Mbretërimi i Amacjahut në Judë
1 Amacjahu ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për njëzet e nëntë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Joadana dhe ishte nga Jerusalemi. 2 Amacjahu bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, por zemra e tij nuk iu përkushtua plotësisht Zotit. 3 Kur mbretërimi i tij u bë më i fortë, Amacjahu i vrau zyrtarët e vet, që i kishin vrarë të atin, mbretin Joash. 4 Por bijtë e tyre nuk i vrau, sikurse është shkruar në librin e ligjit të Moisiut, ku Zoti urdhëron: «Të mos dënohen me vdekje etërit për shkak të bijve e as bijtë për shkak të etërve. Secili të dënohet për mëkatin e vet».
5 Amacjahu mblodhi tërë banorët e Judës dhe të Benjaminit, i renditi në grupime sipas vëllazërive dhe u caktoi kryemijës dhe kryeqindës. Ai thirri nën armë meshkujt nga njëzet vjeç e lart dhe i dolën treqind mijë burra të zgjedhur të aftë për luftë dhe për të mbajtur heshtë e shqytë. 6 Me tre tonë argjend ai mori edhe njëqind mijë luftëtarë trima me pagesë nga Izraeli. 7 Një njeri i Perëndisë erdhi tek Amacjahu e i tha: «O mbret, ushtria e Izraelit të mos vijë me ty, sepse Zoti nuk është me Izraelin, me bijtë e Efraimit. 8 Nëse dëshiron të shkosh e të luftosh në saje të fuqisë tënde, Perëndia do të të mposhtë para armikut, sepse Perëndia e ka në dorë të të ndihmojë apo të të mposhtë». 9 Amacjahu i tha njeriut të Perëndisë: «Po me gjithë ato para, që u dhashë ushtarëve të Izraelit, çfarë të bëj?». Njeriu i Perëndisë iu përgjigj: «Zoti mund të të japë edhe më shumë se aq». 10 Atëherë Amacjahu i ndau më vete ushtarët, që i kishin ardhur nga Efraimi, e i ktheu në vendin e tyre. Ata u zemëruan shumë kundër Judës dhe u kthyen në vendin e tyre duke turfulluar nga zemërimi. 11 Amacjahu mori fuqi, u vu në krye të ushtrisë së tij dhe shkoi në luginën e Kripës, ku vrau dhjetë mijë luftëtarë të Seirit. 12 Luftëtarët e Judës zunë rob edhe dhjetë mijë të tjerë, i çuan në majën e një shkrepi dhe i hodhën prej andej. Të gjithë u bënë copë e çikë. 13 Por luftëtarët e Izraelit, që Amacjahu kishte kthyer pas e nuk i kishte marrë me vete në betejë, sulmuan qytetet e Judës nga Samaria në Bet Horon, vranë tre mijë banorë dhe rrëmbyen shumë plaçkë lufte.
14 Amacjahu u kthye nga fitorja me edomitët, duke marrë me vete edhe perënditë e banorëve të Seirit. I bëri perëndi të vetat, u përkul para tyre dhe u kushtoi temjan. 15 Kështu, zemërimi i Zotit u ndez kundër Amacjahut dhe Zoti i dërgoi një profet për t’i thënë: «Përse je kthyer nga perënditë e popujve që nuk mundën ta shpëtojnë popullin e tyre nga duart e tua?». 16 Teksa profeti fliste, Amacjahu i tha: «Mos të kemi bërë vallë këshilltar të mbretit? Hesht, se do të vritesh». Profeti heshti, por i tha: «Unë di se Perëndia ka vendosur shkatërrimin tënd për këtë që bëre dhe se nuk e dëgjove këshillën time».
Lufta kundër Izraelit
17 Mandej Amacjahu, mbreti i Judës, u këshillua me oborrtarët dhe i dërgoi lajmëtarë Jehoahazit, birit të Jehut, mbretit të Izraelit, e i tha: «Eja të ndeshemi!». 18 Joashi, mbreti i Izraelit, i dërgoi fjalë Amacjahut, mbretit të Judës, e i tha: «Ferra e Libanit i çoi fjalë cedrit të Libanit e i tha: “Jepja vajzën për nuse djalit tim”. Por ja, një kafshë e egër Libani kaloi dhe e shkeli ferrën me këmbë. 19 Ngaqë e mposhte Edomin, të është rritur mendja. Rri në shtëpinë tënde! Përse dashke të shkaktosh fatkeqësi? Përse dashke të shkatërrosh veten dhe Judën bashkë me veten?».
20 Por Amacjahu, mbreti i Judës, nuk e dëgjoi. Ishte nga Perëndia, që judenjtë të mposhteshin, për shkak se ishin dhënë pas idhujve të Edomit. 21 Prandaj Joashi, mbreti i Izraelit, e sulmoi dhe u ndesh me Amacjahun, mbretin e Judës, në Bet Shemesh të Judës. 22 Judenjtë u mposhtën nga izraelitët dhe u kthyen nëpër tendat e tyre. 23 Joashi, mbreti i Izraelit, e zuri rob Amacjahun, mbretin e Judës, birin e Joashit, të birit të Jehoahazit, në Bet Shemesh. Joashi shkoi mandej në Jerusalem dhe rrënoi murin e qytetit nga Porta e Efraimit deri te Porta e Këndit, rreth dyqind metra. 24 Ai plaçkiti të gjithë argjendin, arin dhe sendet e gjetura në tempullin e Perëndisë, nën ruajtjen e Obed Edomit, dhe në thesarin e pallatit mbretëror. Mori edhe disa pengje dhe u kthye në Samari.
25 Amacjahu, mbreti i Judës, biri i Joashit, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Joashit, mbretit të Izraelit, të birit të Jehoahazit. 26 Bëmat e tjera të Amacjahut, të hershmet e të vonshmet, janë të shkruara në librin e Mbretërve të Judës e të Izraelit. 27 Që nga koha kur Amacjahu u largua nga Zoti, disa njerëz ngritën krye kundër tij në Jerusalem. Amacjahu iku në Lakish, por edhe atje e ndoqën pas dhe e vranë. 28 Prej andej ia prunë trupin me kuaj dhe e varrosën bashkë me paraardhësit në qytetin e Judës.