1 Samuelit 14

Jonatani mund filistinët

Një ditë, Jonatani, biri i Saulit, i tha armëmbajtësit të vet: «Eja të shkojmë te fushimi filistin në anën tjetër». Ai nuk i tregoi të atit. Sauli qëndronte në rrethinat e Gibeahut, nën pemën e shegës në Migron. Me të ishin gjashtë mijë veta. Edhe Ahijahu, biri i Ahitubit, vëllai i Ikabodit, birit të Finehasit, të birit të Eliut, priftit të Zotit në Shiloh, ishte atje veshur me efod. Ushtria nuk e dinte se Jonatani kishte ikur. Vendkalimi për te fushimi filistin, ku mendonte të kalonte Jonatani, kishte nga një shkëmb të thepisur në të dyja anët. Njëri shkëmb quhej Bocec e tjetri Seneh. Njëri ngrihej në veri, kundruall Mikmasit, tjetri në jug, kundruall Gebës.

Jonatani i tha armëmbajtësit: «Eja të shkojmë te fushimi i këtyre të parrethprerëve. Ndoshta Zoti do të na përkrahë, sepse për Zotin fitorja nuk është e pamundur, në jemi shumë a pak». Armëmbajtësi i tha: «Bëj siç ke ndër mend. Nisu, pra, se më ke në krah për çdo gjë që ke ndër mend të bësh». Jonatani i tha: «Eja të shkojmë e t’u dalim para. Nëse na thonë: “Ndaluni, se erdhëm”, do të ndalemi në vend e nuk do të ngjitemi te ta. 10 Nëse na thonë: “Ngjituni”, do të shkojmë, se kjo do të jetë shenja përmes së cilës do ta dimë se Zoti na i ka dorëzuar». 11 Ata të dy i dolën para fushimit të filistinëve. Filistinët thanë: «Ja, hebrenjtë po dalin nga vrimat ku janë futur». 12 Burrat e fushimit i thanë Jonatanit dhe armëmbajtësit: «Ngjituni, se kemi diçka për t’ju treguar». Atëherë Jonatani i tha armëmbajtësit: «Më ndiq, se Zoti i dorëzoi në duart e Izraelit». 13 Jonatani u ngjit këmbadoras dhe armëmbajtësi e ndiqte pas. Filistinët binin para Jonatanit dhe pas tij i vriste armëmbajtësi. 14 Në sulmin e parë, Jonatani dhe armëmbajtësi vranë njëzet burra brenda një are të vogël. 15 Atëherë u tmerrua fushimi nëpër ara e mbarë populli. U tmerruan çeta dhe luftëtarët. Toka u trand. Tmerr Perëndie!

16 Vrojtuesit e Saulit në Gibeah të Benjaminit panë se turma po shpërndahej sa andej-këtej. 17 Atëherë Sauli i tha popullit që ishte me të: «Rreshtohuni e shihni a ka ikur ndonjëri prej nesh». Ata u rreshtuan dhe vunë re se mungonte Jonatani e armëmbajtësi i tij. 18 Pastaj Sauli i tha Ahijahut: «Sille arkën e Perëndisë!». Se arka e Perëndisë ishte ato ditë me izraelitëti19 Ndërsa Sauli fliste me priftin, trazira në fushimin e filistinëve bëhej gjithnjë e më e madhe, prandaj dhe Sauli i tha priftit: «Ndale dorën!». 20 Sauli mblodhi tërë popullin që ishte me të e doli në luftë. U bë një pështjellim i madh. Filistinët po vrisnin njëri-tjetrin me shpatë. 21 Hebrenjtë që ishin bashkuar më parë me filistinët dhe ishin në fushim me ta, dolën kundra e u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin e Jonatanin. 22 Kur e morën vesh tërë izraelitët që ishin fshehur në malësinë e Efraimit se filistinët po ua mbathnin, dolën edhe ata në luftë e i ndoqën pas. 23 Atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin. Beteja u shtri deri në Bet Aven.

Betimi i Saulit

24 Izraelitët ishin të rraskapitur atë ditë, se Sauli i kishte vënë në be kur kishte thënë: «Mallkuar qoftë kushdo që ha para se të ngryset, para se unë të hakmerrem kundër armiqve të mi». Kështu, populli nuk futi gjë në gojë. 25 Atëherë tërë populli hyri në një pyll ku mjalti pikonte përtokë. 26 Por, kur hynë në pyll, edhe pse e shihnin mjaltin që pikonte, askush nuk guxonte të zgjaste dorën e të hante, se i trembeshin betimit. 27 Jonatani nuk e kishte dëgjuar betimin e të atit para popullit, prandaj zgjati shkopin, e ngjeu majën në hojet e mjaltit dhe e futi në gojë. Sytë i ndritën. 28 Atëherë dikush nga populli i tha: «Yt atë e vuri në be popullin e i tha: “Mallkuar qoftë kush ha sot”, prandaj dhe populli është kapitur». 29 Jonatani i tha: «Im atë po e mundon vendin. Shih si më ndritën sytë kur hëngra vetëm pak nga ky mjaltë! 30 Sikur populli të kishte ngrënë sot nga preja që u kapi armiqve, humbja e filistinëve do të kishte qenë edhe më e madhe».

