Mbretërimi i Jeroboamit
1 Asokohe Abijahu, biri i Jeroboamit, ishte sëmurë. 2 Jeroboami i tha së shoqes: «Ngrihu, të lutem, ndërro veshje, që mos të të njohin se je gruaja e Jeroboamit, e shko në Shiloh. Atje jeton profeti Ahijah, ai që më tha se do të bëhesha mbreti i këtij populli. 3 Merr me vete dhjetë bukë, disa kuleç të ëmbël dhe një qyp me mjaltë e shko ta takosh. Ai do të të thotë se ç’do të ndodhë me djalin».
4 E ashtu bëri gruaja e Jeroboamit. Ajo u ngrit e shkoi në Shiloh, në shtëpinë e Ahijahut. Ahijahu nuk shihte më, sepse i ishin dobësuar sytë nga pleqëria e thellë. 5 Por Zoti i tha Ahijahut: «Ja, gruaja e Jeroboamit po vjen për t’u këshilluar me ty për birin e saj të sëmurë. Thuaji kështu e ashtu. Kur të vijë, ajo do të shtiret si një grua tjetër».
6 Kur Ahijahu dëgjoi hapat e gruas së Jeroboamit tek po hynte në derë, i tha: «Hyr, o gruaja e Jeroboamit! Përse hiqesh si një grua tjetër? Kam një lajm të rëndë për ty. 7 Shko e thuaji Jeroboamit: kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Unë të ngrita mbi të tjerët e të bëra sundimtar mbi popullin tim, Izraelin. 8 E ndava mbretërinë nga shtëpia e Davidit e ta dhashë ty, por ti nuk ke qenë si shërbëtori im, Davidi, i cili i mbante urdhërimet e mia e më ndiqte me gjithë zemër. Davidi bënte çka ishte e drejtë në sytë e mi. 9 Ti ke bërë më shumë ligësi se të gjithë paraardhësit e tu. Bëre perëndi të tjerë e derdhe idhuj prej metali për veten tënde, më ktheve shpinën dhe ndeze zemërimin tim. 10 Prandaj unë do të sjell fatkeqësi mbi shtëpinë e Jeroboamit e do t’i shfaros të gjithë meshkujt e saj në Izrael, qofshin këta skllevër apo të lirë. Do ta fshij shtëpinë e Jeroboamit siç fshihet plehu, derisa të shfaroset krejt. 11 Njerëzit e shtëpisë së Jeroboamit që do të vdesin në qytet do t’i hanë qentë dhe shpendët e qiellit do të hanë ata që do të vdesin nëpër ara, sepse kështu foli Zoti”. 12 Prandaj ngrihu e shko në shtëpi. Sapo këmbët e tua të shkelin pragun e qytetit, djali do të vdesë. 13 Mbarë Izraeli do ta qajë e do ta varrosë. Nga shtëpia e Jeroboamit vetëm ai do të shtihet në varr, sepse ai është i vetmi prej asaj shtëpie, tek i cili Zoti, Perëndia i Izraelit, pa diçka të mirë. 14 Zoti do të nxjerrë një mbret të vetin për Izraelin, i cili do ta shfarosë shtëpinë e Jeroboamit, duke filluar që sot. Ç’po them kështu? Duke filluar që tani. 15 Zoti do ta dërrmojë Izraelin si një kallam që lëkundet në ujë dhe do ta zhbijë nga kjo tokë e mirë që u dha paraardhësve të tyre. Zoti do t’i shpërndajë përtej lumit të Eufratit, sepse ata bënë shtylla të Asherasë dhe ndezën zemërimin e tij. 16 Ai do ta braktisë Izraelin për shkak të mëkateve të Jeroboamit, i cili jo vetëm që mëkatoi vetë, por u bë shkak mëkati edhe për Izraelin».
17 Gruaja e Jeroboamit u ngrit për të ikur dhe shkoi në Tircah. Sapo shkeli pragun e shtëpisë, djaloshi vdiq. 18 I gjithë Izraeli vajtoi për të dhe e varrosi, ashtu siç kishte thënë Zoti përmes shërbëtorit të tij, profetit Ahijah.
19 Bëmat e tjera të Jeroboamit, sesi luftoi e sesi mbretëroi, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 20 Jeroboami mbretëroi njëzet e dy vjet e pastaj vdiq. Pas tij mbretëroi i biri, Nadabi.
Mbretërimi i Rehoboamit
21 Rehoboami, biri i Solomonit, mbretëroi në Judë. Ai ishte dyzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për shtatëmbëdhjetë vjet në Jerusalem, në qytetin që Zoti kishte zgjedhur ndër të gjitha fiset e Izraelit për të vendosur emrin e tij. Nëna e Rehoboamit quhej Naamë dhe ishte amonite. 22 Edhe Juda bëri çka ishte keq në sytë e Zotit. Me mëkatet që bënë, e ndezën zemërimin e tij më shumë se paraardhësit e tyre. 23 Ata ndërtuan për vete faltore në vende të larta dhe përmendore e shtylla të Asherasë në çdo kodër të lartë e nën çdo pemë gjethedendur. 24 Në vend kishte edhe lavire kulti dhe pasardhësit e fisit të Judës bënë të gjitha ndyrësitë që kishin bërë edhe kombet, të cilat Zoti i kishte dëbuar para syve të izraelitëve.
25 Në vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit, Shishaku, mbreti i Egjiptit, sulmoi Jerusalemin 26 dhe plaçkiti thesaret e tempullit të Zotit, thesaret e pallatit mbretëror e gjithçka tjetër. Ai plaçkiti edhe të gjitha shqytet e arta që kishte punuar Solomoni. 27 Në vend të tyre, mbreti Rehoboam bëri shqyte bronzi dhe ua dorëzoi krerëve të ushtarëve që ruanin hyrjen e pallatit mbretëror. 28 Sa herë që mbreti shkonte në tempullin e Zotit, ushtarët i merrnin shqytet dhe i kthenin sërish në vendin ku mbaheshin armët.
29 Bëmat e tjera të Rehoboamit e gjithçka bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. 30 Mes Rehoboamit dhe Jeroboamit pati përherë luftë. 31 Rehoboami vdiq dhe u varros bashkë me paraardhësit e tij në qytetin e Davidit. Nëna e tij quhej Naamë dhe ishte amonite. Pas tij mbretëroi i biri, Abijami.