Idhujtaria e Rehoboamit
1 Kur mbretëria e Rehoboamit u bë më e fortë dhe më e qëndrueshme, ai e mbarë Izraeli e braktisën ligjin e Zotit. 2 Për shkak të mëkateve të tyre kundër Zotit, në vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit, Shishaku, mbreti i Egjiptit sulmoi Jerusalemin 3 me një mijë e dyqind qerre lufte, gjashtëdhjetë mijë kalorës dhe me luftëtarë të panumërt libianë, sukitë dhe kushitë, që kishin ardhur bashkë me të nga Egjipti. 4 Shishaku pushtoi qytetet e fortifikuara të Judës dhe arriti deri në Jerusalem. 5 Atëherë profeti Shemajah shkoi te Rehoboami dhe te prijësit e Judës, që ishin mbledhur në Jerusalem për shkak të sulmit të Shishakut, e u tha: «Kështu thotë Zoti: “Ju më latë mua, prandaj edhe unë ju lashë në duart e Shishakut”». 6 Atëherë prijësit e Izraelit dhe mbreti u përulën e thanë: «Zoti është i drejtë». 7 Kur Zoti e pa përulësinë e tyre, i foli Shemajahut e i tha: «Meqenëse u përulën, nuk do t’i shkatërroj. Pas pak do t’u sjell shpëtimin dhe nuk do ta derdh zemërimin tim mbi Jerusalemin përmes Shishakut. 8 Por do të bëhen skllevër të Shishakut, që ta kuptojnë ç’do të thotë të më shërbejnë mua e ç’do të thotë t’u shërbejnë mbretërve të tokës».
9 Shishaku, mbreti i Egjiptit, e sulmoi Jerusalemin dhe plaçkiti thesaret e tempullit të Zotit, thesaret e pallatit mbretëror e gjithçka tjetër. Ai plaçkiti edhe shqytet e arta që kishte punuar Solomoni. 10 Në vend të tyre mbreti Rehoboam bëri shqyte bronzi dhe ua dorëzoi krerëve të ushtarëve, që ruanin hyrjen e pallatit mbretëror. 11 Sa herë që mbreti shkonte në tempullin e Zotit, ushtarët vinin e merrnin shqytet dhe i kthenin sërish në vendin ku mbaheshin armët. 12 Meqenëse mbreti e përuli veten, Zoti e largoi zemërimin prej tij dhe nuk e shkatërroi plotësisht. Për më tepër, në Judë pati edhe gjëra të mira.
13 Mbreti Rehoboam u mëkëmb sërish në Jerusalem dhe vazhdoi të mbretëronte. Rehoboami ishte dyzet vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi për shtatëmbëdhjetë vjet në Jerusalem, në qytetin që vetë Zoti e kishte zgjedhur mes fiseve të Izraelit për të vendosur emrin e tij. E ëma e Rehoboamit quhej Naamë dhe ishte amonite. 14 Rehoboami bëri çka është keq, sepse nuk u dha pas Zotit me gjithë zemër.
15 Bëmat e hershme dhe të vonshme të Rehoboamit janë të shkruara në Kronikat e profetit Shemajah dhe në Shënimet e Breznive të Idoit, atij që shihte vegime. Mes Rehoboamit dhe Jeroboamit pati përherë luftë. 16 Rehoboami u preh me paraardhësit e tij dhe e varros në qytetin e Davidit. Pas tij mbretëroi i biri, Abijahu.