Përplasja me amonitët
1 Pas këtyre ngjarjeve, Nahashi, mbreti i amonitëve, vdiq dhe në vend të tij mbretëroi i biri. 2 Davidi tha: «Do të tregohem i mirë me Hanunin, birin e Nahashit, sepse i ati i tij u soll mirë me mua». Pastaj Davidi dërgoi disa përfaqësues për ta ngushëlluar për të atin dhe shërbëtorët e Davidit shkuan në dheun e amonitëve, te Hanuni, për ta ngushëlluar. 3 Atëherë prijësit e amonitëve i thanë Hanunit: «Mos vallë Davidi t’i dërgoi ngushëlluesit për të nderuar atin tënd? Apo këta shërbëtorë të tij kanë ardhur te ti për të bërë hetime, për të shkaktuar përmbysje e për të përgjuar vendin?». 4 Atëherë Hanuni mori shërbëtorët e Davidit, i rruajti, ua shqeu rrobat më dysh deri te vithet dhe i ktheu nga kishin ardhur. 5 Kur i treguan Davidit për ta, ai dërgoi njerëz për t’i takuar, sepse ndiheshin shumë të poshtëruar. Mbreti u tha: «Rrini në Jeriko derisa t’ju dalë mjekra, pastaj kthehuni».
6 Kur amonitët e panë se ishin bërë të urryer për Davidin, Hanuni dhe amonitët dërguan tridhjetë tonë argjend për të blerë karroca e kuaj nga Mesopotamia, nga Aram Makahu e nga Cobahu. 7 Paguan për tridhjetë e dy mijë karroca dhe për mbretin e Makahut me trupat e veta. Këta erdhën e fushuan kundruall Medebës. Amonitët u mblodhën nga qytetet e tyre e dolën në luftë. 8 Kur e mori vesh, Davidi dërgoi Joabin e mbarë ushtrinë e trimave. 9 Amonitët dolën e u rreshtuan për betejë përballë qytetit, ndërsa mbretërit, që kishin ardhur, qëndruan veçmas në fushë.
Fitorja e Joabit
10 Joabi e vuri re se ishte i rrethuar në fushë betejë nga para e nga pas, prandaj zgjodhi disa prej burrave më të spikatur në Izrael dhe i rreshtoi kundër arameasve. 11 Pjesën tjetër të ushtrisë ia la Abishait, vëllait të vet. Këta u rreshtuan kundër amonitëve. 12 Pastaj tha: «Nëse arameasit janë më të fortë se unë, ti do të vish për të më shpëtuar, por nëse amonitët do të jenë më të fortë se ti, unë do të të shpëtoj. 13 Bëhu i fortë! Të tregohemi të fortë për popullin tonë e për qytetet e Perëndisë tonë. Zoti e bëftë si t’i duket mirë!». 14 Atëherë Joabi e populli që ishte me të iu turr në betejë arameasve, të cilët ua mbathën këmbëve. 15 Kur amonitët panë se arameasit kishin ikur, ia mbathën edhe ata prej Abishait, vëllait të Joabit, e u kthyen në qytet. Atëherë Joabi shkoi në Jerusalem.
16 Kur arameasit panë se humbën përballë Izraelit, dërguan lajmëtarë, për të thirrur arameasit që ishin përtej Eufratit. U printe Shofahu, kreu i ushtrisë së Hadadezerit. 17 Kur i treguan Davidit, ai mblodhi mbarë Izraelin, kapërceu Jordanin, mbërriti tek ata e u rreshtua kundër tyre. Davidi u doli në betejë arameasve dhe ata u ndeshën me të. 18 Por arameasit morën arratinë përballë Izraelit. Davidi vrau shtatë mijë kalorës e dyzet mijë këmbësorë arameas. Vrau edhe Shofahun, kreun e ushtrisë. 19 Kur shërbëtorët e Hadadezerit panë se po humbnin kundër Izraelit, bënë paqe me Davidin e iu nënshtruan. Arameasit nuk synuan më të ndihmonin amonitët.