Izraeli kërkon mbret
1 Samueli u plak e i caktoi bijtë e vet gjyqtarë të Izraelit. 2 Djali i madh quhej Joel, ndërsa i vogli Abijah. Ata ishin gjyqtarë në Bershebë. 3 Por bijtë e tij nuk ecnin në gjurmët e të atit. Ata ishin të dhënë pas përfitimit e mitëmarrjes dhe shtrembëronin të drejtën.
4 Atëherë tërë pleqësia e Izraelit u mblodh, shkoi te Samueli në Ramah 5 e i thanë: «Ja, ti u plake e bijtë e tu nuk ecin në gjurmët e tua, prandaj na cakto tani një mbret që të na gjykojë, siç bëjnë gjithë kombet». 6 Kërkesa për mbret nuk i pëlqeu Samuelit, prandaj iu lut Zotit, 7 por Zoti i tha Samuelit: «Dëgjoje zërin e popullit për gjithçka që thotë, se nuk po të përbuzin ty, por mua, që të mos mbretëroj më unë mbi ta». 8 Po sillen me ty siç kanë bërë me mua që nga dita kur i nxora nga Egjipti e deri më sot. Më braktisin që t’u shërbejnë perëndive të tjerë. 9 Prandaj dëgjojua fjalën, por paralajmëroi mirë e tregoju për të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta.
10 Samueli ia tregoi të gjitha fjalët e Zotit popullit që po i kërkonte mbret. 11 Ai u tha: «Këto janë të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ju: do t’i marrë bijtë tuaj për t’i bërë kalorës, për t’i vendosur nëpër karroca e për të vrapuar para karrocave të veta. 12 Do t’i vendosë për të drejtuar njësitë e veta prej një mijë apo pesëdhjetë ushtarësh, për të lëvruar tokën e vet, për të korrur të mbjellat e veta, për të përgatitur armë për luftrat e veta apo mjete për karrocat e veta. 13 Do t’i marrë edhe bijat tuaja për t’i bërë punuese vajrash erëmirë, gjellëbërëse apo bukëpjekëse. 14 Do të marrë arat, vreshtat e ullishtat tuaja më të mira për t’ua dhënë oborrtarëve të vet. 15 Do t’ju marrë të dhjetën prej të mbjellave e vreshtave, për t’ua dhënë zyrtarëve e oborrtarëve të vet. 16 Do të marrë shërbëtorët, shërbëtoret e djelmoshat tuaj më të mirë, si dhe gomarët tuaj për punën e vet. 17 Do t’ju marrë të dhjetën prej dhenve e ju do të bëheni shërbëtorët e tij. 18 Atë ditë do të thërrisni për ndihmë, për shkak të mbretit që zgjodhët për vete, por Zoti nuk do t’ju përgjigjet».
19 Populli nuk deshi t’ia dëgjonte fjalën Samuelit e u përgjigj: «Jo, duam mbret. 20 Duam që edhe ne të jemi si gjithë kombet e tjera. E duam mbretin që të na gjykojë, të na prijë e të luftojë për ne». 21 Atëherë Samueli i dëgjoi tërë fjalët e popullit dhe ia tregoi Zotit. 22 Dhe Zoti i tha: «Dëgjoje zërin e popullit. Zgjidh një mbret për ta». Atëherë Samueli u tha izraelitëve: «Secili të kthehet në qytetin e vet».