Beteja me filistinët
1 Sauli ishte tridhjetë vjeç kur u bë mbret dhe kishte dy vjet që sundonte në Izrael. 2 Ai zgjodhi tre mijë izraelitë. Dy mijë veta ishin me të në Mikmas e në malësinë e Betelit, ndërsa një mijë ishin me Jonatanin në Gibeahun e Benjaminit. Pjesën tjetër të popullit e nisi secilin në shtëpinë e vet. 3 Jonatani sulmoi kullën e vrojtimit në Gebë dhe tërë filistinët e morën vesh. Edhe Sauli i ra borisë anekënd vendit e shpalli: «Ta marrin vesh hebrenjtë!». 4 Kur mbarë populli dëgjoi se Sauli kishte sulmuar kullën e vrojtimit të filistinëve dhe se kështu e kishte futur Izraelin në armiqësi me ta, u mblodh në Gilgal rreth Saulit.
5 Edhe filistinët mblodhën për luftë kundër Izraelit tre mijë karroca, gjashtë mijë kalorës dhe ushtarë të panumërt, porsi rëra e detit. Ata u nisën e fushuan në Mikmas, në lindje të Bet Avenit. 6 Kur e panë izraelitët se ishin në rrezik, ngaqë ushtria e tyre gjendej ngushtë, u fshehën nëpër shpella, pyje, shkrepa, guva e puse. 7 Disa hebrenj kaluan përtej Jordanit, në tokën e Gadit e të Gileadit. Sauli ishte ende në Gilgal, por tërë ushtria përreth tij dridhej nga frika.
8 Sauli priti shtatë ditë, siç kishte caktuar Samueli, por ai nuk erdhi në Gilgal dhe ushtria filloi të shpërndahej. 9 Sauli tha: «M’i sillni flitë e shkrumbimit e të paqtimit». Atëherë kushtoi flinë e shkrumbimit. 10 Sapo përfundoi flinë e shkrumbimit, mbërriti Samueli. Sauli doli ta takonte e ta përshëndeste. 11 Por Samueli i tha: «Çfarë bëre kështu?». Ai iu përgjigj: «Kur pashë se ushtria po largohej prej meje dhe se ti nuk po vije në kohën e caktuar, ndërkohë që filistinët po mblidheshin në Mikmas, 12 mendova se filistinët do të më sulmonin në Gilgal, pa e marrë ende bekimin prej Zotit, prandaj m’u desh ta kushtoja flinë e shkrumbimit». 13 Samueli i tha: «Veprove marrëzisht! Nuk e mbajte urdhrin që të dha Zoti, Perëndia yt. Zoti do ta kishte bërë mbretërinë tënde në Izrael të palëkundur deri në amshim, 14 por tani mbretëria jote nuk do të qëndrojë më. Zoti ka kërkuar një njeri tjetër sipas zemrës së vet dhe e ka urdhëruar t’i prijë popullit të tij, sepse ti nuk e zbatove urdhrin e Zotit».
15 Samueli u ngrit e shkoi nga Gilgali në Gibeah të Benjaminit. Sauli i rreshtoi njerëzit që gjendeshin përreth tij. Ishin gjashtë mijë veta. 16 Sauli, Jonatani, i biri, dhe populli që gjendej me ta qëndruan në Gebën e Benjaminit, ndërsa filistinët kishin fushuar në Mikmas. 17 Prej fushimit të filistinëve doli një njësi luftarake e ndarë në tri grupe. Njëra mori drejtimin e Ofrahut, në tokën e Shualit, 18 tjetra mori drejtimin e Bet Horonit dhe e treta mori drejtimin e kufirit me pamje poshtë nga lugina e Ceboimit dhe shkretëtirës.
19 Në atë kohë nuk gjendej asnjë farkëtar në tokën e Izraelit, sepse filistinët nuk i lejonin hebrenjtë të bënin shpata e heshta. 20 Çdo izraelit shkonte te filistinët nëse i duhej të mprehte plugun, kazmën, sëpatën apo draprin. 21 Mprehja e plugut dhe e kazmës kushtonte dy të tretat e siklës, ndërsa mprehja e sëpatës dhe ndreqja e hostenit kushtonte një të tretën e siklës. 22 Kështu, pra, në ditën e betejës, përveç Saulit e Jonatanit, askush nga ata që i ndiqte nuk kishte as shpatë, as heshtë.
23 Ndërkohë një çetë filistine kishte dalë te gryka e Mikmasit.