Isaia 51

Ngushëllim për Sionin

Më dëgjoni, ju që ndiqni pas drejtësinë,

ju që kërkoni Zotin,

shikoni shkëmbin, prej të cilit u pretë,

gropën e gurores, prej së cilës dolët.

Shikoni Abrahamin, atin tuaj,

dhe Sarën që ju lindi!

I vetëm ishte kur e thirra,

por e bekova dhe e shtova.

Kështu Zoti do ta ngushëllojë Sionin,

do të ngushëllojë të gjitha rrënojat e tij.

Shkretëtirën e tij do ta bëjë si Edenin,

djerrinën e tij porsi kopshtin e Zotit.

Në të do të dëgjohen gëzim e hare,

falënderime e tinguj këngësh.

Dëgjomë me kujdes, o populli im,

vëmë vesh, o kombi im!

Se prej meje do të dalë ligji,

drejtësinë time do ta bëj dritë për popujt.

Afër është drejtësia ime,

mbërriti shpëtimi im!

Krahu im do të gjykojë popujt,

ujdhesat tek unë do të shpresojnë,

në krahun tim do të shpresojnë.

Ngrijini sytë lart në qiell,

vështroni tokën poshtë.

Qiejt do të davariten si tymi,

toka do të vjetrohet si rroba,

banorët e saj si vemja do të vdesin.

Por shpëtimi im do të mbetet përjetë,

drejtësia ime nuk do të thyhet kurrë.

Dëgjomëni, pra, ju që e njihni drejtësinë,

ti, o popull, që ligjin tim e ke në zemër!

Mos kini frikë nga fyerjet e njerëzve,

mos u trembni nga sharjet e tyre.

Sepse tenja do t’i brejë si rrobën,

mola do t’i hajë si leshin.

Por drejtësia ime do të mbetet përjetë,

shpëtimi im, brez pas brezi.

Zgjohu, zgjohu, ngjishu me fuqi

ti, o krahu i Zotit!

Zgjohu si në ditët e moçme,

si në breznitë e kahershme!

A nuk ishe ti që e copëtove Rahabën,

që tejpërtej e shpove përbindëshin?

10 A nuk ishe ti që e thave detin,

ujërat e humnerës së thellë,

që fundin e detit e bëre udhë,

për të kaluar ata që shpengove?

11 Të shpërblyerit e Zotit do të kthehen,

do të vijnë në Sion duke brohoritur,

gëzimi do të jetë përherë mbi kokat e tyre,

do t’i pushtojë gëzimi e hareja,

dhimbja e rënkimi do të marrin fund.

12 Unë, unë jam ai që të ngushëllon,

kush je ti që trembesh nga njeriu i vdekshëm,

nga biri i njeriut që është si bari?

13 E ke harruar Zotin, që të krijoi,

që shtriu qiejt e themeloi tokën.

Gjithë ditën je përherë i frikësuar

prej furisë së shtypësit,

që është bërë gati të të shkatërrojë.

Po përse është zemëruar vallë shtypësi?

14 I robëruari i kërrusur shpejt do të çlirohet,

në gropë nuk do të vdesë

e buka s’do t’i mungojë.

15 Unë jam Zoti, Perëndia yt,

që e trand detin e i buçasin valët,

Zot i ushtrive është emri i tij.

16 Fjalët e mia i vura në gojën tënde,

me hijen e dorës sime të mbulova.

Unë, që mbolla qiejt e tokën themelova,

unë i them Sionit: «Ti je populli im».

17 Zgjohu, zgjohu, ngrihu, o Jerusalem,

ti që prej dorës së Zotit

kupën e zemërimit të tij pive,

që pive kupën e trullosjes,

e pive sa e kullove krejt.

18 Nuk ka kush të të udhëheqë

ndër bijtë që ke lindur,

s’ka kush të të marrë për dore

ndër bijtë që ke rritur.

19 Dy të këqija të kanë gjetur,

kujt do t’i vijë keq për ty?

Rrënim e shkatërrim, uri e shpatë,

kush do të të ngushëllojë?

20 Bijtë e tu janë tretur e po dergjen

në krye të çdo rruge, si antilopa e zënë në lak,

mbushur plot me zemërimin e Zotit,

plot me kërcënimin e Perëndisë tënd.

21 Prandaj, dëgjoje këtë, o e mjerë,

o e dehur, por jo me verë.

22 Kështu thotë Zoti, Zoti e Perëndia yt,

ai që mbron çështjen e popullit tënd:

Ja, po ta heq nga dora kupën e trullosjes,

llumin e kupës së zemërimit tim.

Më prej saj nuk do të pish.

23 Do t’ua vë në dorë atyre që të kanë pikëlluar,

atyre që ty të thoshin:

«Shtrihu përtokë që të kalojmë mbi ty».

E ti urë e bëje shpinën tënde,

porsi udhë për kalimtarët.