31 Atë ditë u ranë filistinëve nga Mikmasi deri në Ajalon. Populli u këput nga lodhja. 32 Atëherë iu lëshuan presë që kishin kapur me dhen, lopë e viça. I therën përtokë dhe i hëngrën me gjithë gjak. 33 Saulin e lajmëruan e i thanë: «Ja, populli po mëkaton kundër Zotit duke ngrënë gjak». Sauli u përgjigj: «Ah, të pabesë! Rrokullisni një gur të madh e silleni këtu. 34 Shkoni nëpër popull e u thoni ta sjellin kaun a dashin tek unë. Ta therin këtu e pastaj ta hanë, që të mos mëkatojnë kundër Zotit duke e ngrënë me gjak». Atë natë secili solli kaun e vet dhe e theri atje. 35 Kështu, Sauli i ndërtoi Zotit një altar. Ai ishte altari i parë që ndërtoi për Zotin.

Populli shpëton Jonatanin

36 Pastaj Sauli tha: «T’i sulmojmë filistinët natën, t’i plaçkisim deri në agim e të mos lëmë njeri gjallë». Ata u përgjigjën: «Vepro si të të duket më mirë». Por prifti tha: «Le të kërkojmë këshillë prej Perëndisë». 37 Atëherë Sauli e pyeti Perëndinë: «A t’i ndjek filistinët? A do t’ia dorëzosh Izraelit?». Por nuk mori përgjigje atë ditë. 38 Atëherë Sauli urdhëroi: «Të dalin tërë prijësit e popullit që të shqyrtojmë e të gjejmë kush mëkatoi sot. 39 Pasha Zotin, shpëtimtarin e Izraelit, edhe në qoftë Jonatani, biri im, do të dënohet me vdekje». Por askush prej popullit nuk u përgjigj. 40 Pastaj ai u tha tërë izraelitëve: «Ju rrini në një anë, ndërsa unë e Jonatani, biri im, do të rrimë në anën tjetër». Populli iu përgjigj: «Bëj si të të duket më mirë». 41 Sauli i tha Zotit, Perëndisë së Izraelit: «Tregoje përmes Tumimit». Shorti i ra Jonatanit dhe Saulit, ndërsa populli doli i lirë. 42 Sauli tha: «Hidheni shortin mes meje e Jonatanit, birit tim». Dhe shorti i ra Jonatanit.

43 Atëherë Sauli i tha Jonatanit: «Më thuaj çfarë bëre». Jonatani iu përgjigj: «Hëngra pak mjaltë me majën e shkopit dhe ja, do të vdes!». 44 Sauli tha: «Keq e më keq ma bëftë Perëndia, se ti, o Jonatan, ke për të vdekur». 45 Por populli tha: «Si të vdesë Jonatani? Ai ia solli këtë fitore të madhe Izraelit. Larg qoftë! Pasha Zotin, asnjë fije floku s’ka për t’i rënë përtokë, se Jonatani veproi bashkë me Perëndinë sot». Kështu, populli e shpëtoi Jonatanin dhe ai nuk vdiq. 46 Pastaj Sauli u tërhoq nga ndjekja e filistinëve e ata u kthyen në vendin e vet.

Mbretërimi i Saulit

47 Sauli arriti ta sundonte Izraelin dhe luftoi kundër gjithë armiqve përreth, Moabit, amonitëve, Edomit, mbretërve të Cobahut dhe filistinëve. Ngado që mësynte, fitonte. 48 Ai luftoi si trimat dhe goditi Amalekun. Ai e shpëtoi Izraelin nga dora e kujtdo që e plaçkiste.

49 Bijtë e Saulit ishin Jonatani, Ishviu e Malkishuai. Emrat e dy bijave ishin Meraba, vajza e madhe, e Mikala, vajza e vogël. 50 Gruaja e Saulit quhej Ahinoama, bija e Ahimacit. Kreu i ushtrisë së tij ishte Abneri, biri i Nerit, ungjit të Saulit. 51 Kishi, ati i Saulit e Neri, ati i Abnerit, ishin bijtë e Abielit.

52 Gjatë gjithë jetës së Saulit pati luftë të ashpër kundër filistinëve. Këdo që shihte si burrë trim e të fortë, Sauli e merrte nën shërbimin e vet.


 i14.18 të tjerë: Merre efodin, se ai e mbante efodin ato ditë në prani të izraelitëve