Lufta me filistinët
1 Fjala e Samuelit i drejtohej gjithë Izraelit. Izraeli u ngrit e shkoi në luftë kundër filistinëve. Ata fushuan në Eben Ezer, ndërsa filistinët në Apek.
2 Filistinët u renditën kundër Izraelit dhe, pasi u përhap lufta, Izraeli u mund. Ata vranë në fushëbetejë katër mijë burra. 3 Populli u kthye në fushim dhe pleqësia e Izraelit doli e tha: «Përse i la Zoti filistinët të na mundnin? Merreni pra arkën e besëlidhjes së Zotit prej Shilohut e silleni këtu mes nesh, që të na shpëtojë nga dora e armikut». 4 Kështu, populli dërgoi disa njerëz në Shiloh dhe ata e sollën arkën e besëlidhjes së Zotit të ushtrive që rri mbi kerubë. Të dy bijtë e Eliut, Hofniu e Finehasi, ishin me arkën e besëlidhjes së Perëndisë.
5 Porsa mbërriti arka e besëlidhjes së Zotit në fushim, gjithë Izraeli brohoriti fort saqë ushtoi toka. 6 Filistinët e dëgjuan brohoritjen e thanë: «Ç’është ky kushtrim kaq i fortë që vjen nga fushimi i hebrenjve?». Kur e morën vesh që kishte ardhur arka e Zotit, 7 u trembën e thanë: «Paska ardhur një perëndi në fushim! Mjerë ne! Kjo s’ka ndodhur ndonjëherë! 8 Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga dora e këtyre perëndive të fuqishëm? Këta perëndi goditën Egjiptin me çdo lloj plage në shkretëtirë. 9 Por, merrni zemër e bëhuni burra, o filistinë, përndryshe do t’u shërbeni hebrenjve siç na shërbyen ata neve! Bëhuni burra e luftoni!».
10 Atëherë filistinët luftuan dhe Izraeli u mund. Të gjithë ua mbathën nëpër tendat e veta dhe u bë gjakderdhje e madhe. Prej Izraelit u vranë tridhjetë mijë ushtarë. 11 U morën edhe arkën e Perëndisë dhe dy bijtë e Eliut, Hofniu e Finehasi, mbetën të vrarë.
Vdekja e Eliut
12 Po atë ditë erdhi me vrap në Shiloh një burrë nga beteja. Ai ishte benjaminas dhe i kishte petkat e grisura e kryet me dhe. 13 Teksa vinte, Eliu ishte ulur në ndenjëse buzë rrugës e po vështronte i shqetësuar për shkak të arkës së Perëndisë. Burri hyri në qytet, i njoftoi e i gjithë qyteti klithi. 14 Kur i dëgjoi britmat, Eliu pyeti: «Ç’janë këto britma?». Burri nxitoi e i tregoi Eliut, 15 që tashmë ishte nëntëdhjetë e tetë vjeç dhe nuk shihte, pasi e kishin lënë sytë. 16 Burri i tha: «Unë jam ai që mbërriti nga beteja. Sot ia mbatha». Eliu e pyeti: «Po bijtë e mi?». 17 Lajmëtari iu përgjigj: «Izraeli ia mbathi para filistinëve. Populli u bë kasaphanë dhe dy bijtë e tu, Hofniu e Finehasi, mbetën të vrarë. U mor edhe arka e Perëndisë». 18 Kur dëgjoi të përmendet arka e Perëndisë, Eliu ra me kurriz nga ndenjësja ndanë portës, theu qafën e vdiq, se ishte në moshë e në peshë. Ai kishte qenë gjyqtar në Izrael për dyzet vjet.
19 E reja e tij, gruaja e Finehasit, ishte shtatzënë. Kur dëgjoi lajmin për kapjen e arkës së Perëndisë dhe për vdekjen e të vjehrrit e të shoqit, e kapën dhimbjet e lindjes dhe lindi. 20 Teksa po jepte shpirt, gratë përreth i thanë: «Mos ki frikë, se linde djalë». Por ajo as u gjegj, as bëzajti. 21 Djaloshin e quajti Ikabod, se tha: «I iku lavdia Izraelit», për shkak se arka e Perëndisë u mor dhe se i vdiq i vjehrri dhe i shoqi. 22 Ajo tha: «I iku lavdia Izraelit, sepse u mor arka e Perëndisë».