Veprat e tjera të Solomonit
1 Solomonit iu deshën njëzet vjet për të ndërtuar tempullin e Zotit dhe pallatin e vet mbretëror. 2 Ai rindërtoi edhe qytetet që i kishte dhënë Hirami dhe në to vuri të banojnë izraelitë.
3 Më pas Solomoni sulmoi Hamat Cobahun dhe e pushtoi. 4 Ai ndërtoi Tadmorin në shkretëtirë dhe të gjitha qytetet, ku grumbulloheshin tëmotjet, në krahinën e Hamatit. 5 Solomoni rindërtoi Bet Horonin e sipërm dhe Bet Horonin e poshtëm dhe i bëri qytete të fortifikuara, të rrethuara me mure, me porta e me shula. 6 Ai rindërtoi edhe Baalatin si edhe të gjitha qytetet, ku grumbullonte tëmotjet, të gjitha qytetet për qerret e luftës dhe qytetet për kalorësinë. Ai përfundoi edhe gjithçka që dëshironte të ndërtonte në Jerusalem, në Liban dhe në të gjitha krahinat e mbretërisë së tij. 7 Të gjithë ata që kishin mbetur prej hititëve, amoritëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve e që nuk i përkisnin popullit të Izraelit, 8 si dhe paraardhësit e tyre, që kishin mbetur ende në vend, ngaqë izraelitët nuk ia kishin dalë që t’i shfarosnin, Solomoni i vuri të bënin punë të detyruar si edhe sot e kësaj dite. 9 Solomoni nuk bëri skllevër pune asnjë nga izraelitët, por i caktoi luftëtarë, prijës, krerë, komandantë dhe drejtues të qerreve dhe të kalorësisë së tij. 10 Krerët e atyre që mbikëqyrnin punët e Solomonit ishin dyqind e pesëdhjetë. Ata ishin përgjegjës për popullin.
11 Solomoni e largoi bijën e faraonit nga qyteti i Davidit dhe e çoi për të banuar në pallatin e ndërtuar për të, sepse tha: «Gruaja ime nuk do të banojë në pallatin mbretëror të Davidit, mbretit të Izraelit, sepse vendi ku ka ardhur arka e Zotit është i shenjtë».
12 Atëherë Solomoni i kushtoi fli shkrumbimi Zotit mbi altarin e Zotit që kishte ndërtuar para portikut. 13 Solomoni kushtonte flijime ditën e shtunë, kur kishte hënë të re dhe për tri të kremtet e mëdha të vitit, pra, të kremten e të ndormëve, të kremten e javëve dhe të kremten e kasolleve, sipas rregullave që kishte caktuar Moisiu për çdo ditë të caktuar. 14 Sipas vendimeve të Davidit, atit të tij, Solomoni i ndau priftërinjtë në rangje sipas shërbesës që kryenin. Të njëjtën gjë bëri edhe me levitët, të cilët këndonin himne dhe shërbenin pranë priftërinjve për çdo ditë të caktuar. Në fund ndau edhe portarët e tempullit në rangje sipas portave, siç kishte urdhëruar Davidi, njeriu i Perëndisë. 15 Nuk iu shmangën aspak rregullave të caktuara nga mbreti për priftërinjtë e për levitët dhe as për mbajtjen e thesarit.
16 Kështu u zbatuan të gjitha planet e Solomonit, që nga dita e hedhjes së themeleve të tempullit të Zotit e deri në ditën e përfundimit të tij.
17 Solomoni shkoi në Ecjon Geber dhe në Ejlat, që ndodhen në brigjet e detit, në tokën e Edomit. 18 Hirami i dërgoi Solomonit disa nga shërbëtorët e tij detarë që e njihnin mirë detin. Ata shkuan bashkë me shërbëtorët e Solomonit në Ofir dhe prej andej i sollën mbretit Solomon dymbëdhjetë tonë ar.