1 Kronikave 29

Dhuratat

Mbreti David i tha mbarë bashkësisë: «Solomoni, biri im, i vetmi që zgjodhi Perëndia, është i ri e njomcak, ndërsa puna është e madhe, sepse tempulli nuk është për një njeri, por për Zotin Perëndi. Për tempullin e Perëndisë tim bëra gati me tërë fuqinë time arin për pajisjet e arta, argjendin për të argjendtat, bronzin për të bronztat, hekurin për të hekurtat, drurin për të drunjtat, gurë oniksi e gurë zbukurues, gurë të zinj e shumëngjyrësh, çdo gur të çmuar e alabastër me shumicë. Për më tepër, nga dashuria që kam për tempullin e Perëndisë tim, po jap për tempullin e Perëndisë tim thesarin e artë e të argjendtë që kam, përveç të gjitha gjërave që kam përgatitur për tempullin e shenjtë: njëqind tonë ar Ofiri, e dyqind e dyzet tonë argjend të kulluar për të veshur muret e tempullit, arin për pajisjet e arta, argjendin për të argjendtat e për të gjitha punimet e bëra prej zejtarëve. Tani, kush do të dhurojë sot, duarplot, për Zotin?».

Atëherë krerët e shtëpive, krerët e fiseve të Izraelit, krerët e mijëra e qindra vetëve dhe mbikëqyrësit e punëve të mbretit dhuruan. Ata dhuruan për punimet e tempullit të Perëndisë njëqind e shtatëdhjetë tonë ar, dhjetë mijë monedha ari, treqind tonë argjend, gjashtëqind tonë bronz e tre mijë tonë hekur. Ata që zotëronin gurë të çmuar, i dhuruan për thesarin e tempullit të Zotit, nëpërmjet Jehiel Gershonitit. Populli u gëzua për dhuratat e veta, sepse i kishin dhuruar me gjithë zemër për Zotin. Edhe mbreti David u gëzua shumë.

Lutja e Davidit

10 Davidi e bekoi Zotin para mbarë bashkësisë e tha: «I bekuar je ti, o Zot, Perëndia i Izraelit, atit tonë, ngaherë e përgjithmonë. 11 Ty, o Zot, të takon madhëria, fuqia, shkëlqimi, lartësimi e madhështia, sepse ty të përket gjithçka në qiell e në tokë. Ty të takon mbretërimi, o Zot, i lartësuar mbi të gjithë. 12 Prej teje buron pasuria e lavdia. Ti sundon mbi çdo gjë. Në dorën tënde janë pushteti e fuqia dhe ti e ke në dorë të madhërosh e të mëkëmbësh këdo. 13 E tani, o Perëndia ynë, ne të falënderojmë dhe e lavdërojmë emrin tënd të lavdishëm.

14 Por kush jam unë e kush është populli im, që të jemi të aftë të bëjmë kushtime të tilla? Sepse gjithçka vjen prej teje dhe përmes teje japim. 15 Kalimtarë jemi para teje e të huaj si gjithë etërit tanë. Si hije janë ditët tona mbi dhe e nuk ka shpresë. 16 Zot, Perëndia ynë, gjithçka që kemi përgatitur me begati për t’i ndërtuar një shtëpi emrit tënd të shenjtë vjen prej teje dhe ty të përket gjithçka. 17 E di, o Perëndia im, se ti i shqyrton zemrat e të pëlqen e drejta. Unë i kushtova me dëshirë e me zemër të drejtë të gjitha këto dhe tani shoh me gëzim se edhe populli yt i pranishëm këtu të kushton me dëshirë. 18 Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, etërve tanë, ruaji gjithmonë këto prirje e mendime në zemrat e popullit tënd dhe drejtoji kah ti zemrat e tyre. 19 Solomonit, birit tim, jepi një zemër të përkryer, që t’i mbajë urdhërimet, dëshmitë e rregullat e tua e të zbatojë gjithçka që i parapërgatita për ndërtimin e tempullit».

20 Pastaj Davidi i tha mbarë bashkësisë: «Bekojeni, pra, Zotin, Perëndinë tuaj». Atëherë mbarë bashkësia e bekoi Zotin, atin e etërve të tyre, u përkulën e ranë përmbys para Zotit e para mbretit. 21 Ata i kushtuan fli Zotit, ndërsa të nesërmen i kushtuan Zotit fli shkrumbimi një mijë mëzetër, një mijë desh e një mijë qengja bashkë me flitë e stërpikjes e shumë fli të tjera për mbarë Izraelin. 22 Atë ditë hëngrën e pinë me gëzim të madh në praninë e Zotit. Solomonin, birin e Davidit, e shpallën përsëri mbret dhe e vajosën për Zotin si prijës, ndërsa Cadokun si prift.

Vajosja e Solomonit

23 Solomoni u ul në fronin e Zotit si mbret në vend të Davidit, atit të tij. I shkoi mbarë dhe tërë populli e dëgjonte. 24 Të gjithë prijësit, trimat dhe të gjithë bijtë e mbretit David iu betuan mbretit Solomon. 25 Zoti e lartësoi Solomonin para mbarë Izraelit dhe e bëri madhështore mbretërinë e tij, siç nuk e kishte pasur asnjë mbret para tij në Izrael.

Vdekja e Davidit

26 Davidi, biri i Jeseut, mbretëroi mbi tërë trojet e Izraelit. 27 Ai mbretëroi dyzet vjet në Izrael, shtatë vjet në Hebron dhe tridhjetë e tre vjet në Jerusalem. 28 Davidi vdiq në pleqëri të lume, i nginjur me ditë, me pasuri e me nder. Pas tij mbretëroi biri i tij, Solomoni. 29 Bëmat e hershme e të mëvonshme të mbretit David janë të shkruara në librin e Vegimtarit Samuel, në librin e Profetit Natan dhe në Librin e Vegimtarit Gad. 30 Aty tregohet për mbretërimin e tij, për fuqinë e tij dhe për kohërat nën sundimin e tij, si në Izrael, ashtu edhe në të gjitha mbretëritë e tokës.