1 Timoteut 5

Detyrat ndaj të tjerëve

Të moshuarin mos e qorto ashpër, por këshilloje si atë, të rinjtë si vëllezër, të moshuarat si nëna, të rejat si motra, me shumë dëlirësi. Ndero vejushat që janë vërtet të veja. Por nëse një vejushë ka fëmijë ose nipër, këta le të mësojnë, së pari, të tregojnë përkujdesje për njerëzit e shtëpisë së tyre dhe t’ua shpërblejnë prindërve të tyre, sepse këtë gjë pëlqen Perëndia. Por ajo që është vërtet vejushë dhe ka mbetur e vetme, e ka shpresën në Perëndinë dhe vazhdon në përgjërime e lutje natë e ditë. Ndërsa ajo që jeton në shthurje është e vdekur edhe pse rron.

Kështu porositi vejushat, që të jenë të paqortueshme. Por kush nuk kujdeset për të afërmit e sidomos për ata të shtëpisë së vet, ky e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një i pafe.

Vejusha të regjistrohet në listën e vejushave kur të jetë jo më pak se gjashtëdhjetë vjeçe dhe të ketë qenë gruaja e një burri të vetëm. 10 Ajo duhet të njihet për vepra të mira: i ka edukuar mirë fëmijët, ka qenë mikpritëse, u ka larë këmbët të shenjtëve, i ka ndihmuar nevojtarët, i është kushtuar çdo vepre të mirë. 11 Por mos prano vejusha më të reja, sepse kur dëshirojnë të martohen përsëri, largohen nga Krishti, 12 duke marrë gjykimin për shkak se e lanë mënjanë besimin e parë. 13 Në të njëjtën kohë mësohen të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, dhe jo vetëm përtace, por flasin gjëra që nuk duhet, duke shpifur e duke u marrë me llafe. 14 Prandaj dua që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë, të bëhen zonja shtëpie, të mos i japin asnjë shkak kundërshtarit të na përflasë, 15 pasi disa tashmë e lanë udhën e drejtë dhe ndoqën Satanin. 16 Nëse ndonjë besimtare ka ndonjë vejushë në shtëpi, le ta ndihmojë atë e të mos i bëhet barrë kishës, kështu që kisha të ndihmojë ato që janë vërtet vejusha.

17 Pleqtë që drejtojnë mirë bashkësinë, le të shpërblehenç dyfish, sidomos ata që mundohen në predikim e në mësimdhënie. 18 Sepse Shkrimi thotë: kaut që shin, mos i vër kapistër dhe: «Punëtori e meriton pagën e vet».

19 Kundër plakut të kishës mos prano padi, veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë. 20 Ata që mëkatojnë, qortoji para të gjithëve, që të kenë frikë edhe të tjerët.

21 Të përbetohem para Perëndisë dhe Krishtit Jezu dhe engjëjve të zgjedhur, që t’i zbatosh këto gjëra pa paragjykim e të mos bësh asgjë me anësi.

22 Mos u nxito që përmes vënies së duarve t’i japësh përgjegjësi dikujt e as mos u bëj pjesëtar në mëkatet e të tjerëve.

Ruaje veten të dëlirë!

23 Mos pi më vetëm ujë, por pi pak verë për shkak të stomakut e të sëmundjeve të tua të shpeshta.

24 Disa njerëzve u duken qartë mëkatet, edhe përpara se të gjykohen, ndërsa disa të tjerëve u dalin sheshit më pas. 25 Po ashtu edhe veprat e mira duken qartë, ndërsa ato që nuk duken qartë, nuk mund rrinë të fshehura përgjithnjë.


 ç5.17 ose: nderohen