Ahazjahu, mbret i Judës
1 Në vend të Jehoramit banorët e Jerusalemit bënë mbret Ahazjahun, djalin e tij të vogël, sepse të gjithë djemtë e tij më të mëdhenj ishin vrarë nga hordhitë që kishin hyrë bashkë me arabët në fushimin e Judës. Kështu, Ahazjahu, biri i Jehoramit, u bë mbreti i Judës. 2 Ahazjahu ishte njëzet e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për një vit në Jerusalem. E ëma e tij quhej Atalia dhe ishte bija e Omriut. 3 Edhe Ahazjahu u soll si shtëpia e Ahabit, sepse ishte e ëma ajo që e këshillonte të bënte ligësi. 4 Ai bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu si shtëpia e Ahabit, sepse, pas vdekjes së të atit, ishin ata që e këshillonin dhe që e çuan drejt shkatërrimit. 5 Ahazjahu ndoqi këshillën e tyre dhe u bashkua me Joramin, birin e Ahabit, mbretit të Izraelit, për të luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Aramit, në Ramot të Gileadit. Arameasit e plagosën Joramin. 6 Jorami u kthye në Izrel për t’u shëruar nga plagët që i shkaktuan arameasit në Ramah gjatë betejës kundër Hazaelit, mbretit të Aramit. Ahazjahu, biri i Jehoramit, mbreti i Judës, shkoi në Izrel për ta takuar Joramin, birin e Ahabit, që dergjej i sëmurë.
7 Por Perëndia kishte vendosur shkatërrimin e Ahazjahut. Kështu, Ahazjahu shkoi te Jorami e iu bashkua për të sulmuar Jehun, birin e Nimshit, të cilin Zoti e kishte vajosur mbret për të shfarosur shtëpinë e Ahabit. 8 Kur Jehu vendosi drejtësinë e Perëndisë kundër shtëpisë së Ahabit, ai i gjeti zyrtarët e Judës dhe bijtë e vëllezërve të Ahazjahut, teksa i shërbenin atij, e i vrau. 9 Kërkoi edhe Ahazjahun, i cili ishte fshehur në Samari. E kapën, e sollën te Jehu dhe ai e vrau. Mandej e varrosën, sepse thanë: «Është pasardhësi i Joshafatit, i cili ishte dhënë pas Zotit me gjithë zemër». Nga shtëpia e Ahazjahut nuk mbeti askush që të mund të mbretëronte.
Mbretërimi i Atalisë në Judë
10 Kur Atalia, nëna e Ahazjahut, pa se i biri vdiq, i shfarosi të gjithë pasardhësit mbretërorë të shtëpisë së Judës. 11 Por Jehosheba, bija e mbretit, e rrëmbeu fshehurazi Joashin, të birin e Ahazjahut, nga mesi i bijve të mbretit, që ishin për t’u vrarë, dhe e fshehu bashkë me tajën e tij në një nga dhomat e gjumit. Jehosheba, bija e mbretit Jehoram dhe gruaja e priftit Jehojada, motra e Ahazjahut, e fshehu Joashin prej Atalisë e kështu ajo nuk e vrau. 12 Joashi qëndroi i fshehur për gjashtë vjet bashkë me to në tempullin e Perëndisë, për aq kohë sa mbretëroi Atalia.