1 Samuelit 25

Vdekja e Samuelit

Samueli vdiq. Mbarë Izraeli u mblodh dhe e vajtoi. E varrosën në vendlindjen e tij, në Ramah. Atëherë Davidi u ngrit e shkoi në shkretëtirën e Paranitl.

Në Maon jetonte një burrë shumë i pasur që punonte në Karmel. Ai kishte tre mijë dhen dhe një mijë dhi. Në atë kohë gjendej në Karmel për qethjen e dhenve. Ai quhej Nabal dhe e shoqja quhej Abigajlë. Ajo ishte e mençur dhe e bukur, ndërsa i shoqi i vrazhdë e i lig. Ai ishte prej familjes së Kalebit. Kur Davidi dëgjoi në shkretëtirë se Nabali po qethte dhentë, dërgoi dhjetë djelmosha e u tha: «Shkoni te Nabali në Karmel, përshëndeteni në emrin tim e thuajini: “Të paça me jetëll! Paqja qoftë me ty, me shtëpinë tënde e me gjithçka që të përket. Dëgjova se po qeth dhentë. Ti e di se ne nuk i ngacmuam barinjtë e tu kur ishin me ne. Nuk u humbi as një qengj gjatë gjithë kohës që ishin në Karmel. Pyeti djelmoshat e ata do të të tregojnë. Prandaj, priti mirë djelmoshat e mi. Të kemi ardhur në ditë të mirë. Jepu shërbëtorëve të tu dhe birit tënd, Davidit, ç’të të gjendet”».

Djelmoshat e Davidit shkuan te Nabali, ia thanë të gjitha këto fjalë në emër të Davidit dhe pritën. 10 Atëherë Nabali iu përgjigj shërbëtorëve të Davidit e u tha: «Kush është Davidi? E kush është biri i Jeseut? Sot ka shumë shërbëtorë që u ikin zotërinjve të tyre! 11 Pse, u dashka ta marr bukën time, ujin tim e flinë time, që kushtova për qethtarët e mi, e t’ua jap disa njerëzve që nuk e di as nga vijnë?». 12 Djelmoshat e Davidit u kthyen e i treguan Davidit gjithçka. 13 Atëherë Davidi u tha njerëzve të tij: «Ngjishni shpatat!». Të gjithë bashkë me Davidin ngjeshën shpatat dhe katërqind burra shkuan pas tij. Dyqind të tjerë ndenjën me pajisjet.

14 Njëri nga djelmoshat foli me Abigajlën, të shoqen e Nabalit, e i tha: «Davidi i dërgoi zotërisë sonë lajmëtarë nga shkretëtira për ta uruar, por ai iu hakërrye. 15 Këta njerëz janë treguar të mirë me ne, nuk na kanë ngacmuar e nuk na ka humbur asgjë kur endeshim me ta nëpër ara. 16 Na u bënë mur mbrojtës natë e ditë gjatë gjithë kohës që kullotnim tufat me ta. 17 Tani, mendohu mirë se çfarë do të bësh, se ka për ta zënë e keqja zotërinë tonë e shtëpinë e tij. Ai është i poshtër e askush nuk i flet dot».

18 Atëherë Abigajla mori me nxitim dyqind bukë, dy kacekë verë, pesë dele të gatuara, pesë masa drithi të pjekur, njëqind vile rrush të thatë e dyqind bukëfiqe e i ngarkoi mbi gomarë. 19 Pastaj u tha shërbëtorëve të vet: «Shkoni para, se unë do të vij pas jush», pa i treguar asgjë Nabalit, të shoqit. 20 Kur ajo po zbriste, hipur mbi gomar, nën hijen e malit, i dolën para Davidi e njerëzit e tij dhe ajo i takoi.

21 Ndërkohë Davidi po thoshte me vete: «Kot ia ruajta gjënë këtij në shkretëtirë pa i humbur asgjë. Ai po ma kthen të mirën me të keqe. 22 Më zi ma bëftë Perëndia nëse deri nesër në të gdhirë i lë gjallë ndonjë mashkull».

