Shërbëtorë të Besëlidhjes së Re
1 A mos po fillojmë përsëri t’i rrisim vlerën vetes? Apo mos kemi nevojë edhe ne si disa për letra porosie për ju a prej jush? 2 Letra jonë jeni ju, e shkruar në zemrat tona, që të gjithë njerëzit ta njohin e ta lexojnë. 3 Ju e tregoni se jeni letër e Krishtit, e hartuar prej nesh, jo e shkruar me bojë, por me shpirtin e Perëndisë së gjallë, jo në rrasa guri, por në rrasat e zemrave njerëzore.
4 Ky është besimi që ne kemi në Perëndinë, përmes Krishtit. 5 Ne nuk e mbajmë veten aq të aftë që të mendojmë se vjen ndonjë gjë prej nesh. Aftësia jonë vjen prej Perëndisë 6 që na bëri të aftë të jemi shërbëtorë të besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Shpirtit. Sepse shkronja vret, por Shpirti jep jetë.
7 Nëse besëlidhja e Moisiut, që ishte e gdhendur me shkronja në gur e çonte në vdekje, ishte aq e lavdishme saqë bijtë e Izraelit nuk mund ta shikonin dot Moisiun, për shkak të lavdisë së përkohshme të fytyrës së tij, 8 sa më e lavdishme do të jetë besëlidhja e Shpirtit? 9 Nëse vepra e besëlidhjes që sjell dënimin ishte e rrethuar me lavdi, aq më shumë do të jetë e lavdishme vepra e besëlidhjes që na bën të drejtë. 10 Në të vërtetë ajo që ishte e lavdishme dikur, e humbi lavdinë për shkak të lavdisë së tanishme që është më e madhe. 11 Nëse ajo që ishte e përkohshme ishte e lavdishme, atëherë ajo që mbetet përgjithmonë do të jetë shumë më e lavdishme.
12 Meqenëse kemi një shpresë të tillë, mund të flasim hapur, 13 jo si Moisiu që vuri një vel në fytyrë, me qëllim që bijtë e Izraelit të mos e shihnin fundin e lavdisë që po perëndonte. 14 Por mendjet e tyre u errësuan. Edhe sot e kësaj dite ata e kanë atë vel kur lexojnë besëlidhjen e vjetër dhe nuk e heqin, sepse ai hiqet vetëm nëpërmjet Krishtit.
15 Madje, dhe deri më sot, kur lexohet Moisiu, një vel ndehet në zemrat e tyre. 16 Megjithatë, kur dikush kthehet drejt Zotit, bie veli. 17 Mirëpo Zoti është Shpirti dhe ku është Shpirti i Zotit, atje është liria. 18 Prandaj të gjithë ne që e shohim lavdinë e Zotit si në pasqyrë, pa pasur vel në fytyrë, shndërrohemi në shëmbëllimin e tij nga lavdia në lavdi. Dhe kjo vjen nga Zoti që është Shpirti.