Elia takon Abdinë
1 Pas shumë kohe, në vitin e tretë të thatësirës, fjala e Zotit iu drejtua sërish Elisë e i tha: «Shko e paraqitu tek Ahabi, se dua të dërgoj shi mbi faqen e tokës». 2 Elia shkoi e u paraqit tek Ahabi. Zia e bukës ishte shumë e rëndë në Samari. 3 Ahabi kishte thirrur Abdinë, mbikëqyrësin e pallatit mbretëror. Abdia e druante shumë Zotin. 4 Kur Izebela shfaroste profetët e Zotit, Abdia kishte marrë njëqind profetë, i kishte fshehur nëpër shpella, të ndarë në grupe nga pesëdhjetë, dhe i kishte mbajtur me bukë e me ujë. 5 Ahabi i kishte thënë Abdisë: «Dil nëpër burimet e ujërave dhe nëpër luginat e vendit, se mos ndoshta gjejmë bar për të mbajtur gjallë kuajt dhe mushkat, që të mos i therim bagëtitë». 6 Ata e kishin ndarë mes tyre pjesën e vendit që do të përshkonin.
7 Rrugës Abdia u ndesh me Elinë. Abdia e njohu, prandaj u përkul deri në tokë e i tha: «A je ti imzot Elia?». 8 Elia iu përgjigj: «Unë jam. Shko e thuaji zotërisë tënd se Elia është këtu». 9 Abdia i tha: «Ç’mëkat kam bërë, që po e dorëzon shërbëtorin tënd në duart e Ahabit, për të më vrarë? 10 Pasha Zotin, Perëndinë tënd, në ka popull apo mbretëri, ku zotëria im nuk ka dërguar njerëz për të të kërkuar. Kur i thoshin se nuk ishe atje, i vinte të betoheshin se nuk të kishin gjetur. 11 E tani, ti më thua të shkoj e t’i them timzoti se Elia është këtu? 12 Sapo të largohem prej teje, Shpirti i Zotit do të të çojë në një vend që unë s’e di. Unë do të shkoj të lajmëroj Ahabin dhe kur ai mos të të gjejë, ka për të më vrarë. Shërbëtori yt e druan Zotin që prej fëmijërisë. 13 A nuk të kanë thënë, imzot, sesi veprova unë, kur Izebela vriste profetët e Zotit? Fsheha njëqind profetë të Zotit nëpër shpella, të ndarë në grupe nga pesëdhjetë, dhe i mbajta me bukë e me ujë. 14 E tani, ti më thua të shkoj e t’i them timzoti se Elia është këtu? Ai do të më vrasë?». 15 Elia i tha: «Pasha Zotin e ushtrive, të cilit i shërbej, unë sot do të paraqitem tek Ahabi». 16 Abdia shkoi për të takuar Ahabin dhe i tregoi për Elinë. Atëherë Ahabi shkoi të takonte Elinë.
17 Sapo e pa, Ahabi i tha Elisë: «Ti qenke, o ngatërrestar i Izraelit?». 18 Elia i tha: «Nuk jam unë ngatërrestari i Izraelit, por ti dhe shtëpia jote, sepse ti i ke braktisur urdhërimet e Zotit dhe ke shkuar pas idhujve të Baalit. 19 E tani, dërgo të thërrasin mbarë Izraelin që të mblidhen tek unë në malin Karmel, bashkë me katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit dhe katërqind profetët e Asherasë që ushqehen në tryezën e Izebelës».
