Lindja e Samuelit
1 Ishte një herë një burrë prej Ramahut, një cofit nga malet e Efraimit, që quhej Elkanah. Ai ishte biri i Jerohamit, të birit të Elihuit, të birit të Tohuit, të birit të Cuf Efratitit. 2 Elkanahu kishte dy gra. Njëra quhej Ana, tjetra Penina. Penina kishte fëmijë, ndërsa Ana jo.
3 Ky njeri nisej për vit nga qytetit i tij e shkonte në Shiloh për të adhuruar e për t’i kushtuar fli Zotit të ushtrive. Atje shërbenin si priftërinj të Zotit dy bijtë e Eliut, Hofniu e Finehasi. 4 Kur kushtonte fli, Elkanahu u jepte nga një pjesë të flisë Peninës, gruas së tij, dhe tërë bijve e bijave të saj, 5 ndërsa Anës i jepte vetëm një pjesëa, sepse, edhe pse e donte, Zoti e kishte lënë beronjë. 6 Anën e mundonte edhe kundërshtarja e saj që e thumbonte për shkak se Zoti e kishte lënë beronjë. 7 Kështu ndodhte çdo vit. Sa herë që shkonte në shtëpinë e Zotit, kundërshtarja e thumbonte dhe ajo qante e nuk hante. 8 Elkanahu, i shoqi, i thoshte: «Përse qan e nuk ha? Përse je e trishtuar? A nuk jam unë për ty më i mirë sesa dhjetë djem?».
9 Një herë, pasi patën ngrënë e pirë në Shiloh, Ana u ngrit ndërsa prifti Eli rrinte ulur në ndenjëse, në të hyrë të tempullit të Zotit. 10 Me shpirt të këputur, ajo iu lut Zotit e vajtoi me dënesë 11 duke iu betuar: «O Zot i ushtrive, në e pafsh mjerimin e shërbëtores tënde, në e kujtofsh e në mos e harrofsh shërbëtoren tënde, në më dhënç një trashëgimtar, ty, o Zot, do të ta kushtoj tërë jetën e tij e brisku nuk ka për t’ia prekur flokun e kokës».
12 Ndërsa i lutej ende Zotit, Eliu po vështronte buzët e saj. 13 Ana po lutej në zemrën e saj, vetëm duke lëvizur buzët e pa bërë zë. Kështu, Eliu kujtoi se kishte pirë, 14 prandaj edhe i tha: «Edhe sa kohë do të rrish e dehur? Mos pi më verë!». 15 Ana iu përgjigj: «Jo, imzot, nuk kam pirë as verë, as pije të forta. Më dhemb shpirti, prandaj dhe po ia zbraz zemrën Zotit. 16 Mos kujto se shërbëtorja jote është grua e pahijshme. Gjithë kësaj kohe jam lutur për shkak të mjerimit dhe dëshpërimit tim të madh». 17 Atëherë Eliu i tha: «Shko në paqe. Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre!». 18 Ajo i tha: «Gjettë hir para teje shërbëtorja jote!». Pastaj shkoi udhës së vet, hëngri dhe nuk pati më fytyrë të trishtuar.
19 Të nesërmen u ngritën herët në mëngjes, adhuruan Zotin dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu fjeti me Anën, gruan e tij, dhe Zoti e kujtoi. 20 Kur u plotësuan ditët, Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë. Ajo e quajti Samuel, sepse tha: «Zotit ia kërkova!».
21 Elkanahu me mbarë familjen e tij shkoi për t’i kushtuar flinë vjetore Zotit dhe për të përmbushur kushtin e tij. 22 Por Ana nuk shkoi me të, sepse i tha të shoqit: «Vetëm pasi ta ndaj nga gjiri do ta sjell djalin e do ta paraqes te Zoti, që të jetojë atje përherë». 23 Elkanahu, i shoqi, iu përgjigj: «Bëj si të të duket më mirë. Rri derisa ta ndash nga gjiri. Zoti e përmbushtë fjalën e tij!». Kështu, Ana ndenji për të mëkuar të birin derisa e ndau nga gjiri. 24 Pasi e ndau nga gjiri, ajo e solli të birin në Shiloh bashkë me një mëzat tre vjeçarb, një kilogram miell dhe një kacek vere. Djaloshi ishte ende i vogël. 25 Si e therën mëzatin, e sollën djaloshin tek Eliu 26 dhe ajo tha: «Të lutem, imzot, pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati ndenjur me ty këtu duke iu lutur Zotit. 27 Për këtë djalë u luta dhe Zoti ma plotësoi kërkesën që i bëra. 28 Prandaj dhe unë po ia fal Zotit. Sa të jetë gjallë, djaloshi do t’i përkasë Zotit».