Porositë dhe përshëndetjet
1 Është hera e tretë që do të vij te ju, se çdo padi duhet të jetë e mbështetur në fjalën e dy apo tre dëshmitarëve. 2 Ata që kanë mëkatuar dikur dhe të gjithë të tjerët i kisha paralajmëruar kur isha me ju për herë të dytë dhe po i paralajmëroj edhe tani që nuk jam aty, se nëse vij përsëri nuk do të kursej askënd. 3 Me sa duket ju kërkoni një provë që Krishti flet përmes meje. Dijeni, pra, se Krishti nuk u tregua i dobët mes jush, por i fuqishëm. 4 Vërtet ai u kryqëzua për shkak të dobësisë, por jeton prej fuqisë së Perëndisë. Ne jemi të dobët bashkë me të, por prej fuqisë së Perëndisë do të jetojmë bashkë me të, mes jush.
5 Shqyrtojeni veten për të parë nëse po jetoni me besim. Vëreni veten në provë. A nuk e kuptoni se në ju jeton Jezu Krishti? Nëse nuk e kuptoni këtë, atëherë nuk e keni kaluar provën. 6 Shpresoj se do ta merrni vesh se ne e kemi kaluar provën. 7 Megjithatë ne i lutemi Perëndisë që të mos bëni asnjë të keqe, jo që të duket se ne e kaluam provën, por që ju të bëni çfarë është e drejtë, edhe pse mund të duket se ne dështuam.
8 Ne nuk mund të bëjmë asgjë kundër së vërtetës, por vetëm për të vërtetën. 9 Ne gëzohemi kur ne jemi të dobët e ju jeni të fortë dhe lutemi që ju të përsoseni. 10 Këto gjëra po i shkruaj ndërsa jam larg, që, kur të vij, të mos më duhet të jem i rreptë dhe pushtetin që më ka dhënë Zoti ta përdor për të ndërtuar e jo për të shkatërruar.
11 Së fundi, vëllezër, gëzohuni, ndrequni, ngushëlloni njëri-tjetrin, jini të një mendjeje, jetoni në paqe dhe Perëndia i dashurisë e i paqes qoftë me ju. 12 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Ju përshëndesin të gjithë të shenjtët.
13 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia me Shpirtin e shenjtë qofshin me ju të gjithë!