1 Kronikave 27

Ushtria

Këta janë bijtë e Izraelit, sipas numrit të krerëve të fiseve, kryemijësit dhe kryeqindësit, nëpunësit në shërbim të mbretit, sipas rendeve me të cilat hynin e dilnin për çdo muaj, gjatë të gjithë muajve të vitit. Çdo rend kishte nga njëzet e katër mijë vetë.

Në krye të rendit të parë të muajit të parë u caktua Jashobeami, biri i Zabdielit. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. Ai ishte një nga pasardhësit e Perecit dhe ishte kreu i të gjithë prijësve të ushtrisë për muajin e parë. Në krye të rendit të muajit të dytë u caktua Doda Ahohiti. Në krye të rendit të tij ishte Mikloti. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. Prijësi i tretë ushtarak, për muajin e tretë, ishte Benajahu, biri i kryepriftit Jehojada. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. Ky, Benajahu, ishte njëri prej tridhjetë trimave, kreu i të tridhjetëve dhe i rendit të vet. Amizabadi ishte biri i tij. I katërti, për muajin e katërt, ishte Asaheli, vëllai i Joabit, pas të cilit vinte i biri, Zebadjahu. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. I pesti, për muajin e pestë, ishte prijësi Shamhut Izrahiti. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. I gjashti, për muajin e gjashtë, ishte Irai, biri i Ikesh Tekoitit. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. 10 I shtati, për muajin e shtatë, ishte Halec Peloniti, njëri prej pasardhësve të Efraimit. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. 11 I teti, për muajin e tetë, ishte Sibeka Hushatiti, prej zerahitëve. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. 12 I nënti, për muajin e nëntë, ishte Abiezer Anatoti, prej benjaminasve. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. 13 I dhjeti, për muajin e dhjetë, ishte Mahara Netofatiti, prej zerahitëve. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. 14 I njëmbëdhjeti, për muajin e njëmbëdhjetë, ishte Benajah Piratoniti, prej pasardhësve të Efraimit. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. 15 I dymbëdhjeti, për muajin e dymbëdhjetë, ishte Helda Netofatiti, prej Otnielit. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë.

Krerët e fiseve të Izraelit

16 Në krye të fiseve të Izraelit ishin këta: për fisin e Rubenit ishte udhëheqës Eliezeri, biri i Zikriut; për të Simeonit, Shefatjahu, biri i Makahut; 17 për të Levit, Hashabiahu, biri i Kemuelit; për të Aronit, Cadoku; 18 për të Judës, Elihui, njëri prej vëllezërve të Davidit; për të Isaharit, Omriu, biri i Mikaelit; 19 për të Zabulonit, Ishmajahu, biri i Abdisë; për të Neftaliut, Jerimoti, biri i Azrielit; 20 për pasardhësit e Efraimit, Hosea, biri i Azazjahut; për gjysmën e fisit të Manaseut, Joeli, biri i Pedajahut; 21 për gjysmën tjetër të Manaseut në Gilead, Idoi, biri i Zakarisë; për Benjaminin, Jasieli, biri i Abnerit; 22 dhe për Danin, Azareli, biri i Jerohamit. Këta ishin prijësit e fiseve të Izraelit. 23 Davidi nuk i numëroi ata që ishin më të rinj se njëzet vjeç, sepse Zoti kishte thënë se do ta shumonte Izraelin sa yjet e qiellit. 24 Joabi, biri i Cerujahut, filloi të numëronte, por nuk përfundoi. Për këtë arsye pati zemëratë në Izrael dhe numërimi nuk hyri në librin e Kronikave të mbretit David.

25 Kujdestari i thesarit të mbretit ishte Azmaveti, biri i Adielit. Kujdestari i thesareve të fushave, të qyteteve, të fshatrave e të kullave ishte Jonatani, biri i Uziahut. 26 Përgjegjësi i punëtorëve të arave, për punimin e tokës, ishte Ezriu, biri i Kelubit. 27 Përgjegjësi i vreshtave ishte Shime Ramatiti, ndërsa përgjegjës për prodhimet e vreshtave dhe për qilarët e verës ishte Zabdi Shifmiti. 28 Përgjegjësi i ullishtave dhe i fiqve në Shefelah ishte Baal Hanan Gederiti, ndërsa përgjegjësi i qilarëve të vajit ishte Joashi. 29 Përgjegjësi për bagëtitë që kullotnin në Sharon ishte Shitra Sharoniti. Përgjegjësi për bagëtitë në lugina ishte Shafati, biri i Adlajit. 30 Përgjegjësi për devetë ishte Obil Ishmaeliti, ndërsa për gomarët Jehdejah Meronotiti. 31 Përgjegjësi për grigjat ishte Jaziz Hagriti. Të gjithë këta ishin kujdestarët e pronave të mbretit David.

32 Jonatani, ungji i Davidit, ishte këshilltar. Ai ishte njeri i zgjuar e shkrues. Bashkë me Jehielin, birin e Hakmoniut, ai kujdesej për bijtë e mbretit. 33 Ahitofeli ishte këshilltar i mbretit. Husha Arkiti ishte mik i mbretit. 34 Pas Ahitofelit erdhi Jehojadai, biri i Benajahut, dhe Abiatari. Prijësi i ushtrisë së mbretit ishte Joabi.