2 Korintasve 1

Përshëndetje

Unë, Pali, apostull i Krishtit Jezu, përmes vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai ynë Timoteu, po i shkruajmë kishës së Perëndisë që është në Korint dhe të gjithë të shenjtëve në mbarë Akainë: hiri e paqja e Perëndisë, Atit tonë, dhe e Zotit Jezu Krisht qofshin me ju!

Pali falënderon Perëndinë

Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë, Jezu Krishtit, Ati i mëshirës dhe Perëndia i çdo ngushëllimi! Ai na ngushëllon në të gjitha vuajtjet tona, që edhe ne të mund të ngushëllojmë ata që vuajnë, me ngushëllimin me të cilin na ngushëlloi Perëndia. Sikurse janë të shumta vuajtjet e Krishtit për ne, edhe ngushëllimi ynë është i plotë përmes Jezu Krishtit. Kur vuajmë, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj. Kur Perëndia na ngushëllon, kjo ndodh për ngushëllimina tuaj që ju forcon për të mbartur me durim të njëjtat vuajtje që po kalojmë edhe ne. Shpresa jonë për ju është e palëkundshme, sepse e dimë se, sikurse merrni pjesë në vuajtjet tona, merrni pjesë edhe në ngushëllimin tonë.

Vëllezër, nuk duam që të mos jeni në dijeni për vuajtjet që kaluam në Azi, se aty gjendja jonë u rëndua përtej fuqive tona dhe aq shumë, saqë e kishim humbur edhe shpresën për të jetuar. Menduam se ishim dënuar me vdekje dhe kjo që të mos shpresonim te vetja, por te Perëndia që ngjall të vdekurit. 10 Ai që na shpëtoi nga rreziku i vdekjes, do të vazhdojë të na shpëtojë. Tek ai shpresojmë se do të na shpëtojë, 11 por edhe ju do të na ndihmoni me anë të lutjeve tuaja e kështu shumë vetë do të falënderojnë Perëndinë për ne.

Vonesa për në Korint

12 Ne krenohemi e për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja jonë, se kemi jetuar në botë, e veçanërisht mes jush, me thjeshtësi dhe me sinqeritetin që vjen nga Perëndia, të udhëhequr nga hiri i tij e jo nga urtia njerëzore. 13 Nuk po ju shkruajmë gjë tjetër, përveç asaj që lexoni e kuptoni. Unë shpresoj se deri në fund do ta kuptoni plotësisht, 14 sikurse deri diku na keni kuptuar edhe ne, se në Ditën e Zotit Jezu ne do të krenohemi me ju dhe ju do të krenoheni me ne.

15 Me këtë bindje desha të vija së pari te ju, që të gëzoheshit dyfish. 16 Doja të kaloja nga ju për të shkuar në Maqedoni e nga Maqedonia të kthehesha përsëri te ju, që të më përcillnit për në Jude. 17 Kur vendosa të bëja kështu, mos vallë po veproja me mendjelehtësi? Mos vallë i marr vendimet sipas gjykimeve njerëzore, që të them «po» e «jo» njëherësh? 18 Perëndia dëshmon se fjala jonë për ju nuk ka qenë «po» e «jo» njëherësh, 19 se Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, që e shpallëm mes jush unë, Silvani e Timoteu, nuk ishte «po» e «jo» njëherësh. Përkundrazi ai u bë «po-ja» e Perëndisë.

20 Përmes Jezuit merr «po» çdo premtim i Perëndisë, prandaj përmes tij ne lavdërojmë Perëndinë duke i thënë «Amen». 21 Është vetë Perëndia ai që na forcon bashkë me ju në jetën me Krishtin, ai që na vajos, 22 dhe ai që na ka vulosur duke vënë Shpirtin e tij në zemrat tona si kapar.

23 Por për këtë thërras Perëndinë si dëshmitar për shpirtin tim: unë nuk u ktheva në Korint, se nuk doja t’ju bëhesha barrë. 24 Nuk duam të sillemi si zotër të besimit tuaj, por si bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj, meqenëse qëndroni të fortë në besim.


 a1.6 dorëshk. të tjera edhe: dhe për shpëtimin