1 Mbretërve 5

b Solomoni sundoi mbi të gjitha mbretëritë nga lumi i Eufratit deri në tokën e filistinëve e deri në kufijtë e Egjiptit. Këta popuj i paguan tagra Solomonit dhe i shërbyen sa qe gjallë. Sasia e ushqimit që Solomoni shpenzonte në ditë ishte nëntë tonë majë mielli dhe tetëmbëdhjetë tonë miell, dhjetë qe të majmë, njëzet qe kullotash, njëqind dele, pa përfshirë drerët, gazelat, kaprojtë e shpendët e majme. Solomoni sundonte, pra, të gjithë vendin në këtë anë të lumit Eufrat, nga Tifsahu deri në Gazë, dhe të gjithë mbretërit këtej lumit. Ai jetonte në paqe me të gjithë popujt përreth. Gjatë gjithë jetës së Solomonit, banorët e Judës dhe të Izraelit, nga Dani deri në Bershebë, jetonin të qetë, mes vreshtave e fiqve. Solomoni zotëronte dyzet stalla kuajsh për karrocat e luftës dhe dymbëdhjetë mijë kalorës.

Qeveritarët, secili në muajin e caktuar, i siguronin mbretit Solomon të gjitha ushqimet, që i nevojiteshin atij dhe të gjithë atyre që hanin me të në tryezë. Po ashtu, secili prej tyre siguronte elb e kashtë për kuajt e mushkat dhe e çonte në vendin e caktuar për to.

Urtia e Solomonit

Perëndia i dha Solomonit shumë urti e dije dhe një zemër të madhe sa rëra e bregut të detit. 10 Urtia e Solomonit e tejkalonte urtinë e të gjithë popujve të lindjes e të mbarë Egjiptit. 11 Urtia e tij ia kalonte çdo njeriu, ia kalonte Etan Ezrahitit, Hemanit dhe Kalkolit e Dardait, bijve të Maholit. Emri i tij ishte i njohur mes gjithë popujve përreth. 12 Ai tha tre mijë fjalë të urta dhe thuri një mijë e pesë këngë. 13 Foli për pemët, që nga cedrat e Libanit e deri te hisopi që mbin mureve, për kafshët, për shpendët, për zvarranikët e për peshqit. 14 Njerëz nga të gjithë popujt vinin për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Vinin dërgata nga të gjithë mbretërit e tokës që kishin dëgjuar për urtinë e tij.

Përgatitjet për ndërtimin e tempullit

15 Hirami, mbreti i Tirit, dërgoi disa shërbëtorë te Solomoni, sepse kishte dëgjuar se Solomonin e kishin vajosur mbret në vend të atit të tij, Davidit. Hirami e kishte dashur fort Davidin. 16 Edhe Solomoni i dërgoi fjalë Hiramit e i tha: 17 «Ti e di se ati im, Davidi, nuk mundi të ndërtonte një tempull për nder të emrit të Zotit, Perëndisë së tij, për shkak të luftrave që e rrethuan, derisa Zoti ia vuri armiqtë nën këmbë. 18 Tani Zoti, Perëndia im, më ka dhënë paqe nga të gjitha anët e nuk kam as kundërshtarë e as ndonjë kërcënim. 19 Prandaj dua të ndërtoj një tempull për nder të emrit të Zotit, Perëndisë tim, sipas premtimit që Zoti i bëri Davidit, atit tim, kur i tha: “Biri yt, ai që do të caktoj unë për t’u ulur mbi fronin tënd, ai do ta ndërtojë tempullin për nder të emrit tim”. 20 Prandaj jepu urdhër druvarëve të tu, që të presin cedra Libani për mua, sepse ti e di se ne nuk kemi druvarë me përvojë, siç janë sidonasit. Shërbëtorët e mi do të punojnë bashkë me të tutë dhe unë do t’i paguaj si të thuash ti». 21 Hirami, kur dëgjoi fjalët e Solomonit, u gëzua shumë e tha: «Bekuar qoftë sot Zoti, që i ka dhënë Davidit një djalë të urtë për të sunduar këtë popull të madh». 22 Pastaj Hirami i dërgoi fjalë Solomonit e i tha: «U njoftova për kërkesat e tua dhe do të të jap të gjithë drurin e cedrit dhe të qiparisit që dëshiron. 23 Shërbëtorët e mi do t’i zbresin drurët nga Libani në det dhe do t’i lidhin bashkë që të lundrojnë në det, deri në vendin që do të caktosh ti. Atje do t’i zgjidhin e do t’i marrësh ti. Si pagesë dëshiroj të më sigurosh ushqime për shtëpinë time». 24 Kështu, Hirami i dha Solomonit të gjithë drurin e cedrit dhe të qiparisit që i nevojitej, 25 ndërsa Solomoni i dha Hiramit gjashtë mijë tonë grurë si ushqim për shtëpinë e tij dhe tetë mijë litra vaj të pastër. Kaq qe sasia që Solomoni i jepte Hiramit në vit. 26 Zoti i dha urti Solomonit, ashtu siç i kishte premtuar. Hirami dhe Solomoni jetuan në paqe dhe bënë besëlidhje me njëri-tjetrin.

27 Mbreti Solomon vendosi punën e detyruar për mbarë Izraelin dhe për të punuar u morën tridhjetë mijë burra. 28 Çdo muaj ai dërgonte në Liban nga dhjetë mijë burra. Ata punonin me ndërresa dhe ishin një muaj në Liban e dy muaj në shtëpi. Përgjegjës për punën e detyruar ishte Adonirami. 29 Solomoni kishte edhe shtatëdhjetë mijë punëtorë ngarkim-shkarkimi dhe tetëdhjetë mijë gurgdhendës në mal, 30 pa llogaritur tre mijë e treqind përgjegjësit që mbikëqyrnin punën dhe punëtorët. 31 Mbreti urdhëroi të nxirreshin e të latoheshin gurë të mëdhenj e të zgjedhur, për të ndërtuar themelet e tempullit. 32 Kështu, ndërtuesit e Solomonit dhe të Hiramit, bashkë me gibelitët, latuan gurët dhe përgatitën drurët për ndërtimin e tempullit.


 b5.1-14 të tjerë i rendisin si 4.21-34