1 Ne e dimë se tenda në të cilën banojmë, domethënë trupi ynë tokësor, do të shkatërrohet, por ne kemi në qiej një tjetër banesë të amshuar, të ndërtuar nga Perëndia e jo nga duar njerëzore. 2 Në këtë banesë njerëzore ne rënkojmë ndërsa presim me padurim të veshim banesën tonë qiellore. 3 Kur të kemi zhveshur banesën tokësore, nuk do të jemi lakuriq.
4 Ndërsa jemi ende në këtë tendë, rënkojmë nën peshën e saj, jo se duam të zhvishemi prej saj, por se duam të veshim banesën e re, në mënyrë që ajo që është e vdekshme, të përpihet nga jeta. 5 Ai që na ka përgatitur për këtë gjë, është Perëndia. Ai na ka dhënë Shpirtin si kapar.
6 Ne kemi marrë zemër dhe e dimë se, për sa kohë banojmë në këtë trup, banojmë larg nga Zoti, 7 sepse jetojmë përmes besimit dhe jo përmes asaj që shohim. 8 Ne kemi shpresë dhe parapëlqejmë të largohemi nga ky trup për të banuar pranë Zotit. 9 Por, mbi të gjitha ne duam t’i pëlqejmë Perëndisë, qoftë duke qëndruar në këtë banesë, qoftë duke e lënë atë. 10 Të gjithë ne duhet të dalim para Krishtit për t’u gjykuar prej tij, në mënyrë që secili të marrë shpërblimin sipas veprave që ka bërë gjatë jetës së vet, qofshin këto të mira apo të këqija.
Shërbesa e pajtimit
11 Prandaj ne që e njohim frikën ndaj Zotit, përpiqemi të bindim të tjerët. Perëndia na njeh mirë, por shpresoj që thellë në ndërgjegjet tuaja edhe ju të na njihni mirë. 12 Nuk duam të lavdërohemi edhe një herë para jush, por po ju japim rastin të krenoheni me ne, që të mund t’u përgjigjeni atyre që mburren me pamjen e jashtme e jo me çfarë kanë në zemër.
13 Nëse sillemi si të marrë, këtë e bëjmë për Perëndinë dhe nëse sillemi me urti, këtë e bëjmë për ju. 14 Dashuria e Krishtit na jep zemër, sepse jemi të bindur se njëri ka vdekur për të gjithë dhe si pasojë të gjithë kanë vdekur. 15 Krishti vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten e tyre, por të jetojnë për atë që vdiq e u ngjall për ta.
16 Prandaj ne nuk shohim më askënd vetëm në mënyrë njerëzore. Edhe pse dikur e njihnim Krishtin në këtë mënyrë, tani nuk e njohim më ashtu. 17 Kështu, kush bashkohet me Krishtin, bëhet një krijesë e re. Gjërat e vjetra shkuan dhe, ja, u bënë të reja. 18 E gjithë kjo vjen prej Perëndisë, i cili na pajtoi me veten e tij përmes Krishtit dhe na ngarkoi me shërbesën për të pajtuar njerëzit me të.
19 Perëndia e pajtoi botën me veten e tij përmes Krishtit duke mos ua marrë parasysh njerëzve paudhësitë dhe duke na besuar predikimin e pajtimit. 20 Kështu ne jemi përfaqësues të Krishtit dhe kur ju flasim ne, është si t’ju fliste Perëndia. Ju përgjërohemi që për hir të Krishtit të pajtoheni me Perëndinë. 21 Atë që nuk njihte mëkat, Perëndia e ngarkoi me mëkatet tona, në mënyrë që përmes tij Perëndia të na bëjë të drejtë.