Këshillat e fundit të Davidit
1 Kur po i afrohej dita e vdekjes, Davidi thirri Solomonin, birin e tij, e i tha: 2 «Unë po shkoj, siç shkon çdo gjë mbi tokë. Ji i fortë e bëhu burrë! 3 Zbato urdhrat që të ka dhënë Zoti, Perëndia yt, dhe ec udhëve të tij. Mbaj rregullat, urdhërimet, vendimet dhe dëshmitë e tij, ashtu siç janë shkruar në ligjin e Moisiut, që të të shkojë mbarë çfarëdo që të bësh e kudo që të shkosh. 4 Kështu, Zoti do ta përmbushë premtimin që më bëri kur tha: “Nëse pasardhësit e tu kujdesen që të ecin në praninë time, duke më qëndruar besnikë me gjithë zemër e me gjithë shpirt, nuk do t’ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit”.
5 Për më tepër, ti e di ç’më bëri Joabi, biri i Cerujahut, e ç’u bëri dy krerëve të ushtrisë së Izraelit, Abnerit, birit të Nerit, dhe Amasait, birit të Jeterit. I vrau, duke derdhur gjak në kohë paqeje, si të ishte kohë lufte. Ai ka njollosur me gjak lufte brezin që ngjesh në ijë dhe sandalet që mbath në këmbë. 6 Vepro me urti e mos lejo që ai të zbresë i qetë në skëterrë, kur t’i jenë zbardhur flokët. 7 Por me bijtë e Barzilait tregohu i mirë dhe ftoji të hanë në tryezën tënde, se ata m’u gjendën pranë kur mora arratinë për t’i shpëtuar vëllait tënd, Absalomit. 8 Ka mbetur edhe Shimei, biri i Gerait, benjaminasi nga Bahurimi. Ai është pranë teje, por ka thënë një mallkim të rëndë kundër meje, ditën që po shkoja në Mahanaim. Erdhi e më takoi në Jordan dhe unë iu betova para Zotit se nuk do ta vrisja me shpatë. 9 Por mos e lë pa e ndëshkuar, sepse ti je burrë i urtë dhe e di vetë si duhet të veprosh me të. Plandose në skëterrë me thinjat tërë gjak».
Vdekja e Davidit
10 Davidi u preh me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. 11 Ai mbretëroi dyzet vjet në Izrael, shtatë në Hebron dhe tridhjetë e tre në Jerusalem. 12 Mbi fronin e Davidit u ul biri i tij, Solomoni, dhe mbretërimi i tij u forcua shumë.
Fuqizimi i mbretërimit të Solomonit
13 Një ditë, Adonjahu, biri i Hagitës, shkoi te Batsheba, nëna e Solomonit, e ajo e pyeti: «Vjen me qëllime paqësore?». Ai iu përgjigj: «Po, vij me qëllime paqësore». 14 Dhe shtoi: «Kam diçka për të të thënë». Ajo i tha: «Fol». 15 Ai i tha: «Ti e di se mbretëria më takonte mua dhe se mbarë Izraeli priste që të bëhesha unë mbret. E megjithatë m’u hoq mua e iu dha tim vëllai, sepse kështu ishte vullneti i Zotit. 16 Tani kam vetëm një kërkesë. Mos ma hidh poshtë, të lutem». Ajo i tha: «Fol». 17 Adonjahu i tha: «Fol, të lutem, me mbretin Solomon, se ai ta dëgjon fjalën, që të më japë për grua Abishagën, shunamiten». 18 Batsheba i tha: «Mirë, do t’i flas mbretit për ty».
19 Atëherë Batsheba shkoi për të folur me mbretin Solomon për Adonjahun. Mbreti u ngrit në këmbë për të pritur të ëmën, u përkul para saj dhe u ul mbi fronin e vet. Urdhëroi të vendosnin edhe një fron tjetër për nënën e mbretit dhe ajo u ul në të djathtë të tij. 20 Batsheba i tha: «Kam vetëm një kërkesë të vogël, ma plotëso». Mbreti i tha: «Thuaje kërkesën, o nëna ime, se do të ta plotësoj». 21 Ajo i tha: «Jepja për grua Adonjahut, vëllait tënd, Abishagën, shunamiten». 22 Mbreti Solomon iu përgjigj së ëmës: «Përse ma kërkon Abishagën, shunamiten, për Adonjahun? Kërko për të edhe mbretërinë atëherë, sepse ai është vëllai im i madh dhe ka përkrahjen e priftit Abiatar dhe të Joabit, birit të Cerujahut». 23 Atëherë mbreti Solomon u betua për Zotin: «Keq e më keq ma bëftë Perëndia, nëse këtë nuk e ka kërkuar vetë Adonjahu, në dëm të jetës së tij. 24 Pasha Zotin, që më forcoi, që më uli mbi fronin e atit tim, Davidit, e që ia premtoi fronin shtëpisë sime, sot Adonjahu do të vritet». 25 Mbreti Solomon dërgoi Benajahun, birin e Jehojadait, për të vrarë Adonjahun. Benajahu e goditi dhe Adonjahu vdiq.