Elia dhe profetët e Baalit
20 Ahabi u dërgoi fjalë të gjithë izraelitëve dhe i mblodhi të gjithë profetët në malin Karmel. 21 Atëherë Elia iu afrua mbarë popullit e tha: «Deri kur do të jeni të lëkundur sa andej-këtej? Nëse Zoti është Perëndia, atëherë shkoni pas tij. Nëse është Baali, ndiqni atë». Por populli nuk tha asnjë fjalë. 22 Elia i tha popullit: «Nga profetët e Zotit kam mbetur vetëm unë, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë vetë. 23 Na sillni dy mëzetër dhe profetët e Baalit të zgjedhin cilin të duan. Ta ndajnë mëzatin në copa dhe ta vënë mbi drurë, por pa i ndezur drutë. Unë do të përgatis mëzatin tjetër, do ta vë mbi drurë, pa i ndezur as unë. 24 Ju do të thërrisni emrin e perëndisë suaj dhe unë do t’i thërras emrit të Zotit. Perëndia që do të përgjigjet me zjarr, ai do të jetë Perëndia i vërtetë». I gjithë populli u përgjigj: «Mirë ke thënë». 25 Pastaj Elia u tha profetëve të Baalit: «Zgjidheni ju të parët mëzatin për ta bërë gati, sepse jeni më shumë. Më pas thirrni emrin e perëndisë suaj, pa i ndezur drutë». 26 Kështu, ata morën mëzatin që u takoi dhe e bënë gati. Pastaj thirrën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në mesditë e thoshin: «O Baal, dëgjona!». Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe askush nuk u përgjigj. Por ata ende kërcenin rrotull altarit që kishin ndërtuar. 27 Në mesditë Elia filloi të tallet me profetët e Baalit e t’u thoshte: «Thirrni më fort, se ai është perëndi e ka shumë mendime në kokë. Mund të ketë shkuar gjëkundi ose ndoshta e ka zënë gjumi, prandaj zgjojeni». 28 Ata thirrën edhe më fort dhe, sipas zakonit që kishin, filluan të priteshin me shpata e me shigjeta, aq sa kulluan gjak. 29 Pasi kaloi mesdita, ata filluan të profetizonin, derisa erdhi koha e kushtimit të flisë, por nuk u dëgjua asnjë zë, nuk u përgjigj askush e askush nuk u vuri vesh.
30 Atëherë Elia i tha mbarë popullit: «Afrohuni tek unë». I gjithë populli u afrua dhe Elia filloi të ndreqte altarin e Zotit që ishte rrënuar. 31 Ai mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit Zoti i kishte thënë: «Ti do të quhesh Izrael». 32 Me gurët ndërtoi altarin për nder të emrit të Zotit dhe përreth altarit hapi një vijë kulluese të gjerë sa për të mbajtur rreth tridhjetë litra. 33 Pastaj rregulloi drutë, preu mëzatin në copa, i vendosi copat mbi drurë 34 e tha: «Mbushni katër shtamba me ujë e derdhini mbi flinë e shkrumbimit dhe mbi drutë». Më pas tha: «Bëjeni edhe një herë». Ata bënë siç u tha. E u tha përsëri: «Bëjeni për të tretën herë». Ata derdhën ujë për të tretën herë. 35 Uji rrodhi rreth e rrotull altarit dhe vija e kullimit u mbush plot.
36 Kur erdhi koha e kushtimit të flisë, profeti Eli iu afrua altarit e tha: «O Zot, Perëndi i Abrahamit, Isakut e Izraelit, le ta marrin vesh të gjithë sot se ti je Perëndia në Izrael, se unë jam shërbëtori yt dhe se të gjitha këto gjëra i kam bërë me urdhrin tënd. 37 Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull ta kuptojë se ti, o Zot, je Perëndia dhe se ti do t’ua kthesh sërish zemrën drejt teje». 38 Atëherë ra zjarri i Zotit dhe përpiu flinë e shkrumbimit me gjithë drutë, gurët e dheun. Madje, përlau edhe ujin në vijën e kullimit. 39 Kur e pa këtë, mbarë populli ra përmbys me fytyrë përtokë e tha: «Zoti është Perëndia! Zoti është Perëndia!». 40 Atëherë Elia u tha: «Kapini profetët e Baalit dhe të mos ju shpëtojë asnjëri». Ata i kapën dhe Elia i çoi në përroin e Kishonit, ku i vrau të gjithë.
Fundi i thatësirës
41 Pastaj Elia i tha Ahabit: «Shko të hash e të pish, sepse po dëgjohet ushtima e një shiu të madh». 42 Ahabi shkoi për të ngrënë e për të pirë, ndërsa Elia u ngjit në majë të malit Karmel, u ul përtokë me fytyrën mes gjunjëve 43 e i tha shërbëtorit të tij: «Ngjitu lart e shiko nga ana e detit». Ai u ngjit, pa e i tha: «Nuk shoh gjë». Atëherë Elia i tha: «Kthehu shtatë herë». 44 Herën e shtatë ai i tha: «Shoh një re të vogël sa pëllëmba e njeriut që po vjen nga deti». Atëherë Elia i tha: «Shko e thuaji Ahabit: “Shaloji kuajt e zbrit nga mali, që mos të të zërë shiu”». 45 Pas pak qielli u nxi nga retë e nga era dhe filloi të binte shi me rrëmbim. Ahabi hipi në karrocë dhe u nis për në Izrel. 46 Dora e Zotit ishte me Elinë. Elia ngjeshi brezin, vrapoi para karrocës së Ahabit e mbërriti në Izrel.