Veprat 12

Një vrasje dhe një burgosje

Në atë kohë, mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga besimtarët e kishave. Jakobin, vëllanë e Gjonit, ai e vrau me shpatë. Kur pa se kjo gjë u pëlqeu judenjve, urdhëroi të kapnin edhe Pjetrin. Ishin ditët e festës së Bukëve të ndorme. Pasi e kapi, Herodi e futi në burg dhe ua dorëzoi katër grupeve me nga katër ushtarë që ta ruanin, me qëllim që pas Pashkës ta nxirrte para popullit. Ndërsa Pjetri ishte në burg, kisha i lutej Perëndisë me gjithë zemër për të.

Pjetri lirohet nga burgu

Natën, përpara se Herodi ta nxirrte Pjetrin para popullit, Pjetri, i lidhur me dy zinxhirë, po flinte mes dy ushtarëve, ndërsa rojat para derës ruanin burgun. Papritur u shfaq një engjëll i Zotit dhe qelinë e ndriçoi një dritë. Ai e preku Pjetrin në brinjë e i tha: «Ngrihu shpejt!». Dhe menjëherë zinxhirët i ranë nga duart. Pastaj engjëlli i tha: «Vëre brezin e mbathi sandalet». Pjetri u bind. Pastaj i tha: «Hidh gunën e më ndiq». Pjetri doli e shkoi pas tij pa e ditur nëse ajo që po i ndodhte me engjëllin ishte e vërtetë apo jo. Ai mendonte se po shihte një vegim. 10 Kur kaluan rojën e parë e të dytë, arritën te dera e hekurt, që të çonte në qytet. Ajo u hap vetë. Ata dolën dhe ecën në një rrugë dhe engjëlli u largua nga ai menjëherë.

11 Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: «Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij e më çliroi nga duart e Herodit e nga gjithçka që judenjtë kishin ndër mend të bënin me mua».

12 Si e kuptoi këtë gjë, shkoi në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, të cilin e quanin edhe Mark. Aty ishin mbledhur shumë veta e po luteshin. 13 Ai trokiti në derën e jashtme. Një shërbëtore me emrin Rodë erdhi të hapte derën. 14 Kur dëgjoi zërin e Pjetrit, ajo u gëzua aq shumë, saqë në vend që të hapte derën, shkoi me vrap brenda dhe lajmëroi se Pjetri ishte te dera.

15 Ata i thanë: «Ti nuk je në vete». Por ajo nguli këmbë se ishte e vërtetë. Ata i thanë: «Është engjëlli i tij». 16 Ndërsa Pjetri vazhdonte të trokiste. Kur e hapën derën, ata e panë dhe mbetën të mahnitur. 17 Ai ua bëri me dorë që të mos flisnin dhe u tregoi sesi Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Atëherë u tha: «Tregojani këtë Jakobit e vëllezërve». Pastaj doli e shkoi në një vend tjetër.

18 Kur zbardhi dita, rojat i zuri paniku kur panë se Pjetri nuk ishte aty. 19 Herodi e kërkoi, por nuk e gjeti. Atëherë i mori në pyetje rojat dhe urdhëroi që t’i vrisnin. Pastaj Herodi shkoi nga Judeja në Cezare dhe qëndroi aty.

Vdekja e Herodit

20 Herodi ishte shumë i zemëruar me banorët e Tirit e të Sidonit. Atëherë ata ranë në një mendje, shkuan tek ai dhe, pasi ia mbushën mendjen Blastit, nëpunësit të dhomës së mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre i merrte ushqimet nga mbretëria e tij. 21 Në ditën e caktuar Herodi u vesh me rrobat mbretërore, u ul në fron dhe mbajti një fjalim. 22 Populli brohoriste: «Ky është zë perëndie e jo njeriu». 23 E menjëherë një engjëll i Zotit e goditi Herodin, meqë ai nuk i dha lavdi Perëndisë. Ai dha shpirt i brejtur nga krimbat.

24 Dhe fjala e Perëndisë përhapej gjithnjë e më shumë. 25 Barnaba e Sauli, pasi e përfunduan shërbesën në Jerusalem, u kthyen dhe morën me vete Gjonin që quhej edhe Mark.