23 Kur e pa Davidin, Abigajla zbriti me të shpejtë prej gomarit e ra përdhe para tij me nderim. 24 Ra te këmbët e tij e i tha: «Faji është i imi, imzot, vetëm i imi. Të lutem lëre shërbëtoren tënde të flasë! Dëgjoje fjalën e shërbëtores sate! 25 Të mos shqetësohet imzot për Nabalin, për këtë njeri të poshtër, sepse siç ka emrin, ashtu është, Nabal quhet e i marrë është. Por unë, shërbëtorja jote, nuk i pashë djelmoshat që kishte dërguar imzot.

26 E tani, imzot, pasha Zotin e pasha jetën tënde, Zoti nuk të la të derdhje gjak e të merrje hak me dorën tënde. U bëfshin si Nabali të gjithë armiqtë e tu e të gjithë ata që i duan të keqen timzoti. 27 Prandaj, pranoje këtë dhuratë që shërbëtorja jote i solli timzoti e jepua djelmoshave që ndjekin timzot. 28 Falja shkeljen shërbëtores sate, se Zoti me të vërtetë do t’i japë timzoti një mbretëri të përhershme. Imzot po lufton betejat e Zotit dhe asnjë mbrapshti nuk do të gjendet në ty gjatë gjithë jetës tënde. 29 Edhe nëse ngrihet dikush të të përndjekë e të të marrë jetën, jeta e timzoti do të jetë në shtjellën e të gjallëve pranë Zotit, Perëndisë tënd, ndërsa shpirti i armiqve do të vërtitet si guri me hobe. 30 E kur Zoti t’i përmbushë të gjitha mirësitë që i premtoi timzoti e të të caktojë prijës mbi Izraelin, 31 timzot nuk do ta brejë ndërgjegjja për gjakun që do të derdhte kot apo se do të merrte vetë hak. E kur Zoti t’i sjellë mirësi timzoti, kujtohu për shërbëtoren tënde».

32 Atëherë Davidi i tha Abigajlës: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që të dërgoi sot për të më takuar. 33 Bekuar qofsh për urtinë që tregove, se sot nuk më le të derdhja gjak e të merrja vetë hak. 34 Pasha Perëndinë e Izraelit, që nuk më la të të bëja keq, po të mos kishe nxituar për të më takuar, Nabalit nuk do t’i kishte mbetur në mëngjes asnjë mashkull». 35 Atëherë Davidi mori prej saj çfarë i kishte sjellë e i tha: «Kthehu e qetë në shtëpi. Ta dëgjova fjalën e po ta plotësoj kërkesën».

36 Abigajla u kthye te Nabali. Ai po festonte në shtëpi si në një gosti mbreti. Ishte i gëzuar e shumë i dehur. Abigajla nuk i tregoi asgjë deri në të gdhirë. 37 Të nesërmen në mëngjes, pasi i doli pija, Abigajla, e shoqja, i tregoi gjithçka. Nabalit i ngriu zemra në kraharor e shtangu si gur. 38 Pas dhjetë ditëve, Zoti e goditi Nabalin e ai vdiq.

39 Kur mori vesh se Nabali kishte vdekur, Davidi tha: «Bekuar qoftë Zoti që e shpagoi fyerjen që më bëri Nabali, ai nuk e la shërbëtorin e tij të bënte keq e Nabalit i ra mbi kokë e keqja e vet». Atëherë Davidi dërgoi disa njerëz të flisnin me Abigajlën që ta merrte për grua. 40 Shërbëtorët e Davidit shkuan në Karmel te Abigajla e i thanë: «Davidi na ka dërguar te ti që të të marrim nuse». 41 Ajo u ngrit, u përkul përdhe e u tha: «Ja, shërbëtorja jote është gati t’ua lajë këmbët shërbëtorëve të imzoti». 42 Abigajla u ngrit me nxitim e i hipi gomarit. Bashkë me pesë shërbëtoret e saj ndoqi lajmëtarët e Davidit. Ajo u bë gruaja e tij.

43 Davidi kishte marrë për grua edhe Ahinoamën prej Izrelit. Të dyja u bënë gratë e tij. 44 Mikalën, bijën e vet, gruan e Davidit, Sauli ia kishte dhënë Paltiut, birit të Laishit prej Galimit.


 l25.1 të tjerë: Maonit

 ll25.6 të tjerë: Kështu i thoni vëllait tim