1 Korintasve 13

Sikur të flisja gjuhët e njerëzve

dhe të engjëjve,

por të mos kisha dashuri

do të isha si bronzi që kumbon,

ose si cimbali që tingëllon.

Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë,

të njihja të gjitha të fshehtat,

të zotëroja të gjitha dijet,

dhe të kisha gjithë besimin

për të lëvizur malet prej vendit,

por të mos kisha dashuri,

nuk do të isha asgjë.

Edhe sikur t’ua ndaja të varfërve

gjithë pasurinë

dhe ta jepja trupin të digjej,

por të mos kisha dashuri,

nuk do të më vlente asgjë.

Dashuria është zemërgjerë,

dashuria është e mirë,

nuk ka smirë,

nuk krekoset,

nuk mburret,

nuk sillet në mënyrë të pahijshme,

nuk kërkon përfitim,

nuk pezmatohet,

nuk mendon të ligën,

nuk gëzohet për padrejtësinë,

por gëzohet me të vërtetën.

Dashuria përballon gjithçka,

beson gjithçka,

shpreson gjithçka

dhe duron gjithçka.

Dashuria nuk shteron kurrë,

ndërsa profecitë do të reshtin,

gjuhët do të pushojnë

dhe dijet do të marrin fund.

Në të vërtetë,

ne kemi dije deri diku

dhe profetizojmë deri diku.

10 Por kur të vijë përsosmëria,

ajo që është e paplotë

do të marrë fund.

11 Kur isha fëmijë,

flisja si fëmijë,

mendoja si fëmijë

dhe arsyetoja si fëmijë;

por kur u bëra burrë,

i hodha tej gjërat fëmijërore.

12 Tani shohim në mënyrë të errët,

si në pasqyrë,

por një ditë do të shohim

ballë për ballë.

Tani njoh deri diku,

por një ditë do të njoh plotësisht,

ashtu siç më njeh Perëndia.

13 Tani mbeten këto të tria:

besimi,

shpresa

dhe dashuria,

por më e madhja ndër to

është dashuria.