Sulmi i Sankeribit
1 Pas këtyre ngjarjeve plot besnikëri, erdhi Sankeribi, mbreti i Asirisë, për të sulmuar Judën dhe rrethoi qytetet e fortifikuara për t’i pushtuar. 2 Kur Ezekia pa se Sankeribi kishte ardhur me qëllim që të sulmonte Jerusalemin, 3 vendosi me prijësit dhe me luftëtarët e tij të mbyllte grykat e burimeve të ujit që ishin jashtë qytetit dhe ata e përkrahën. 4 U mblodhën shumë njerëz e shkuan për të mbyllur burimet dhe përroin, që rridhte mes përmes vendit, sepse menduan: «Pse të vijnë mbretërit e Asirisë e të gjejnë ujë me shumicë?». 5 Atëherë mbreti mori zemër dhe rindërtoi të gjitha pjesët e rrënuara të murit të qytetit. Ngriti kulla mbi të dhe ndërtoi një mur tjetër jashtë tij. Ai fortifikoi edhe Milonë në qytetin e Davidit dhe prodhoi shumë armë e shqyte. 6 Caktoi edhe disa prijës ushtarakë për të udhëhequr popullin. Pastaj i mblodhi pranë vetes në sheshin e portave të qytetit për t’u dhënë zemër e u tha: 7 «Bëhuni trima e kini guxim! Mos kini frikë e mos u tmerroni nga mbreti i Asirisë dhe nga ushtria e tij e madhe, sepse ne kemi një fuqi më të madhe se ai. 8 Ai ka një ushtri njerëzish prej mishi, ndërsa ne kemi Zotin, Perëndinë tonë, që na ndihmon e lufton për ne. Fjalët e Ezekisë, mbretit të Judës, i dhanë forcë popullit».
9 Pas këtyre ndodhive, Sankeribi, mbreti i Asirisë, ndërsa mbante të rrethuar Lakishin me gjithë forcat e tij luftarake, dërgoi shërbëtorët e tij në Jerusalem për t’i thënë Ezekisë, mbretit të Judës, e mbarë populli të Jerusalemit, këto fjalë: 10 «Kështu thotë Sankeribi, mbreti i Asirisë: “Ku e keni varur shpresën, që qëndroni të rrethuar në Jerusalem? 11 Ezekia po ju mashtron duke ju thënë se Zoti, Perëndia juaj, do t’ju çlirojë nga duart e mbretit të Asirisë dhe po ju çon drejt vdekjes nga uria dhe etja. 12 A nuk ishte Ezekia ai që shkatërroi faltoret në vende të larta dhe altarët e tyre? A nuk ishte ai që e urdhëroi Judën dhe Jerusalemin të adhurojnë e të kushtojnë fli vetëm para një altari? 13 Pse, a nuk e dini çfarë u kemi bërë unë dhe etërit e mi mbarë popujve të tokës? A ia dolën perënditë e kombeve të tokës t’i shpëtonin vendet e tyre nga zgjedha ime? 14 Kush nga perënditë e këtyre kombeve të shfarosur nga etërit e mi ia doli ta çlironte popullin e vet nga zgjedha ime, që Perëndia juaj të mund t’ju shpëtojë ju nga unë? 15 Prandaj, të mos tallet me ju Ezekia e të mos ju mashtrojë më këtë gjë. Mos i besoni, sepse asnjë nga perënditë e ndonjë populli apo mbretërie nuk ia doli ta shpëtojë popullin e vet nga zgjedha ime dhe nga zgjedha e etërve të mi. Aq më pak Perëndia juaj do të mund t’ju çlirojë prej meje”».
16 Shërbëtorët e Sankeribit thanë edhe fjalë të tjera kundër Zotit Perëndi dhe kundër Ezekisë, shërbëtorit të tij. 17 Sankeribi shkroi edhe letra fyese kundër Zotit, Perëndisë së Izraelit, ku thoshte: «Ashtu si perënditë e kombeve të tokës nuk i shpëtuan popujt e tyre nga zgjedha ime, edhe Perëndia i Ezekisë nuk do ta shpëtojë dot popullin e tij». 18 Të dërguarit e Sankeribit bërtitën me zë të lartë në judaisht, kur u folën banorëve të Jerusalemit të mbledhur nëpër muret e qytetit, që t’u fusnin frikën dhe tmerrin e kështu të merrnin qytetin. 19 Ata folën për Perëndinë e Jerusalemit siç kishin folur për perënditë e popujve të tokës që janë sajesa njerëzore.
Lutja e Ezekisë
20 Mbreti Ezeki dhe profeti Isai, biri i Amosit, u lutën për këtë gjë dhe klithën drejt qiellit. 21 Atëherë Zoti dërgoi një engjëll, i cili i shfarosi të gjithë luftëtarët trima dhe krerët ushtarakë në fushimin e mbretit të Asirisë. Sankeribi u kthye në vendin e tij i turpëruar dhe, kur shkoi në tempullin e perëndisë së tij, disa nga bijtë e tij e vranë me shpatë. 22 Kështu, Zoti e shpëtoi Ezekinë dhe banorët e Jerusalemit prej Sankeribit, mbretit të Asirisë, dhe prej të gjithë armiqve. Ai i dha paqe nga të gjitha anët. 23 Të shumtë qenë ata që i kushtuan dhurata Zotit në Jerusalem e i dhuruan sende të çmuara Ezekisë, mbretit të Judës, i cili që atëherë u madhërua në sytë e tërë kombeve.
Fundi i mbretërimit të Ezekisë
24 Në atë kohë Ezekia u sëmur për vdekje. Ai iu lut Zotit dhe Zoti e dëgjoi e i bëri një mrekulli. 25 Por Ezekia nuk iu përgjigj bamirësisë që iu bë, sepse iu rrit mendja. Prandaj, mbi të, mbi Judën dhe mbi Jerusalemin ra zemërimi i Zotit. 26 Atëherë Ezekia dhe banorët e Jerusalemit u penduan për krenarinë e zemrës së tyre dhe kështu zemërimi i Zotit nuk ra mbi ta gjatë sundimit të Ezekisë.
27 Ezekia fitoi shumë pasuri e lavdi. Ai ndërtoi dhoma thesari për argjendin, arin, gurët e çmuar, për erërat e mira, për shqytet dhe për sendet e çmuara. 28 Ndërtoi edhe drithnikë për drithërat, për verën e vajin, stalla për çdo lloj gjedhi dhe vathë për delet. 29 Ezekia ndërtoi qytete dhe kishte tufa të panumërta bagëtish të imëta e të trasha, sepse Perëndia i kishte dhënë shumë pasuri. 30 Ky është Ezekia që e mbylli burimin e sipërm të ujërave të Gihonit dhe e kaloi rrjedhën e tyre poshtë në perëndim të qytetit të Davidit. Ezekisë i shkuan të gjitha punët mbarë. 31 Por, kur prijësit e Babilonisë dërguan disa njerëz për të parë mrekullinë që kishte ndodhur në vend, Perëndia e braktisi Ezekinë për ta vënë në provë e për të parë ç’kishte në zemër.
32 Bëmat e tjera të Ezekisë dhe besnikëria e tij janë të shkruara në librin e Vegimeve të profetit Isai, birit të Amosit, dhe në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës e të Izraelit. 33 Ezekia u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në pjesën e sipërme të varreve të pasardhësve të Davidit. Mbarë populli i Judës dhe banorët e Jerusalemit e varrosën Ezekinë me nderime. Në vend të tij mbretëroi i biri, Manaseu.