Luftë me amalekitët
1 Pas tre ditësh Davidi e njerëzit e tij mbërritën në Ciklag, por amalekitët i kishin rënë Negevit e Ciklagut. E kishin sulmuar Ciklagun e i kishin vënë zjarrin. 2 Kishin marrë rob gratë e qytetit, nga më e reja te më e vjetra. Nuk kishin vrarë askënd, por i kishin dëbuar e ata kishin marrë udhën. 3 Kur mbërriti në qytet me njerëzit e tij, Davidi pa se qyteti po digjej e gratë ishin marrë rob me bij e bija. 4 Atëherë Davidi e burrat që ishin me të vunë kujën e qanë derisa s’patën më fuqi të qanin. 5 Ishin zënë rob edhe dy gratë e Davidit, Ahinoama prej Izrelit dhe Abigajla, gruaja e Nabalit prej Karmelit. 6 Davidi u gjend ngushtë, se populli po mendonte ta vriste me gurë ngaqë të gjithë ishin shumë të hidhëruar për shkak të bijve e bijave të tyre. Por Davidi gjeti forcë në Zotin, Perëndinë e tij.
7 Davidi i tha priftit Abiatar, birit të Ahimelekut, t’i sillte efodin dhe ai ia solli. 8 Atëherë Davidi e pyeti Zotin: «A ta ndjek këtë hordhi? A do t’i zë dot?» Ai i tha: «Po, ndiqi, se do t’i zësh e do t’i shpëtosh robërit». 9 Davidi u nis me gjashtëqind burra e mbërriti te përroi i Besorit. Disa prej tyre u ndalën aty. 10 Davidi i ndoqi edhe më tej me katërqind burra. Dyqind burrat që u ndalën te përroi i Besorit, ishin të rraskapitur e nuk mund të shkonin më tej.
11 Në fushë hasën një egjiptian, e çuan te Davidi e i dhanë bukë e ujë. 12 I dhanë edhe një copë bukëfiqe e dy vile rrushi të thatë. Ai hëngri dhe i erdhi shpirti në vend, se nuk kishte ngrënë e nuk kishte pirë për tri ditë e tri net. 13 Atëherë Davidi e pyeti: «I kujt je e nga vjen?». Ai iu përgjigj: «Jam djalosh egjiptian, shërbëtor i një amalekiti, por imzot më braktisi para tri ditësh, se u sëmura. 14 Ne plaçkitëm Negevin e Keretit, Negevin e Judës dhe Negevin e Kalebit, ndërsa Ciklagut i vumë zjarrin». 15 Davidi i tha: «A po më çon te kjo hordhi?». Ai i tha: «M’u beto për Perëndinë se nuk do të më vrasësh e nuk do të më dorëzosh tek imzot dhe unë do të të çoj tek ajo hordhi».
16 Kur i çoi tek amalekitët, ata ishin shpërndarë anekënd vendit e po festonin me prenë që kishin plaçkitur nga toka e filistinëve dhe e Judës. 17 Të nesërmen, Davidi i sulmoi në të gdhirë e nuk pushoi deri në mbrëmje. Asnjë nuk shpëtoi, përveç katërqind djelmosha që u hipën deveve e ikën. 18 Davidi shpëtoi dy gratë e veta e gjithçka që kishin plaçkitur amalekitët. 19 Nuk u mungonte asgjë e plaçkitur, nga më e madhja te më e vogla, as bij e bija, as plaçkë e pre. Davidi i ktheu të gjitha. 20 Ai mori edhe gjithë dhentë e qetë. Kur i sollën bagëtitë para tij thanë: «Kjo është preja e Davidit».
21 Pastaj Davidi u kthye te dyqind burrat që ishin ndalur te përroi i Besorit e nuk e kishin ndjekur Davidin, se kishin qenë të rraskapitur prej udhës. Ata dolën ta takonin Davidin e burrat që ishin me të. Davidi u afrua e i përshëndeti. 22 Disa njerëz të këqij e të poshtër, që kishin shkuar me Davidin, thanë: «Këta nuk erdhën me ne, prandaj nuk do t’u japim asgjë prej plaçkës që kapëm. Të marrin vetëm gratë e fëmijët e vet e të ikin». 23 Davidi u tha: «Vëllezërit e mi, mos veproni kështu me ç’na dha Zoti. Ai na ruajti e na e dorëzoi hordhinë që na sulmoi. 24 E kush do t’u vërë vesh fjalëve tuaja! Si ata që shkuan në luftë, edhe ata që ndenjën me pajisjet do të marrin pjesë të barabarta». 25 Që nga ajo ditë, ky është rregull e zakon në Izrael deri më sot.
26 Kur Davidi mbërriti në Ciklag, i dërgoi pleqësisë së Judës e miqve të vet një pjesë të presë e u tha: «Ja një dhuratë prej presë së armiqve të Zotit!». 27 Ua dërgoi atyre që ishin në Betel, në Ramot të Negevit, në Jatir, 28 në Aroer, në Sifmot, në Eshtemoa, 29 në Rakal, në qytetet e Jerahmelit, në qytetet e Keniut, 30 në Hormah, në Borashan, në Atak, 31 në Hebron e në të gjitha vendet ku kishte shkuar Davidi me njerëzit e tij.