Amosi 4

Kundër grave të Samarisë

«Dëgjoni këtë fjalë, o ju lopët e Bashanit, që jeni në malin e Samarisë,

ju që shtypni të mjerët e mundoni skamnorët,

ju që u thoni zotërinjve tuaj: na sillni për të pirë!

Zoti, Zoti im u betua për shenjtërinë e vet,

se po ju vijnë ditët

kur do t’ju kapin me grremça,

e pasardhësit tuaj me grepa.

Njërën pas tjetrës do t’ju kapin përmes të çarave të murit

e në Harmon do t’ju degdisin,

kumton Zoti.

Shkoni në Betel e shkelni ligjin,

në Gilgal e shtoni shkeljet.

Sillini flijimet në mëngjes,

të dhjetën në ditën e tretë.

Digjeni për lavd kushtimin e mbrujtur,

shpallni me të madhe flitë vullnetare,

se kështu doni të veproni, o bij të Izraelit,

kumton Zoti, Zoti im.

Ndaj dhe unë ju lashë gojëzbrazur

në të gjitha qytetet tuaja

e pa bukë në gjithë vendet tuaja,

por tek unë ju nuk u kthyet,

kumton Zoti.

Ndaj dhe unë e mbajta shiun

tre muaj para korrjes.

E çoja shiun në një qytet,

por jo në një tjetër.

Njëra pjesë e tokës lagej,

ndërsa tjetra digjej e thatë.

Banorët e dy a tri qyteteve

iknin në një qytet tjetër

për të gjetur ujë e s’ngopeshin,

por tek unë ju nuk u kthyet,

kumton Zoti.

Ju godita me urth e vrug.

Shumë kopshte e vreshta tuajat,

fiq e ullishta i përlau vemja,

por tek unë ju nuk u kthyet,

kumton Zoti.

10 Dërgova murtajën mes jush,

siç e dërgova në Egjipt.

I vrava me shpatë djelmoshat tuaj,

kuajt tuaj i bëra pre.

Hundët jua shpova me kutërbimin e fushimit,

por tek unë ju nuk u kthyet,

kumton Zoti.

11 Ju përmbysa,

siç i përmbysi Perëndia Sodomën e Gomorrën,

u bëtë si trungu i përcëlluar nga zjarri,

por tek unë ju nuk u kthyet,

kumton Zoti.

12 Ndaj kështu do të sillem me ty, o Izrael.

Meqë do të veproj kështu,

përgatitu të takosh Perëndinë tënd, o Izrael.

13 Ja, ai që u dha trajtë maleve dhe erën krijoi,

ai që i dëfton njeriut synimet,

ai që e bën agimin terr

dhe ecën mbi kreshtat e tokës,

është Zoti,

Perëndi i ushtrive është emri i tij».