Besëlidhja e Joshafatit me Ahabin
1 Joshafati pati shumë pasuri dhe lavdi. Ai lidhi krushqi me Ahabin. 2 Pas shumë vitesh Joshafati shkoi për ta parë Ahabin në Samari dhe Ahabi theri shumë dele e bagëti për nder të tij e të shpurës së tij. Ahabi ia mbushi mendjen Joshafatit, që të shkonte bashkë me të për të sulmuar Ramotin e Gileadit. 3 Atëherë Ahabi, mbreti i Izraelit, i tha Joshafatit, mbretit të Judës: «A do të vish me mua të luftojmë për Ramotin e Gileadit?». Ai iu përgjigj: «Unë dhe ti jemi një. Luftëtarët e mi janë të tutë dhe unë do të jem me ty në betejë».
4 Joshafati i tha Ahabit, mbretit të Izraelit: «Të lutem, veçse, këshillohu që sot me Zotin». 5 Atëherë mbreti i Izraelit mblodhi profetët, katërqind në numër, e u tha: «A të shkojmë në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heq dorë?». Profetët i thanë: «Shko, se Perëndia ka për t’ia dorëzuar mbretit». 6 Por Joshafati pyeti: «A ka ndonjë profet tjetër të Zotit, me të cilin mund të këshillohemi?». 7 Mbreti i Izraelit iu përgjigj Joshafatit: «Ka edhe një profet tjetër, nëpërmjet të cilit mund të këshillohemi me Zotin. Është Mikahu, biri i Imlahut, por unë e urrej, se ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq». Joshafati i tha: «Mos fol ashtu, o mbret!». 8 Atëherë mbreti i Izraelit thirri një nga zyrtarët e i tha: «Më sill shpejt Mikahun, birin e Imlahut!». 9 Ahabi, mbreti i Izraelit, dhe Joshafati, mbreti i Judës, ishin ulur te sheshi, që ndodhet pranë portave të qytetit të Samarisë, secili në fronin e vet, veshur me stoli mbretërore, ndërsa profetët profetizonin para tyre. 10 Sedekia, biri i Kenanahut, bëri brirë hekuri e tha: «Kështu thotë Zoti: me këta brirë do ta tejshposh Aramin derisa ta shkatërrosh krejt». 11 Po ashtu profetizuan edhe profetët e tjerë e thanë: «Shko në Ramot të Gileadit e të priftë e mbara! Zoti ka për t’ia dorëzuar mbretit».
Mikahu parathotë humbjen
12 Lajmëtari, që kishte shkuar për të thirrur Mikahun, i tha: «Të gjithë profetët kanë profetizuar njëzëri mbarësi për mbretin. Le të jetë edhe fjala jote e mirë si fjala e tyre e të profetizosh mbarësi». 13 Mikahu i tha: «Pasha Zotin, do të them ç’të më thotë Perëndia im». 14 Mikahu shkoi te mbreti e mbreti i tha: «Mikah, a të shkojmë në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heq dorë?». Mikahu u përgjigj: «Shkoni e ju priftë e mbara! Zoti do t’jua dorëzojë qytetin». 15 Por mbreti i tha: «Sa herë duhet të të përbej, që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?». 16 Atëherë Mikahu i tha: «Pashë mbarë Izraelin të hapërdarë nëpër male si delet pa bari. E Zoti thotë: nuk kanë më prijës. Le të kthehen nëpër shtëpitë e tyre në paqe». 17 Atëherë mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «A nuk të thashë se ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq?». 18 Mikahu i tha: «Dëgjo, pra, fjalën e Zotit: pashë Zotin të ulur në fron dhe tërë ushtritë qiellore të engjëjve që qëndronin në të djathtë e në të majtë të tij. 19 E atëherë Zoti tha: “Kush do ta mashtrojë Ahabin, mbretin e Izraelit, që të shkojë e të sulmojë Ramotin e Gileadit?”. Njëri thoshte ky e tjetri thoshte ai. 20 Atëherë doli një shpirt, u paraqit para Zotit e tha: “Do ta mashtroj unë”. Zoti e pyeti: “Si?”. 21 Shpirti tha: “Do të shkoj e do t’i bëj të gjithë profetët e tij të thonë gënjeshtra”. Atëherë Zoti i tha: “Po, kështu do ta mashtrosh vërtet. Shko e bëj siç the!”. 22 Kështu, pra, Zoti ka vënë një shpirt gënjeshtar në gojën e të gjithë profetëve të tu, sepse në të vërtetë Zoti ka folur për fatkeqësi kundër teje».
23 Atëherë Sedekia, biri i Kenanahut, iu afrua Mikahut, i ra me shpullë në faqe e i tha: «Mos u largua Shpirti i Zotit prej meje, që të flasë përmes teje?». 24 Mikahu iu përgjigj: «Do ta marrësh vesh ditën që do të vraposh për t’u fshehur në dhomën më të thellë të shtëpisë». 25 Atëherë mbreti i Izraelit tha: «Merreni Mikahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritari i qytetit, dhe te Joashi, djali i mbretit, 26 e thuajuni ta fusin në burg me urdhër të mbretit dhe ta ushqejnë vetëm me pak bukë e ujë, derisa të kthehem unë shëndoshë e mirë». 27 Mikahu i tha: «Nëse vërtet kthehesh shëndoshë e mirë, atëherë Zoti nuk ka folur përmes meje». E shtoi: «Mbani vesh të gjithë ju, o njerëz!».
Vdekja e Ahabit
28 Mbreti i Izraelit dhe Joshafati, mbreti i Judës, shkuan për të sulmuar Ramotin e Gileadit. 29 Mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «Unë do të ndërroj rrobat për të mos u njohur e do të shkoj për të luftuar, ndërsa ti rri veshur me rrobat e tua mbretërore». Mbreti i Izraelit ndërroi rrobat për të mos u njohur e ata shkuan për të luftuar. 30 Mbreti i Aramit u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy prijësve të qerreve të luftës: «Mos sulmoni as luftëtarët e thjeshtë e as krerët e tyre, por vetëm mbretin e Izraelit». 31 Kur prijësit e qerreve panë karrocën e Joshafatit, menduan se ishte mbreti i Izraelit, prandaj dhe iu vërsulën. Joshafati ia dha ulërimës dhe Zoti e ndihmoi. Perëndia i largoi prej tij ata që e ndiqnin. 32 Prijësit e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit dhe hoqën dorë nga ndjekja. 33 Por një luftëtar ndehu rastësisht harkun dhe shigjeta goditi mbretin e Izraelit mes brezit e parzmores. Atëherë mbreti i tha karrocierit të vet: «Kthehu e më nxirr nga beteja, se jam plagosur». 34 Atë ditë beteja qe shumë e ashpër. Mbretin e Izraelit e mbështetën mbi karrocën e tij, ballë për ballë me luftëtarët e Aramit, deri në mbrëmje. Kur po perëndonte dielli, mbreti vdiq.