1 Ai caktoi shtatëdhjetë mijë punëtorë ngarkim-shkarkimi, tetëdhjetë mijë gurgdhendës, që punonin në mal, dhe tre mijë e gjashtëqind mbikëqyrës. 2 Solomoni i dërgoi fjalë Hiramit, mbretit të Tirit, e i tha: «Ti i dërgove Davidit, atit tim, cedra për të ndërtuar shtëpinë ku banonte. M’i dërgo edhe mua. 3 Ja, unë po filloj ndërtimin e një tempulli për nder të emrit të Zotit, Perëndisë tim, një tempull që do t’i kushtohet atij. Në tempull do t’i kushtojmë Zotit temjan erëmirë, do t’i paraqesim pandërprerë bukët e paraqitjes dhe do t’i kushtojmë fli shkrumbimi në mëngjes e në mbrëmje, për të shtunat, për hënat e reja dhe për të gjitha të kremtet e Zotit, Perëndisë tonë, sepse kjo është detyrë e përhershme e Izraelit. 4 Tempulli që po filloj të ndërtoj do të jetë madhështor, sepse edhe Perëndia ynë është më madhështor se të gjitha perënditë. 5 Por kush mund të ndërtojë një tempull për atë që s’e nxënë as qiejt, as qiejt e qiejve? Kush jam unë që t’i ndërtoj një tempull vetëm për t’i kushtuar temjan? 6 Prandaj më dërgo një njeri të aftë për të punuar arin, argjendin, bronzin dhe hekurin, që di të përdorë ngjyrën e purpurt, të kuqen dhe vjollcën, e që është mjeshtër i gdhendjes. Ai do të punojë bashkë me mjeshtrat e mi nga Juda e nga Jerusalemi, të cilët i ka përgatitur Davidi, ati im. 7 Më dërgo edhe dru cedri, qiparisi e pishe prej Libanit, sepse unë e di se shërbëtorët e tu janë mjeshtra për prerjen e drurit të Libanit. Shërbëtorët e mi do të punojnë bashkë me shërbëtorët e tu, 8 që të përgatitin lëndë druri me shumicë, se tempulli që po filloj të ndërtoj do të jetë madhështor e i mrekullueshëm. 9 Shërbëtorëve të tu, që do të presin e bëjnë gati drutë, do t’u jap për ushqim gjashtë mijë tonë grurë të shkoqur, gjashtë mijë tonë elb, tetëqind mijë litra verë dhe tetëqind mijë litra vaj». 10 Hirami, mbreti i Tirit, i shkroi një letër Solomonit, ku i thoshte: «Zoti të ka caktuar ty mbret, sepse e do popullin e tij».
11 E Hirami shtoi: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, krijuesi i qiejve e i tokës, që i dha mbretit David një bir plot urti, dije, mençuri e arsye, i cili po ndërton një tempull për nder të Zotit dhe një pallat mbretëror. 12 Prandaj po të dërgoj, Huram Abiun, një burrë të urtë, të ditur e të mençur. 13 Huram Abiu është i biri i njërës prej bijave të Danit, ndërsa i ati i tij është nga Tiri. Ai di të punojë arin, argjendin, bronzin, hekurin, gurin, drurin, ngjyrën e purpurt, vjollcën, të kuqen dhe lirin. Di të bëjë çdo gdhendje dhe ia pret mendja për çdo gjë që t’i kërkohet. Ai do të punojë bashkë me mjeshtrat e tu dhe me mjeshtrat e timzoti, Davidit, atit tënd. 14 Ndërsa ti, imzot, do t’u japësh shërbëtorëve të tu grurin, elbin, vajin dhe verën, që u ke premtuar. 15 Ne do të presim aq dru Libani sa të duhen e do t’i sjellim nëpër det me trapa deri në Jafë. Pastaj ti i çon në Jerusalem».
16 Atëherë Solomoni bëri regjistrimin e të gjithë të ardhurve në Izrael, pas regjistrimit që kishte bëri ati i tij, Davidi, dhe dolën njëqind e pesëdhjetë e tri mijë e gjashtëqind. 17 Shtatëdhjetë mijë prej tyre i caktoi si punëtorë ngarkim-shkarkimi, tetëdhjetë mijë si gurgdhendës në mal dhe tre mijë e gjashtëqind si mbikëqyrës të punëtorëve.