1 Korintasve 3

Bashkëpunëtorë të Perëndisë

Unë, o vëllezër, nuk munda të flas me ju si me njerëz që kanë Shpirtin e Perëndisë, por si me njerëz të kësaj bote, si me foshnja në besimin e Krishtit. Ju ushqeva me qumësht dhe jo me ushqim të fortë, sepse nuk mund ta përtypnit. Por edhe tani nuk mundni, sepse jeni ende njerëz të kësaj bote. Nëse keni smirë e grindjeç mes jush, a nuk tregoni se jeni të kësaj bote dhe jetoni si të gjithë njerëzit?

Kur njëri thotë: «Unë jam i Palit» dhe tjetri: «Unë jam i Apolit», a nuk jeni si të gjithë njerëzit e tjerë? Kush është Apoli dhe kush është Pali? Janë vetëm shërbëtorë, nëpërmjet të cilëve besuat dhe që veprojnë, secili sipas fuqisë që i dha Zoti. Unë mbolla farën, Apoli e ujiti, por Perëndia e rriti. Kështu, nuk kanë rëndësi as ai që mbjell e as ai që ujit, por Perëndia që rrit. Ai që mbjell dhe ai që ujit, janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin sipas mundit. Sepse ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë, ndërsa ju jeni ara dhe ndërtesa e tij.

10 Unë, sipas hirit që më dha Perëndia, si arkitekt i ditur vura themelin, por tjetërkush po ndërton mbi të. Secili të ketë kujdes sesi ndërton. 11 Askush nuk mund të vendosë një themel tjetër përveç këtij që kemi dhe që është Jezu Krishti. 12 Disa ndërtojnë mbi këtë themel me ar, argjend apo gurë të çmuar dhe disa të tjerë ndërtojnë me dru, sanë apo kashtë, 13 por vepra e secilit prej tyre do të dalë në dritë dhe vlerën e saj do ta tregojë dita e gjykimit. Ajo ditë do të vijë me zjarr dhe me këtë zjarr do të provohet vepra e kujtdo. 14 Nëse vepra që ndërtoi dikush i qëndron zjarrit, ai do të marrë shpërblimin. 15 Nëse vepra e dikujt digjet, ai do ta humbasë shpërblimin, por vetë do të shpëtojë si një njeri që kalon përmes zjarrit.

16 A nuk e dini se jeni tempull i Perëndisë dhe se Shpirti i Perëndisë banon në ju? 17 Nëse dikush rrënon tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta rrënojë atë, sepse tempulli i Perëndisë është i shenjtë dhe ky tempull jeni ju.

18 Mos mashtroni veten! Nëse ndonjë nga ju pandeh se është i urtë në këtë jetë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i urtë. 19 Sepse urtia e kësaj bote është marrëzi para Perëndisë, siç është shkruar:

ai i zë të urtët

në dinakërinë e tyre.

20 Dhe:

Zoti i njeh mendimet e të urtëve

dhe e di se janë të kota.

21 Prandaj, asnjë të mos mburret me njerëzit, sepse gjithçka është juaja: 22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja dhe e ardhmja.

Gjithçka është juaja, 23 ndërsa ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.


 ç3.3 dorëshk. të tjera edhe: dhe përçarje