Jozuehu 19

Trojet e Simeonit

Pjesa e dytë i ra me short fisit të Simeonit. Tokat e pasardhësve të Simeonit shtriheshin, sipas klaneve, brenda pronës së pasardhësve të Judës. Pronë e tyre ishin Bersheba, Sheba, Moladahu, Hacar Shuali, Balahu, Ecemi, Eltoladi, Betuli, Hormahu, Ciklagu, Bet Markaboti, Hacar Susahu, Bet Lebaoti e Sharuheni, gjithsej trembëdhjetë qytete me fshatrat përreth. Kishin për pronë edhe Ajinin, Rimonin, Eterin e Ashanin, gjithsej katër qytete me fshatrat përreth, si edhe të gjithë fshatrat që ndodheshin pranë këtyre qyteteve deri në Baalat Ber e Ramat Negev. Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të Simeonit, sipas klaneve. Pjesa e pasardhësve të Simeonit u mor nga pjesa e pasardhësve të Judës, sepse pjesa e tyre ishte tepër e madhe për ta. Prandaj prona e pasardhësve të Simeonit është brenda pronës së pasardhësve të Judës.

Trojet e Zabulonit

10 Pjesa e tretë u ra me short pasardhësve të Zabulonit, sipas klaneve. Kufiri i pronës së tyre shtrihej deri në Sarid. 11 Prej andej kufiri shkonte drejt perëndimit për në Maralah. Arrinte në Dabeshet e në përroin kundruall Jokneamit. 12 Nga Saridi kthente drejt lindjes deri në kufijtë e Kislot Taborit. Pastaj shkonte në Daberat e ngjitej drejt Jafias. 13 Prej andej shkonte drejt lindjes në Gat Hefer dhe Et Kacin, dilte në Rimon e kthente për në Neah. 14 Në veri kufiri kthente drejt Hanatonit e përfundonte në luginën e Iftahelit. 15 Trojet e tyre përfshinin Katatin, Nahalalin, Shimronin, Idalahun e Betlehemin, gjithsej dymbëdhjetë qytete me fshatrat përreth. 16 Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të Zabulonit, sipas klaneve. Këto ishin qytetet e fshatrat e tyre.

Trojet e Isaharit

17 Pjesa e katërt u ra me short pasardhësve të Isaharit, sipas klaneve. 18 Kufiri i tyre përfshinte Izrelin, Kesulotin, Shunemin, 19 Hafarajimin, Shionin, Anaharatin, 20 Rabitin, Kishjonin, Ebecin, 21 Remetin, En Ganimin, En Hadahun dhe Bet Pacecin. 22 Kufiri i tyre prekte Taborin, Shahacimahun, Bet Shemeshin e përfundonte në Jordan, gjithsej gjashtëmbëdhjetë qytete me fshatrat përreth. 23 Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të Isaharit, sipas klaneve. Këto ishin qytetet e fshatrat e tyre.

Trojet e Asherit

24 Pjesa e pestë u ra me short pasardhësve të fisit të Asherit, sipas klaneve. 25 Kufiri i tyre përfshinte Helkatin, Haliun, Betenin, Akshafin, 26 Alamelekun, Amadin, Mishalin e mbërrinte në perëndim deri në Karmel e në Shihor Libnat. 27 Pastaj kthehej drejt perëndimit për në Bet Dagon e mbërrinte në Zabulon e në luginën e Iftahelit. Më pas ngjitej drejt veriut deri në Bet Emek e në Nejel. Prej andej kufiri arrinte në të majtë të Kabulit, 28 në Evron, në Rehob, në Hamon, në Kanë e deri në Sidonin e Madh. 29 Pastaj kufiri kthente drejt Ramahut e shkonte deri në qytetin e fortifikuar të Tirit, kthente përsëri në drejtim të Hosahut e përfundonte në det. Përfshinte Mehebelin, Akzibin, 30 Umahun, Afekun dhe Rehobin, gjithsej njëzet e dy qytete me fshatrat përreth. 31 Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të fisit të Asherit, sipas klaneve. Këto ishin qytetet e fshatrat e tyre.

Trojet e Neftaliut

32 Pjesa e gjashtë u ra me short pasardhësve të Neftaliut, sipas klaneve. 33 Kufiri i tyre fillonte nga Helefi e nga dushku i Cananimit, kalonte nga Adami Nekebi, Jabneli, Lakumi e përfundonte në Jordan. 34 Pastaj kufiri kthente nga perëndimi drejt Aznot Taborit e prej andej shkonte në Hukok, prekte Zabulonin nga jugu e Asherin nga perëndimi. Juda e Jordani ishte kufiri lindor. 35 Qytetet e tyre të fortifikuara ishin Cidimi, Ceri, Hamati, Rakati, Kinereti, 36 Adamahu, Ramahu, Hacori, 37 Kedeshi, Edreji, En Hacori, 38 Ironi, Migdal Eli, Horemi, Bet Anati e Bet Shemeshi, gjithsej nëntëmbëdhjetë qytete me fshatrat përreth. 39 Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të fisit të Neftaliut, sipas klaneve. Këto ishin qytetet e fshatrat e tyre.

Trojet e Danit

40 Pjesa e shtatë u ra me short pasardhësve të fisit të Danit. 41 Kufiri i pronës së tyre përfshinte Corahun, Eshtaolin, Ir Shemeshin, 42 Shalabin, Ajalonin, Itlahun, 43 Elonin, Timnahun, Ekronin, 44 Eltekehun, Gibetonin, Baalatin, 45 Jehudin, Beneberakun, Gat Rimonin, 46 Me Jarkonin, Rakonin e krahinën kundruall Jafës. 47 Kur pasardhësit e Danit i humbën trojet e tyre, sulmuan Leshemin dhe e pushtuan. Banorët e qytetit i vranë me shpatë, ndërsa vetë qytetin e morën për të banuar në të. Qytetit i vunë emrin e Danit, atit të fisit të tyre. 48 Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të fisit të Danit, sipas klaneve. Këto ishin qytetet e fshatrat e tyre.

Pjesa e Jozuehut

49 Kur izraelitët përfunduan ndarjen e tokës me short, i dhanë pjesë brenda trojeve të tyre edhe Jozuehut, birit të Nunit, 50 sipas urdhrit të Zotit. I dhanë Timnah Serahun në krahinën malore të Efraimit, qytetin që u kishte kërkuar vetë. Jozuehu e ndërtoi qytetin e banoi në të.

51 Këto janë trojet që prifti Eleazar, Jozuehu, biri i Nunit, e pleqtë e fiseve u dhanë fiseve të Izraelit me short në Shiloh në prani të Zotit, në hyrje të tendës së takimit. Ndarja e vendit përfundoi.