1 Mbretërve 9

Zoti i shfaqet sërish Solomonit

Kur Solomoni mbaroi ndërtimin e tempullit të Zotit, pallatin mbretëror dhe të gjitha ndërtesat që donte të bënte, Zoti iu shfaq për herë të dytë, ashtu siç i ishte shfaqur në Gibeon, e i tha: «E dëgjova lutjen dhe përgjërimin që bëre para meje, e shenjtërova këtë tempull që ndërtove dhe aty vendosa emrin tim për amshim. Sytë e mi dhe zemra ime do të jenë përherë aty. Nëse ti ecën para meje siç eci ati yt, Davidi, me zemër të pastër e të drejtë, nëse zbaton gjithçka të kam urdhëruar e nëse mban rregullat e vendimet e mia, do ta bëj gjithmonë të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate në Izrael, siç i premtova Davidit, atit tënd, kur i thashë: “Nuk do t’ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit”. Por nëse ju dhe bijtë tuaj më braktisni, nuk i mbani urdhërimet dhe rregullat që ju dhashë unë dhe shkoni pas perëndive të tjerë, duke u shërbyer e duke u përkulur para tyre, do ta zhduk Izraelin nga faqja e dheut që i kam dhënë. Edhe këtë tempull, që e shenjtërova për nder të emrit tim, do ta flak larg pranisë sime dhe Izraeli do të bëhet përrallë e tallje për të gjithë popujt. Të gjithë ata që do të kalojnë pranë këtij tempulli të madhërishëmç, do të tmerrohen e të çuditur do të thonë: “Përse u soll kështu Zoti me këtë vend e me këtë tempull?”. E do t’u përgjigjen: “Sepse ata e lanë Zotin, Perëndinë e tyre, që i nxori paraardhësit e tyre nga toka e Egjiptit, dhe shkuan pas perëndive të tjerë, u përkulën para tyre e u shërbyen. Prandaj Zoti solli mbi ta këtë fatkeqësi”».

Vepra të tjera të Solomonit

10 Solomonit iu deshën njëzet vjet për t’i ndërtuar të dyja godinat e mëdha, tempullin e Zotit dhe pallatin mbretëror. 11 Hirami, mbreti i Tirit, i kishte dërguar Solomonit drutë e cedrit, të qiparisit dhe të gjithë arin që i ishte dashur. Solomoni i dha Hiramit njëzet qytete në krahinën e Galilesë. 12 Hirami erdhi nga Tiri për të parë qytetet që i kishte dhënë Solomoni, por nuk i pëlqyen. 13 Ai i tha Solomonit: «Vëllai im, ç’qytete janë këto që më ke dhënë?». I quajti Krahina e Kabulit e kështu njihen ato edhe sot e kësaj dite. 14 Hirami i dërgoi mbretit tre tonë e gjysmë ar.

15 Këto ishin ndërtimet që mbreti Solomon urdhëroi të bëhen me punë të detyruar: tempulli i Zotit, pallati i vet mbretëror, Miloja, muret e Jerusalemit, Hacori, Megidoja dhe Gezeri. 16 Faraoni, mbreti i Egjiptit, kishte sulmuar e pushtuar Gezerin, e kishte djegur dhe kananitët që banonin në të i kishte vrarë. Pastaj qytetin ia kishte dhënë si prikë vajzës së vet, gruas së Solomonit. 17 Prandaj Solomoni e rindërtoi Gezerin. Ai rindërtoi edhe Bet Horonin e poshtëm, 18 Baalatin dhe Tadmorin, në krahinën e shkretë të vendit, 19 si edhe të gjitha qytetet ku Solomoni grumbullonte prodhimet, qytetet për karrocat e luftës dhe qytetet për kalorësinë. Ai përfundoi edhe gjithçka që dëshironte të ndërtonte në Jerusalem, në Liban dhe në të gjitha krahinat e mbretërisë së tij. 20 Të gjithë ata që kishin mbetur prej amoritëve, hititëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve e që nuk i përkisnin popullit të Izraelit, 21 si edhe parardhësit e tyre, që kishin mbetur ende në vend, ngaqë izraelitët nuk ia kishin dalë t’i shfarosnin, Solomoni i vuri të bënin punë të detyruar e kështu ndodh ende sot. 22 Solomoni nuk i bëri skllevër pune izraelitët, por i caktoi luftëtarë, zyrtarë, prijës, krerë, komandantë dhe drejtues të karrocave dhe të kalorësisë së tij.

23 Krerët e atyre që mbikëqyrnin punimet e Solomonit ishin pesëqind e pesëdhjetë. Ata ishin përgjegjës për punëtorët.

24 Kur e bija e faraonit u largua nga qyteti i Davidit për të banuar në pallatin e ndërtuar për të, Solomoni ndërtoi Milonë.

25 Solomoni kushtonte tri herë në vit fli shkrumbimi e paqtimi mbi altarin që kishte ndërtuar për Zotin, ku digjte edhe temjan para Zotit. Kështu, ndërtimi i tempullit përfundoi.

26 Solomoni ndërtoi edhe një flotë në Ecjon Geber, që ndodhet pranë Ejlatit, në brigjet e detit të Kuq, në tokën e Edomit. 27 Hirami i dërgoi Solomonit disa nga detarët e tij, që e njihnin mirë detin, për të punuar bashkë me shërbëtorët e Solomonit. 28 Ata shkuan në Ofir dhe prej andej i sollën mbretit Solomon dymbëdhjetë tonë ar.


 ç9.8 të tjerë: Kjo shtëpi do të bëhet gërmadhë!