Dënimi i altarit të Betelit
1 Një njeri i Perëndisë mbërriti nga Juda në Betel me urdhër të Zotit kur Jeroboami po qëndronte para altarit për të kushtuar temjan. 2 Njeriu i Perëndisë iu drejtua altarit me fjalën e Zotit e tha: «Altar, altar! Kështu thotë Zoti: “Ja, një djalë, që do të lindë nga shtëpia e Judës e do të quhet Josi, do të flijojë mbi ty priftërinjtë e faltoreve në vende të larta, që kanë kushtuar temjan mbi ty, e mbi ty eshtra njerëzish do të djegë!”». 3 Po atë ditë njeriu i Perëndisë bëri një mrekulli e tha: «Ja cila do të jetë shenja që këto janë fjalët e Zotit: altari do të çahet e hiri që është mbi të, do të derdhet». 4 Kur mbreti Jeroboam dëgjoi fjalët, që njeriu i Perëndisë tha kundër altarit të Betelit, shtriu krahun nga altari ku ishte dhe urdhëroi që ta kapnin njeriun e Perëndisë. Por krahu iu tha e Jeroboami nuk mundi ta mbledhë më. 5 Atë çast altari u ça e hiri u derdh prej tij, sipas shenjës që kishte thënë njeriu i Perëndisë, se do të bëhej sipas fjalës së Zotit. 6 Atëherë mbreti i tha njeriut të Perëndisë: «Të lutem, lutju Zotit Perëndi e përgjëroju për mua, që të më kthehet krahu në vend». Njeriu i Perëndisë iu lut Zotit dhe mbretit iu kthye krahu si më parë. 7 Mbreti i tha njeriut të Perëndisë: «Eja me mua në shtëpi që të marrësh veten e do të të jap edhe dhurata». 8 Por njeriu i Perëndisë iu përgjigj: «Edhe sikur të më jepje gjysmën e mbretërisë, nuk do të vija me ty. Në këtë vend as do të ha bukë e as do të pi ujë, 9 sepse Zoti më ka urdhëruar vetë të mos ha bukë e të mos pi ujë, madje edhe të kthehem nga një rrugë tjetër». 10 Kështu, ai u nis e u kthye nga një rrugë tjetër e jo nga rruga që kishte ardhur në Betel.
Mosbindja e njeriut të Perëndisë
11 Në Betel jetonte një profet i thyer në moshë. Bijtë e tij shkuan e i treguan për gjithçka që kishte bërë atë ditë në Betel njeriu i Perëndisë. Ata i treguan të atit edhe fjalët që njeriu i Perëndisë i kishte thënë mbretit. 12 I ati i pyeti: «Cilën rrugë mori?». Të bijtë i treguan rrugën që kishte marrë njeriu i Perëndisë që kishte ardhur nga Juda. 13 Atëherë ai u tha të bijve: «Ma shaloni gomarin». Ata ia shaluan gomarin dhe ai hipi mbi të. 14 Ai shkoi pas njeriut të Perëndisë dhe e gjeti të ulur nën një lis. Profeti i moshuar e pyeti: «Ti je njeriu i Perëndisë që erdhi nga Juda?». Ai iu përgjigj: «Unë jam». 15 Profeti i moshuar i tha: «Eja me mua në shtëpi të hash bukë». 16 Njeriu i Perëndisë i tha: «Nuk mund të kthehem pas e të vij me ty. As nuk do të ha bukë e as nuk do të pi ujë me ty në këtë vend, 17 sepse vetë Zoti më ka urdhëruar, të mos ha bukë e të mos pi ujë këtu, madje edhe të mos kthehem nga e njëjta rrugë që erdha». 18 Profeti i moshuar i tha: «Edhe unë profet jam, si ti. Një engjëll më foli me urdhër të Zotit e më tha të të ktheja në shtëpi që të hash bukë e të pish ujë». Por profeti e gënjeu. 19 Njeriu i Perëndisë u kthye me të, hëngri bukë e piu ujë në shtëpinë e tij.
20 Teksa ishin në tryezë, Zoti i foli profetit që kishte kthyer njeriun e Perëndisë nga rruga. 21 Atëherë profeti i tha me zë të lartë njeriut të Perëndisë që kishte ardhur nga Juda: «Kështu thotë Zoti: “Meqenëse nuk e dëgjove fjalën e Zotit dhe nuk e zbatove urdhrin që të dha Zoti, Perëndia yt, 22 por u ktheve për të ngrënë bukë e për të pirë ujë në vendin që të kishte thënë të mos haje bukë e të mos pije ujë, kufoma jote nuk do të varroset në varrezën e të parëve të tu”». 23 Pastaj njeriu i Perëndisë hëngri bukë e piu dhe shaloi gomarin e profetit që e ktheu nga rruga. 24 Ai u nis për t’u kthyer, por rrugës i doli përpara një luan dhe e vrau. Kufoma e njeriut të Perëndisë mbeti e shtrirë në rrugë dhe gomari me luanin qëndronin pranë kufomës. 25 Disa kalimtarë panë kufomën të shtrirë përtokë dhe luanin që qëndronte pranë saj. Ata shkuan dhe e përhapën lajmin në qytetin ku jetonte profeti i thyer në moshë.
26 Kur e dëgjoi këtë profeti që e ktheu nga rruga, tha: «Është njeriu i Perëndisë që nuk iu bind urdhrit të Zotit dhe Zoti e la nën kthetrat e luanit. Luani e shqeu dhe e vrau, sipas fjalës që kishte thënë Zoti për të». 27 Atëherë ai u tha bijve të tij: «Ma shaloni gomarin». Ata ia shaluan gomarin 28 e ai u nis. Gjeti kufomën të shtrirë përtokë mbi rrugë dhe gomarin me luanin që rrinin pranë saj. Luani nuk e kishte ngrënë kufomën e nuk e kishte shqyer gomarin. 29 Profeti i thyer në moshë e mori kufomën e njeriut të Perëndisë dhe e ngarkoi mbi gomar. Pastaj u kthye në qytetin e vet për ta vajtuar njeriun e Perëndisë e për ta varrosur. 30 Kufomën e varrosi në varrin e vet dhe njerëzit vajtonin duke thënë: «Mjerë, o vëllai im». 31 Pas varrimit, profeti u tha bijve të vet: «Kur të vdes, më varrosni në varrin ku prehet njeriu i Perëndisë. M’i vini eshtrat pranë eshtrave të tij. 32 Fjala që tha ai me urdhër të Zotit për altarin e Betelit e për faltoret në vende të larta të Samarisë do të përmbushet».
33 As pas këtyre ndodhive, Jeroboami nuk u kthye nga udha e tij e ligë, por vazhdonte të caktonte priftërinj njerëz nga mbarë populli për faltoret në vende të larta. Jeroboami bënte prift për faltoret në vende të larta këdo që e dëshironte. 34 Kjo e bëri shtëpinë e Jeroboamit të mëkatonte dhe solli shkatërrimin e shfarosjen e saj nga faqja e dheut.