit e shtypte Izraelin. 5 Kështu, Zoti i dërgoi Izraelit një çlirimtar. Populli i Izraelit shpëtoi nga zgjedha e Aramit dhe izraelitët banuan nëpër tendat e tyre si më parë. 6 E megjithatë ata nuk u larguan nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit, i cili shtyu Izraelin në mëkat, por vazhduan të mëkatojnë. Edhe shtylla e Asherasë mbeti e paprekur në Samari. 7 Jehoahazit nuk i kishin mbetur veçse pesëdhjetë kalorës, dhjetë karroca lufte dhe dhjetë mijë luftëtarë këmbësorie, sepse të tjerët i kishte vrarë mbreti i Aramit e i kishte shtypur si pluhurin nën këmbë. 8 Bëmat e tjera të Jehoahazit, të gjitha veprat dhe trimëritë e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 9 Jehoahazi u preh me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Joashi.
Mbretërimi i Joashit në Izrael
10 Në vitin e tridhjetë e shtatë të mbretërimit të Joashit në Judë, Jehoashi, biri i Jehoahazit, u bë mbret i Izraelit. Ai sundoi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Samari. 11 Joashi bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk u shmang nga asnjë prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat, por vazhdoi të mëkatonte. 12 Bëmat e tjera të Joashit, veprat, trimëritë dhe luftrat që bëri me Amacjahun, mbretin e Judës, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 13 Joashi u preh me etërit e tij dhe në fronin e tij u ul Jeroboami. Joashin e varrosën në Samari, bashkë me mbretërit e Izraelit.
Vdekja e Eliseut
14 Kur Eliseun e kapi sëmundja, prej së cilës edhe vdiq, shkoi për ta parë Joashi, mbreti i Izraelit. Ai qau para Eliseut e tha: «Ati im, o ati im, karroca dhe kalorësia e Izraelit!». 15 Eliseu i tha: «Merr harkun dhe shigjetat». Mbreti i mori. 16 Eliseu i tha: «Ndehe harkun!». Mbreti vuri duart mbi hark dhe Eliseu i vuri duart mbi duart e mbretit. 17 Pastaj Eliseu i tha: «Hap dritaren nga lindja». Mbreti e hapi. Eliseu i tha: «Gjuaj!». Mbreti gjuajti dhe Eliseu tha: «Shigjeta e ngadhënjimit të Zotit! Shigjetë ngadhënjimi kundër Aramit! Do ta mposhtësh Aramin në Afek deri në shfarosje». 18 Mandej i tha: «Merri shigjetat». Mbreti i Izraelit i mori dhe Eliseu i tha: «Rrihe tokën me shigjetat». Mbreti e rrahu tokën tri herë e pastaj u ndal. 19 Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të e i tha: «Duhet ta kishe rrahur pesë a gjashtë herë tokën, sepse atëherë do ta mposhtje Aramin deri në shfarosje, por tani do ta mposhtësh vetëm tri herë».
20 Eliseu vdiq dhe e varrosën. Çdo fillim viti vinin kusarë nga Moabi për të plaçkitur. 21 Një ditë, disa po varrosnin një të vdekur, kur ia behën kusarët. Atëherë ata e hodhën kufomën në varrin e Eliseut dhe ikën. Kur i vdekuri preku eshtrat e Eliseut, u ngjall dhe u ngrit më këmbë.
22 Hazaeli, mbreti i Aramit, e mbajti të shtypur Izraelin gjatë gjithë sundimit të Jehoahazit. 23 Por Zoti pati mëshirë e i erdhi keq për ta, prandaj u kthye tek ata për hir të besëlidhjes që kishte bërë me Abrahamin, Isakun e Jakobin, dhe nuk deshi t’i shkatërronte e as t’i dëbonte larg pranisë së tij.
24 Hazaeli, mbreti i Aramit, vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Ben Hadadi, i biri. 25 Jehoashi, biri i Jehoahazit, ia mori përsëri Ben Hadadit qytetet, që ai i kishte marrë Jehoahazit, atit të vet. Jehoashi e mposhti tri herë Ben Hadadin dhe ia ktheu sërish qytetet Izraelit.