Rrethimi i Samarisë
1 Ben Hadadi, mbreti i Aramit, mblodhi tërë ushtrinë e tij. Me të ishin bashkuar edhe tridhjetë e dy mbretër me kuaj e me qerre lufte. Ai u nis për të sulmuar Samarinë, e rrethoi dhe i hapi luftë. 2 Pastaj i dërgoi lajmëtarë në qytet Ahabit, mbretit të Izraelit, 3 e i thanë: «Ben Hadadi thotë se argjendi dhe ari yt i përkasin atij. Po ashtu edhe gratë e tua dhe bijtë e tu të mirë i përkasin atij». 4 Mbreti i Izraelit iu përgjigj e i tha: «Është siç thua ti, o imzot mbret. Unë dhe gjithçka e imja të përkasim ty». 5 Por lajmëtarët u kthyen sërish e i thanë: «Ben Hadadi thotë se të dërgoi lajmëtarë që t’i jepje argjendin, arin, gratë e tua dhe bijtë e tu. 6 Nesër në këtë kohë do të dërgojë shërbëtorët e tij për të bastisur shtëpinë tënde dhe shtëpitë e shërbëtorëve të tu. Ata do të rrëmbejnë e do të marrin gjithçka që ti çmon».
7 Atëherë mbreti i Izraelit thirri të gjithë pleqësinë e vendit e u tha: «Shikoni sesi ky njeri kërkon të na bëjë keq. Më dërgoi lajmëtarë dhe më kërkoi gratë e mija, bijtë e mi, argjendin dhe arin tim e unë nuk ia mohova». 8 Pleqësia e popullit i tha: «Mos e dëgjo dhe mos prano». 9 Atëherë Ahabi u tha lajmëtarëve të Ben Hadadit: «Thuajini timzoti, mbretit, se gjithçka që i kërkoi shërbëtorit të tij herën e parë, do ta plotësoj, por këtë gjë nuk mund ta bëj». Lajmëtarët u kthyen te Ben Hadadi e i njoftuan përgjigjen. 10 Ben Hadadi i nisi përsëri lajmëtarët që i thanë Ahabit: «Keq e më keq ma bëfshin perënditë nëse pluhuri i Samarisë do të mjaftojë për të mbushur grushtin të gjithë luftëtarët që do të vijnë me mua». 11 Mbreti i Izraelit u përgjigj me këtë thënie: «Thuajini mbretit se kush e ngjesh shpatën për luftë nuk duhet të mburret para atij që e zgjesh pas lufte». 12 Ben Hadadi po pinte bashkë me mbretërit e tjerë nëpër çadra kur i lajmëruan përgjigjen e Ahabit. Atëherë ai u dha urdhër shërbëtorëve të tij të rrethonin qytetin dhe ata e rrethuan.
Fitorja e izraelitëve
13 Një profet iu afrua Ahabit, mbretit të Izraelit, e i tha: «Kështu thotë Zoti: “A e shikon gjithë këtë turmë të madhe? Ja, sot do të ta dorëzoj ty, që ta marrësh vesh se unë jam Zoti”». 14 Ahabi e pyeti: «Me anë të kujt?». Profeti iu përgjigj: «Kështu thotë Zoti: “Me anë të djelmoshave që janë në shërbim të qeveritarëve të krahinave”». Ahabi e pyeti: «Kush e nis betejën?». Profeti i tha: «Ti». 15 Ahabi i vuri në rresht djelmoshat që ishin në shërbim të qeveritarëve të krahinave. Ata numëronin dyqind e tridhjetë e dy luftëtarë. Pastaj rreshtoi të gjithë ushtrinë e izraelitëve që numëronte shtatë mijë luftëtarë.
16 Në mesditë ata u hodhën në sulm. Ndërkohë Ben Hadadi pinte nëpër çadra bashkë me tridhjetë e dy mbretërit që i ishin bashkuar atij. 17 Të parët në sulm u hodhën djelmoshat që ishin në shërbim të qeveritarëve të krahinave. Ben Hadadi dërgoi përgjues e ata i thanë: «Disa luftëtarë kanë dalë nga Samaria». 18 Ai u urdhëroi: «Kapini të gjallë si në paçin dalë për paqe, si në paçin dalë për luftë».
19 Djelmoshat, që ishin në shërbim të qeveritarëve të krahinave, kishin dalë nga qyteti dhe pas tyre vinte ushtria. 20 Secili prej djelmoshave vrau atë që i doli para dhe luftëtarët e Aramit ia mbathën. Izraelitët i ndoqën pas, por Ben Hadadi arriti të shpëtojë e bashkë me të edhe kalorësit. 21 Në sulm u hodh edhe mbreti i Izraelit. Ai goditi kalorësinë bashkë me qerret e luftës dhe bëri kërdinë mbi luftëtarët e Aramit.
22 Atëherë profeti iu afrua mbretit të Izraelit e i tha: «Forca! Merr guxim dhe mendohu mirë për atë që do të bësh, sepse pas një viti mbreti i Aramit do të të sulmojë sërish».