26 Mbreti i tha priftit Abiatar: «Shko në Anatot, tek arat e tua. Ndonëse e meriton vdekjen, nuk po të vras sot, sepse ke mbartur arkën e Zotit në praninë e atit tim, Davidit, dhe ke kaluar të gjitha vështirësitë që kaloi edhe im atë». 27 Solomoni e përjashtoi Abiatarin prej priftërisë së Zotit, që të përmbushej fjala e thënë prej Zotit për shtëpinë e Eliut në Shiloh.
28 Lajmi i shkoi edhe Joabit. Joabi, megjithëse nuk kishte mbajtur anën e Absalomit, kishte përkrahur Adonjahun, prandaj shkoi të strehohej në tendën e Zotit dhe u kap pas brirëve të altarit. 29 Kur mbretit Solomon i thanë se Joabi ishte strehuar në tendën e Zotit dhe ndodhej tek altari, ai dërgoi Benajahun, birin e Jehojadait, për ta vrarë Joabin. 30 Benajahu shkoi te tenda e Zotit e i tha Joabit: «Me urdhër të mbretit, dil jashtë!». Joabi i tha: «Jo, dua të vdes këtu». Benajahu i çoi fjalë mbretit e i tha: «Kështu tha Joabi e kështu m’u përgjigj». 31 Atëherë mbreti i tha: «Bëj siç të tha: vrite në vend e varrose. Kështu do ta heqësh prej meje e prej shtëpisë së atit tim gjakun e pafajshëm që derdhi Joabi. 32 Zoti le t’ia hedhë mbi kokë Joabit gjakun e Abnerit, birit të Nerit, prijësit të ushtrisë së Izraelit dhe të Amasait, birit të Jeterit, prijësit të ushtrisë së Judës. Të dy ishin njerëz të pafajshëm e më të mirë se ai, por ai i vrau me shpatë, pa dijeninë e tim eti, Davidit. 33 Gjaku i tyre rëntë në amshim mbi kokën e Joabit dhe mbi kokën e pasardhësve të tij, ndërsa mbi Davidin, mbi pasardhësit, mbi shtëpinë dhe fronin e tij, qoftë gjithmonë paqja e Zotit!». 34 Atëherë Benajahu, biri i Jehojadait, shkoi, e goditi dhe e vrau. Joabin e varrosën në shtëpinë e vet në shkretëtirë. 35 Në vend të Joabit, mbreti caktoi si prijës të ushtrisë Benajahun, birin e Jehojadait. Në vend të Abiatarit, mbreti vuri priftin Cadok.
36 Mbreti dërgoi lajmëtarë për të thirrur Shimein e i tha: «Ndërto një shtëpi në Jerusalem ku të banosh e mos dil më nga qyteti për të shkuar ndokund. 37 Ditën që do të dalësh nga qyteti e do të kalosh përroin e Kidronit, dije mirë se ke për të vdekur dhe se gjaku yt do të bjerë mbi vetë kokën tënde». 38 Shimei i tha mbretit: «Mirë, shërbëtori yt do të bëjë siç tha imzot mbreti». Shimei banoi për një kohë të gjatë në Jerusalem.
39 Pas tre vjetësh, dy nga shërbëtorët e Shimeit u arratisën e shkuan tek Akishi, biri i Makahut, mbreti i Gatit. Shimeit i thanë se shërbëtorët e tij ishin në Gat. 40 Atëherë Shimei u ngrit, shaloi gomarin e shkoi në Gat tek Akishi për të kërkuar shërbëtorët e tij dhe për t’i marrë pas. 41 Solomonin e njoftuan se Shimei kishte shkuar nga Jerusalemi në Gat e ishte kthyer. 42 Mbreti dërgoi disa njerëz për ta thirrur Shimein e i tha: «A nuk të vura të betoheshe për Zotin dhe a nuk të paralajmërova e të bëra me dije se ditën që do të shkoje ndokund, kishe për të vdekur, e ti më the “mirë”? 43 Përse, pra, nuk e mbajte betimin që i bëre Zotit dhe urdhrin që të dhashë?». 44 Pastaj mbreti i tha Shimeit: «Ti i di e i mban mend mirë gjithë të këqijat që i ke bërë Davidit, atit tim. Tani Zoti do të ta kthejë të keqen që ke bërë. 45 Mbreti Solomon ka për të qenë i bekuar dhe froni i Davidit do të jetë i palëkundur në amshim para Zotit». 46 Mandej mbreti i dha urdhër Benajahut, birit të Jehojadait, që ta vriste Shimein. Benajahu e goditi dhe Shimei vdiq.
Kështu, mbretërimi i Solomonit u bë i fortë.