Kuvendari 12

Kujtohu për krijuesin tënd

në ditët e rinisë sate,

ende pa ardhur ditët e liga,

vitet për të cilat do të thuash:

«Nuk më japin asnjë kënaqësi!»,

pa u errur dielli, drita, hëna e yjet,

pa u kthyer retë pas shiut,

kur të dridhen rojat e shtëpisë,

kur të përkulen trimat e të ndalen bluajtësit,

ngaqë janë pakësuar,

kur të ngrysen ata që vështrojnë nga dritaret,

kur të mbyllen dyert në rrugë,

pasi të shuhet zhurma e bluarjes,

zogjtë e ulin zërin

dhe këngëtaret tulaten.

Edhe nga lartësitë do të kenë frikë

e tmerr nëpër rrugë.

Do të lulëzojë bajamja,

do të zvarritet karkaleci,

do të dështojë kopri,

se njeriu do të shkojë në banesën e amshuar,

ndërsa vajtuesit enden nëpër rrugë,

para se të këputet litari i argjendtë

e të thërrmohet kupa e artë,

para se të thyhet shtamba te burimi

e të copëtohet çikriku në sternë,

para se të kthehet pluhuri në tokë, siç kishte qenë,

e shpirti të kthehet te Perëndia që e kishte dhuruar.

Tymnajë e kaluar tymnajës, thotë kuvendari,

gjithçka është tymnajë.

Përveçse qe i urtë, kuvendari i mësoi popullit dijen. Ai dëgjoi, shqyrtoi e renditi shumë fjalë të urta.

10 Kuvendari u përpoq të gjente fjalë të hijshme e shkroi drejt fjalë të vërteta.

11 Fjalët e të urtëve janë si thumbues. Si gozhdë të ngulura mirë janë përmbledhjet e thënieve. Janë dhënë nga një bari i vetëm. 12 Përtej këtyre, biri im, ki kujdes. Nuk ka fund përgatitja e librave të shumtë. Hulumtimi i shumtë e mundon trupin.

13 Si përfundim, pasi u dëgjuan të gjitha, druaje Perëndinë e zbato urdhërimet e tij, se kjo është gjithçka për njeriun. 14 Se Perëndia do të gjykojë çdo vepër e çdo të fshehtë, të mirë apo të keqe.