Marku 1

Predikimi i Gjon Pagëzorit

(Mt 3.1-12; Lk 3.1-9, 15-17; Gjn 1.19-28)

Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Ndodhi sikurse është shkruar te profeti Isai:

ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim

përpara teje,

që të përgatisë udhën tënde.

Ai është zëri

që thërret në shkretëtirë:

bëni gati udhën për Zotin,

drejtoni shtigjet e tij.

Gjon Pagëzori doli në shkretëtirë dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t’u faleshin mëkatet. Njerëz nga e gjithë krahina e Judesë dhe të gjithë banorët e Jerusalemit shkonin tek ai e pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre. Gjoni ishte i veshur me një rrobë prej leshi deveje, mbante një brez lëkure rreth ijëve e hante karkaleca e mjaltë të egër. Ai predikonte e thoshte: «Pas meje vjen ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë të ulem as për t’i zgjidhur lidhëset e sandaleve. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë».

Pagëzimi i Jezuit

(Mt 3.13-17; Lk 3.21-22)

Gjatë atyre ditëve Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua prej Gjonit në Jordan. 10 Menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiejt që po hapeshin dhe Shpirtin si një pëllumb duke zbritur mbi të. 11 Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur».

Tundimi i Jezuit

(Mt 4.1-11; Lk 4.1-13)

12 Menjëherë Shpirti e çoi Jezuin në shkretëtirë. 13 Ai qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satani. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin.

Shërbesa në Galile

(Mt 4.12-17; Lk 4.14-15)

14 Pasi e kapën Gjonin, Jezui shkoi në Galile, ku predikonte ungjillin e Perëndisë 15 e thoshte: «Erdhi koha, mbretëria e Perëndisë është afër; pendohuni e besoni në ungjill».

Thirrja e katër peshkatarëve

(Mt 4.18-22; Lk 5.1-11)

16 Ndërsa kalonte bregut të liqenita të Galilesë, Jezui pa Simonin e Andrean, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. 17 Jezui u tha: «Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish». 18 Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. 19 Pak më tutje Jezui pa Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në varkë duke arnuar rrjetat 20 dhe i thirri menjëherë. Ata lanë në varkë Zebedeun, atin e tyre, bashkë me shërbëtorët e shkuan pas tij.

I pushtuari nga një shpirt i ndyrë

(Lk 4.31-37)

21 Pastaj shkuan në Kafarnaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, Jezui hyri në sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. 22 Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit. 23 Në sinagogë ishte një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë 24 që filloi të thërriste: «Çfarë ke me ne, o Jezu i Nazaretit? A ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». 25 Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». 26 Shpirti i ndyrë doli prej tij duke e shkundur e duke thirrur me zë të lartë. 27 Të gjithë u mahnitën e pyesnin njëri-tjetrin: «Ç’është kjo? Një mësim i ri, i dhënë me pushtet! Ai urdhëron deri edhe shpirtrat e ndyrë e ata i binden».

28 E sakaq fama e tij u përhap kudo nëpër rrethinat e Galilesë.

Shërimi i shumë njerëzve

(Mt 8.14-17; Lk 4.38-41)

29 Kur doli nga sinagoga, Jezui shkoi menjëherë në shtëpinë e Simonit e të Andreas, bashkë me Jakobin e Gjonin. 30 Sapo hyri, i treguan për vjehrrën e Simonit që dergjej në shtrat me ethe. 31 Ai iu afrua, e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë atë e lanë ethet e filloi t’u shërbente.

32 Në mbrëmje, në perëndim të diellit, sollën tek ai të gjithë të sëmurët dhe të pushtuarit nga djalli. 33 I tërë qyteti ishte mbledhur te dera. 34 Jezui shëroi shumë veta që vuanin nga sëmundje të ndryshme e dëboi shumë djaj. Ai nuk i lejonte djajtë të flisnin, sepse ata e dinin kush ishte.

Predikimi i ungjillit

(Lk 4.42-44)

35 Në mëngjes herët, shumë kohë përpara se të agonte, Jezui u ngrit e shkoi në një vend të shkretë për t’u lutur. 36 Simoni dhe të tjerët që ishin me të shkuan pas tij, 37 e gjetën e i thanë: «Të gjithë po të kërkojnë». 38 Ai u tha: «Le të shkojmë më tej në fshatrat e tjera, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë gjë kam ardhur». 39 Dhe shkonte nëpër gjithë Galilenë, duke predikuar në sinagogat e tyre e duke dëbuar djajtë.

Pastrimi i të lebrosurit

(Mt 8.1-4; Lk 5.12-16)

40 Një i lebrosur shkoi tek ai dhe, duke iu përgjëruar e duke i rënë në gjunjë, i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh». 41 Jezui ndjeu dhembshuri, shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». 42 Dhe lebra e la menjëherë e ai u pastrua. 43 Jezui e largoi menjëherë dhe e urdhëroi rreptësisht: 44 «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti dhe kushto për pastrimin tënd atë që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t’u shërbejë si dëshmi». 45 Por sapo doli, ai filloi të hapte fjalë e ta shpallte këtë gjë, saqë Jezui nuk mundi të hyjë më haptas në qytet, por qëndroi jashtë nëpër vende të shkreta. Dhe njerëzit vinin tek ai nga çdo anë.


 a1.16 ose: detit