Kuvendi i Shekemit
1 Rehoboami shkoi në Shekem, ku kishte ardhur mbarë Izraeli për ta bërë mbret. 2 Jeroboami, biri i Nebatit, ishte ende në Egjipt, ku kishte marrë arratinë për shkak të mbretit Solomon. Kur Jeroboami e mori vesh këtë, vendosi të kthehej nga Egjipti. 3 Jeroboamit i çuan fjalë dhe e thirrën për t’u kthyer. Atëherë e gjithë bashkësia e Izraelit foli me Rehoboamin e i thanë: 4 «Yt atë na ka vënë zgjedhë të rëndë. Nëse ti na e lehtëson disi zgjedhën e punës së rëndë, që na ngarkoi yt atë, ne do të të shërbejmë». 5 Rehoboami u tha: «Shkoni e kthehuni tek unë pas tri ditësh». Dhe populli u largua.
6 Atëherë mbreti Rehoboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Solomonit, kur ishte gjallë, e i pyeti: «Ç’këshillë më jepni, që t’i kthej përgjigje këtij populli?». 7 Ata i thanë: «Nëse ti sot sillesh me dashamirësi ndaj këtij populli dhe e kënaq me fjalët e mira që do t’u thuash, ata do të jenë gjithmonë shërbëtorët e tu». 8 Rehoboami nuk e pranoi këshillën e pleqve dhe u këshillua me të rinjtë që ishin rritur me të e që i rrinin pranë. 9 Ai i pyeti: «Ç’këshillë më jepni, që t’i përgjigjem popullit? Ata më kanë kërkuar t’u lehtësoj zgjedhën që u ka vënë ati im». 10 Të rinjtë, që ishin rritur me të, iu përgjigjën: «Popullit, që foli me ty e që të kërkoi t’ua lehtësosh zgjedhën, që u vuri yt atë, thuaji kështu: “Gishti im i vogël është më i trashë se ijët e atit tim. 11 Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, ndërsa unë do t’ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t’ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri”».
12 Pas tri ditësh, Jeroboami e mbarë bashkësia e Izraelit shkuan te Rehoboami, ashtu siç u kishte thënë mbreti, që të ktheheshin tek ai pas tri ditësh. 13 Mbreti Rehoboam iu përgjigj ashpër popullit dhe e përbuzi këshillën që i kishin dhënë pleqtë. 14 Ai u foli sipas këshillës që i kishin dhënë të rinjtë e u tha: «Unë do t’ju vë një zgjedhë më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t’ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri». 15 Mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse kështu kishte dashur Perëndia, që të shkonte në vend fjala, që i tha Jeroboamit, birit të Nebatit, përmes Ahijahut, shilonitit.
16 Kur mbarë Izraeli pa se mbreti nuk i kishte dëgjuar, i dërguan fjalë e i thanë: «Ç’lidhje kemi ne me Davidin e ç’pjesë kemi me të birin e Jeseut? Nëpër tendat tuaja, o izraelitë! Ndërsa ti kujdesu për shtëpinë tënde tani, o David!». Kështu, izraelitët shkuan nëpër shtëpitë e tyre. 17 Rehoboami mbretëroi mbi izraelitët që jetonin në qytetet e Judës. 18 Mbreti Rehoboam dërgoi tek izraelitët e tjerë Hadoramin që ishte mbikëqyrësi i punës së detyruar, por ata e vranë me gurë e ai vdiq. Mbreti Rehoboam hipi me ngut në një karrocë dhe ia mbathi për në Jerusalem. 19 Izraeli ngriti krye kundër shtëpisë së Davidit, siç është edhe sot.