23 Shërbëtorët e mbretit të Aramit i thanë zotërisë së tyre: «Perëndia i izraelitëve është Perëndi malesh, prandaj izraelitët dolën më të fortë se ne. Le të ndeshemi me ta në fushë dhe kemi për të dalë ne më të fortë. 24 Bëj kështu: shkarkoji nga detyra të gjithë mbretërit dhe në vend të tyre cakto qeveritarë. 25 Mandej mblidh një ushtri, sa ajo që kishe, si edhe kuaj e qerre lufte, po aq sa kishe. Do të ndeshemi me ta në fushë dhe kemi për të dalë më të fortë». Ben Hadadi e dëgjoi këshillën e tyre dhe ashtu bëri.
26 Pas një viti, Ben Hadadi, mblodhi ushtrinë e Aramit dhe shkoi në Afek për të luftuar kundër Izraelit. 27 Edhe izraelitët ishin mbledhur për luftë. Si u pajisën me ushqime, u nisën për t’u ndeshur me armiqtë. Izraelitët fushuan përballë ushtrisë së Aramit dhe dukeshin si dy kope të vogla dhish. Ndërsa ushtria e Aramit kishte mbushur vendin. 28 Njeriu i Perëndisë iu afrua mbretit të Izraelit e i tha: «Kështu thotë Zoti: “Meqenëse luftëtarët e Aramit kanë thënë se Zoti është Perëndi malesh e jo Perëndi fushash, unë do të ta dorëzoj tërë këtë turmë, që ta marrësh vesh se unë jam Zoti”». 29 Qëndruan në fushim përballë njëri-tjetrit për shtatë ditë. Ditën e shtatë filloi beteja dhe izraelitët vranë njëqind mijë këmbësorë në një ditë. 30 Pjesa tjetër e luftëtarëve të Aramit ia mbathën drejt qytetit të Afekut, muret e të cilit ranë dhe zunë poshtë njëzet e shtatë mijë prej tyre. Edhe Ben Hadadi ia mbathi në qytet dhe u fsheh në dhomën e një shtëpie.
31 Atëherë shërbëtorët e tij i thanë: «Kemi dëgjuar se mbretërit e shtëpisë së Izraelit janë zemërmirë. Prandaj le të vishemi me grathore, le të vëmë litarë në kokë dhe le të shkojmë te mbreti i Izraelit. Ndoshta na lë gjallë». 32 Kështu, pasi u veshën me grathore dhe vunë litarë në kokë, ata shkuan te mbreti i Izraelit e i thanë: «Ben Hadadi, shërbëtori yt, thotë: “Të lutem, ma fal jetën”». Ahabi u tha: «A është ende gjallë? Ai është vëllai im». 33 Të dërguarit e panë këtë si shenjë të mirë, prandaj dhe nxituan të thoshin: «Po, Ben Hadadi është vëllai yt». Ai u tha: «Shkoni dhe silleni këtu». Ben Hadadi shkoi tek Ahabi dhe ai e hipi në karrocën e vet. 34 Atëherë Ben Hadadi i tha: «Qytetet, që im atë i mori tyt eti, do të t’i kthej. Hap tregjet e tua në Damask, siç i ka patur edhe im atë në Samari». Ahabi i tha: «Me këtë besëlidhje që bëmë, po të lë të ikësh». Ahabi bëri një besëlidhje me Ben Hadadin dhe e la të ikte.
Qortimi i Ahabit
35 Zoti i tha njërit prej bijve të profetëve, që t’i thoshte shokut të vet: «Të lutem, më godit!». Shoku i vet nuk pranoi ta godasë. 36 Biri i profetit i tha: «Meqenëse nuk iu binde urdhrit të Zotit, sapo të largohesh prej meje, do të të shqyejë luani». E, vërtet, kur shoku i birit të profetit u largua prej tij, iu vërsul një luan dhe e shqeu. 37 Atëherë i biri i profetit takoi një njeri tjetër e i tha: «Të lutem, më godit!». Ai e rrahu dhe e la të plagosur. 38 Mandej profeti u nis e qëndroi rrugës ku do të kalonte mbreti. Profeti kishte lidhur një pëlhurë mbi sy, që mbreti të mos e njihte. 39 Kur po kalonte mbreti, ai i tha duke thirrur: «Shërbëtori yt ishte duke luftuar në betejë, kur ja, m’u afrua një luftëtar, më solli një rob e më tha: “Ruaje këtë njeri. Nëse të ikën, do ta paguash me jetën tënde ose me tre mijë monedha argjendi”. 40 E ndërsa shërbëtori yt ishte i zënë me punë sa andej-këndej, robi i luftës kishte ikur». Mbreti i Izraelit i tha: «E vendose vetë dënimin tënd». 41 Atëherë profeti hoqi menjëherë pëlhurën nga sytë dhe mbreti i Izraelit e njohu që ishte njëri nga profetët. 42 Profeti i tha: «Kështu thotë Zoti: meqenëse e le të lirë njeriun që kisha caktuar për ta vrarë, do të vdesësh ti në vend të tij dhe populli yt në vend të popullit të tij». 43 Mbreti i Izraelit u kthye në shtëpinë e vet në Samari i pikëlluar dhe i zemëruar.