Kundër kurvërisë
1 Kudo dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që nuk e gjen as ndër kombe. Njëri nga ju ka marrë gruan e të atit 2 e ju më krekoseni. A nuk do të ishte më mirë të vajtonit, që të shporret nga ju ai që ka bërë një vepër të tillë? 3 Megjithëse unë nuk jam aty me trup, jam aty me shpirt dhe tashmë e kam gjykuar atë që e ka bërë këtë gjë, si të isha aty. 4 Kur të mblidheni në emër të Zotit tonë Jezu do të jem edhe unë shpirtërisht me ju dhe atëherë me fuqinë e Zotit tonë Jezu 5 dorëzojani atë njeri Satanit për t’i shkatërruar trupin, që t’i shpëtojë shpirti ditën e Zotit.
6 Nuk është mirë të mburreni! A nuk e dini se pak tharm mbrun gjithë brumin? 7 Pastrohuni nga tharmi i vjetër, që të bëheni brumë i ri, ashtu siç jeni pa tharm, sepse Krishti, Pashka jonë, është flijuar. 8 Të mos kremtojmë me tharmin e vjetër, me tharmin e së keqes e të ligësisë, por me bukët e ndorme të pastërtisë e të së vërtetës.
9 Në letër ju shkrova që të mos përziheni me kurvarë. 10 Nuk bëhet fjalë për të gjithë kurvarët e kësaj bote, as për lakmitarët, zhvatësit apo idhujtarët, se do të duhej të iknit nga bota, 11 por tani po ju shkruaj që të mos përziheni me ndonjë që e quan veten vëlla, por është kurvar, lakmitar, idhujtar, shpifës, pijanec, apo zhvatës. Mos hani me të! 12 Ç’punë kam unë të gjykoj ata që janë jashtë kishës? A nuk i gjykoni ju ata që janë brenda saj? 13 Ata që janë jashtë kishës i gjykon Perëndia. Zhdukeni ligësinë nga mesi juaj!