Sauli vajoset mbret
1 Samueli mori enën me vaj dhe e zbrazi mbi kryet e Saulit, pastaj e puthi e i tha: «Zoti të vajosi si prijës për trashëgiminë e tijg. 2 Kur të largohesh sot prej meje, do të takosh dy njerëz pranë varrit të Rakelës, në tokën e Benjaminit, në Celcah. Ata do të të thonë se i kanë gjetur gomaricat që po kërkoje dhe se yt atë në vend që të shqetësohet për gomaricat shqetësohet për ju e thotë: “Çfarë të bëj për tim bir?”. 3 Pastaj, kur të kalosh përtej e të mbërrish te lisi i Taborit, do të takosh tre njerëz që po shkojnë për të kërkuar Perëndinë në Betel. Njëri prej tyre do jetë duke mbajtur tre keca, tjetri tri bukë të rrumbullakëta e i fundit një kacek me verë. 4 Do të të përshëndesin e pastaj do të të japin dy bukë të rrumbullakëta, të cilat do t’i marrësh. 5 Më pas do të mbërrish në Gibeah Elohim, ku gjenden çetat e filistinëve. Kur të hysh në qytet, do të takosh një turmë profetësh, që po profetizon teksa zbresin prej faltoreve në vende të larta, duke i rënë lirës, dajres e qestes. 6 Shpirti i Zotit do të vërshojë mbi ty e ti do të fillosh të profetizosh bashkë me ta. Do të shndërrohesh në një njeri tjetër. 7 Kur të shohësh se janë përmbushur këto shenja, vepro sapo të mundesh, se Perëndia është me ty. 8 Pastaj shko para meje në Gilgal. Unë do të vij më pas për të kushtuar fli shkrumbimi e fli paqtimi. Më prit për shtatë ditë që të të tregoj çfarë të bësh».
9 Sapo Sauli i ktheu shpinën Samuelit për t’u larguar, Perëndia ia tjetërsoi zemrën e të gjitha shenjat u plotësuan po atë ditë. 10 Ai mbërriti në Gibeah, ku e takoi një turmë profetësh. Shpirti i Perëndisë vërshoi mbi të e ai filloi të profetizonte mes tyre. 11 Kur ata që e njihnin më parë e panë se po profetizonte bashkë me profetët, filluan t’i thoshin njëri-tjetrit: «Ç’po i ndodh birit të Kishit? Edhe Sauli qenka profet?». 12 Një nga vendasit u përgjigj: «Pse jo, bijtë e kujt qenkan këta të tjerët?». Kështu lindi thënia: «Pse, edhe Sauli qenka profet?». 13 Pasi përfundoi së profetizuari, Sauli shkoi në faltoret në vende të larta.
14 Ungji i Saulit i tha Saulit dhe shërbëtorit të tij: «Ku keni qenë?». Ai iu përgjigj: «Shkuam për të kërkuar gomaricat dhe, pasi nuk i gjetëm, shkuam te Samueli». 15 Ungji i tha: «Më trego çfarë ju tha Samueli?». 16 Sauli iu përgjigj: «Na tregoi se gomaricat ishin gjetur», por nuk i tregoi çfarë i kishte thënë Samueli për mbretërinë.
17 Samueli e mblodhi popullin para Zotit në Micpah 18 e u tha izraelitëve: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit. Unë e nxora Izraelin prej Egjiptit. Ju çlirova edhe ju prej dorës së egjiptianëve e prej gjithë mbretërive që po ju shtypnin. 19 Ju sot e përbuzët Perëndinë tuaj, që ju shpëtoi prej çdo fatkeqësie e vështirësie, duke thënë: “Na cakto një mbret”. Tani, pra, paraqituni para Zotit sipas fiseve e familjeve».
20 Samueli i paraqiti të gjitha fiset e Izraelit dhe shorti i ra fisit të Benjaminit. 21 Pastaj paraqiti familjet e Benjaminit dhe shorti i ra familjes së Matriut. Mandej shorti i ra Saulit, birit të Kishit. E kërkuan Saulin, por nuk po e gjenin. 22 Atëherë u këshilluan sërish me Zotin: «A presim të vijë ndonjë tjetër?». Zoti tha: «Ja ku është, i fshehur pas sendeve». 23 Ata vrapuan dhe e morën që andej. Ai qëndroi në mes të popullit. Ishte shtatlartë, një kokë më lart se tërë populli. 24 Atëherë Samueli i tha mbarë popullit: «A e shihni kë ka zgjedhur Zoti. Nuk ka si ai në mbarë popullin». Tërë populli brohoriti: «Rroftë mbreti!».
25 Samueli i tregoi popullit të drejtat e mbretit. I shkroi në libër dhe i vuri para Zotit. Pastaj Samueli e nisi popullin, secilin në shtëpinë e vet. 26 Edhe Sauli u kthye në shtëpinë e vet, në Gibeah, dhe me të shkuan luftëtarët që Perëndia i kishte prekur në zemër. 27 Por disa njerëz të poshtër thanë: «Ky do të na shpëtuaka?». E përbuzën e nuk i çuan asnjë dhuratë, por Sauli bëri sikur nuk i dëgjoi.
g10.1 të tjerë: Ti do të sundosh popullin e Zotit dhe do ta çlirosh prej dorës së armiqve të tij që janë përreth. Dhe, ja, shenja se Perëndia të ka vajosur për prijës mbi trashëgimin e vet